Veprimet sunnet në namaz

Synete quhen veprimet që Profeti a.s. i ka kryer vazhdimisht dhe që nuk i ka braktisur pa ndonjë justifikim. Synetet janë plotësuese të vaxhibeve, kompensojnë mangësitë e tyre duke u shtuar sevape zbatuesve. Nëse Synetet braktisen, namazi nuk dëmtohet, por për të ka qortim (itab).

Synetet e namazit janë si më poshtë:

Ngritja e duarve në tekbirin fillestar deri te llapat e veshëve.

Zgjerimi i pakët i hapësirave mes gishtave gjatë marrjes tekbir dhe pastaj të kthyerit e shuplakave drejt Kiblës.

Bërja e tekbirit fillestar, duke pasuar tekbirin e  imamit.

Vendosja e dorës së djathtë mbi dorën e majtë në kijam. Sipas transmetimit të Aliut r.a., duart lidhen nën kërthizë, duke vendosur dorën e djathtë mbi të majtën. Meshkujt i lidhin duart duke vendosur pëllëmbën e dorës së djathtë mbi pjesën e sipërme të dorës së majtë, gishti i madh bashkohet me gishtin e vogël duke e bërë rreth në kyçin e dorës së majtë, kurse femrat, thjesht, e vendosin dorën e djathtë mbi të majtën, duke i mbështetur ato mbi kraharor.

Këndimi i lutjes “Subhaneke” menjëherë pas tekbirit fillestar. Këndimi i “Eudhu Bismil’lahit” përpara “Fatihasë” së parë dhe ai i “Bismil’lahit” përpara “Fatihasë” në rekatet e tjera, gjithashtu është synet.

Të thuash në heshtje “Amin pas “Fatihasë”.

Thënia nga imami me zë të lartë aq sa ç’është e nevojshme e tekbireve e shprehjes “Semiallahu limen hamideh” duke u ngritur nga rukuja në këmbë, si dhe selamet që jepen në të dyja anët në fund të namazit. Grupi i besimtarëve (xhemati) thotë pa zë vetëm “Rabbena lekel’hamd” ose “Allahumme rabbena lekel’hamd”, pra, shpreh falënderim-tahmid, duke u ngritur nga rukuja. Gjithashtu, tekbiret dhe selami të thuhen në heshtje. Personi që falet individualisht, i thotë që të dyja këto shprehje, kurse selamin dhe tekbiret i thotë në heshtje.

Personi që falet individualisht, duke u ngritur nga rukuja thotë në heshtje “Semiallahu limen hamideh” dhe “Rabbena lekel’hamd”. Me lexim “në heshtje” nënkuptohet të shprehurit e lutjeve me aq zë sa t’i dëgjojë vetë personi që i shpreh.

Tekbiret në përgjithësi si dhe shprehja e tekbirit me fjalën “Allahu ekber” në ruku dhe sexhde, janë synet.

Në ruku meshkujt të mbështeten te gjunjët me pëllëmbët me gishtat e hapur, t’i mbajnë gjunjët të pathyer dhe shpinën horizontalisht. Koka duhet të jetë në një pozicion paralel me shpinën. Femrat përkulen aq sa të kenë mundësi të mbështesin duart mbi gjunjë, pa i hapur gishtat e pëllëmbëve dhe këmbët i mbajnë pak më të përthyera. Në këtë formë, trupi i tyre do të jetë më pak i përkulur sesa ai i meshkujve.

Në ruku të thuhet tri herë “Subhane rabbijel’adhim” (Madhëruar qoftë i Madhi Zot nga çdo mangësi!), kurse në sexhde po tri herë “Subhane rabbijel’a’la” (Lartësuar qoftë i Madhi Zot nga çdo mangësi.). E rëndësishme është të lexohen në numër tek.

Të lëshosh krahët anash pasi ngrihesh nga rukuja në kaume, duke e mbajtur trupin drejt.

Duke rënë në sexhde, fillimisht vihen në tokë gjunjët, pastaj duart, pastaj fytyra, kurse duke u ngritur nga sexhdja, ngrihen në fillim fytyra, pastaj duart, pastaj gjunjët; duke rënë në sexhde e duke u ngritur nga sexhdja thuhet “Allahu ekber”.

Në sexhde meshkujt e mbajnë barkun larg kofshëve, bërrylat larg hijeve dhe krahët larg tokës, kurse femrat përkulen në sexhde me krahët ngjitur me ijet dhe barkun ngjitur me kofshët.

Duke qëndruar ulur pas sexhdeve meshkujt shtrijnë këmbën e majtë kah këmba e djathtë dhe mbështesin këmbën e djathtë mbi gishtërinj, duke i drejtuar këta të fundit kah Kibla. Femrat shtrijnë këmbën e djathtë, por këmba e majtë drejtohet kah e djathta. Ulja duhet bërë në atë mënyrë që më tepër të mbështetet mbi këmbën e majtë.

Në ndenjet dhe në pritjet mes dy sexhdeve të njëpasnjëshme, duart vendosen mbi gjunjë të drejtuara nga Kibla, duke i hapur pak gishtat, por pa i mbërthyer gjunjët, për të evituar sforcimin. Gjatë pushimit mes dy rukuve, që quhen xhelse, duhet të pritet pak.

Në lutjet (teshehhud) gjatë ndenjeve, duke thënë “la ilahe”, ngrihet gishti tregues (i dëshmisë) i dorës së djathtë dhe pastaj ulet duke thënë “il’lAllah”. Duke e bërë këtë, gishti i madh me gishtin e mesëm bëhen hallkë, kurse gishtat e tjerë përkulen dhe ashtu mbeten. Me këtë veprim besimtari dëshmon njëshmërinë e Allahut të Madhëruar. Pasi ul gishtin ruan të njëjtin pozicion të gishtave, pa i kthyer në pozicionin fillestar. Pra, thjesht, ulet gishti tregues.

Teshehudi (lutja tehijat) të kumtohet në heshtje.

Në rekatet e tretë e të katërt të namazeve farz lexohet surja Fatiha.

Në ndenjet e fundit të namazeve farz, vaxhib dhe syneti muekkede, si dhe në çdo ulje të parë të namazeve, syneti gajri muekkede dhe nafile, pas teshehudit, lexohen salavate për Profetin a.s. dhe familjen e tij.

Në uljen e fundit të namazeve bëhet lutje mes këndimit të salavateve “Sal’li ve Barik” dhe selamit përfundimtar. E përshtatshme është që këto lutje të jenë prej ajeteve Kur’anore, siç kemi përmendur gjatë lutjeve të namazit.

Me kthimin e kokës djathtas e më pas majtas, duke dhënë selamin përfundimtar, mbyllet namazi. Gjatë selamit bëhet nijet për të përshëndetur njerëzit, xhindët dhe melekët, që e rrethojnë, kurse imami bën nijet që të përshëndesë personat që u falën pas tij.

Bashkangjitja e selamit të xhematit, selamit të imamit,

Të vihen pengesa ose perde (sutre). Sendi që vë para vetes personi që ka për të falur namaz, me qëllim për të penguar kalimin e të tjerëve para tij, quhet “sutre” (pengesë). Punën e pengesës mund ta bëjnë shtyllat dhe karriket dhe gjëra të tjera si këto. Në namazet e falura me xhemat, mjafton që të ketë pengesë vetëm para imamit. Meqë kalimi para atij që fal namaz është mekruhi tahrimen, ndaj duhet ruajtur nga një veprim i tillë. Ai që falet, për ta penguar atë që kërkon të kalojë para tij, mund të thotë “SubhanAllah”, por mund t’i bëjë shenjë edhe me dorë, sy ose lehtë me kokë. Nëse personi që kalon përpara dikujt që është duke u falur dhe ndodhet më larg se 2 safe, atëherë ky kalim nuk përbën asnjë problem.

Në namazin e sabahut, rekati i parë zgjatet më shumë se rekati i dytë. Kjo ishte praktika e vazhdueshme e Profetit a.s.

Postime të ngashme