Veprimet e papëlqyeshme te abdesit

Kur merret abdes ka disa gjeste, kryerja e të cilave është e papëlqyeshme. Nëse kryhen, ato ia zvogëlojnë mirësinë abdesit. Disa prej mekruheve janë këto:

1. Shpenzimi i tepërt i ujit. Pejgamberi a.s. duke kaluar pranë Sa’dit, i cili ishte duke marrë abdes, i ka thënë: Ç’është ky shpenzim i tepërt i ujit? – A edhe në abdes ka shpenzim të tepërt? pyeti Sadi. – Po, madje edhe nëse je në lumin që rrjedh.- i tha Pejgamberi a.s.” (Ibni Maxheh)

2. Përplasja e ujit në fytyrë, për shkak të shenjtërisë së saj.

3. Të folurit me të tjerët pa nevojë, për shkak se biseda me të tjerët e pengon për duatë-lutjet.

4. Të ndihmohet në marrjen e abdesit nga të tjerët pa arsye.

5. Pastrimi më shumë sesa është synet, që do të thotë se një gjymtyrë a pjesë e trupit, gjatë abdesit, të mos pastrohet më shumë se tri herë.

6. Të lësh pas dore ndonjërin nga synetet e abdesit.

7. Të marrësh abdes në një vend të papastër, etj. Pra, çdo gjë që cënon marrjen e përshtatshme të abdesit.

Situatat që e prishin abdesin

Abdesi është pastrim konvencional, për këtë arsye edhe situatat që e prishin atë janë pjesërisht materiale. Në rastet kur prishet abdesi nuk mund të kryhen veprime që janë të ndaluara pa abdes, (siç është leximi i Kur’anit, falja e namazit etj.) Abdesi prishet në këto raste:

1 – Rrjedhja e gjakut, qelbit ose e lëngut nga çfarëdo vend i trupit. Nëse sasia e gjakut që del nga goja është më tepër ose e barabartë me pështymën, abdesi prishet. Nëse gjaku nuk shpërndahet, por mpikset në plagë, abdesi nuk prishet. Edhe lëngjet e tjera që mund të dalin nga plagët vlerësohen në të njëjtën formë. Nëse këto nuk vetëshpërndahen, edhe sikur t’i fshijmë me dorë, abdesi nuk prishet.

2 – Vjellja me plot gojën pavarësisht se çfarë vjellim. Vjellja e ushqimit apo lëngjeve dhe rrjedhja e gjakut, nëse mbushet goja, aq sa nuk mund të mbahet në gojë. Po ashtu prishet abdesi, nëse vjell shumë herë nga pak, por për të njëjtin shkak dhe ngjashëm me të prishet abdesi nëse pështyma përzihet përgjysmë me gjak, apo e tejkalon gjaku. Pejgamberi ka thënë: “Përsëritet abdesi prej shtatë gjërave: – prej pikave të urinës, gjakut, të lëngëta prej qelbit, nga vjellja me gojën plot, nga gjumi i shtrirë, nga qeshja e burrit me zë në namaz, nga dalja e gjakut.  (Nasbu rraje 1/44)

3 – Kryerja e nevojës së vogël ose të madhe, lëshimi i gazrave. Allahu xh.sh. thotë:

أَوْ جَاءَ أَحَدٌ مِنْكُمْ مِنَ الغَائِطِ

…ose ndonjëri prej jush vjen nga ultësira (nevojtorja).” (Nisa :43)

4 – Fjetja, të fikëtit, dehja, etj. Pra veprat që kanë si karakteristikë të përbashkët humbjen e logjikës, e prishin abdesin. Përveç fjetjes, në të gjitha rastet e humbjes së logjikës nuk ka rëndësi kohëzgjatja e kësaj gjendjeje. Ndërsa në rastin e fjetjes duhet parë nëse kjo fjetje është e thellë, siç ndodh në gjumin e gjatë apo fjetjen shtrirë, atëherë abdesi prishet. Edhe nëse gjumi është i momentit, apo fjetja është ulur dhe zgjat aq sa të të bjerë gjëja nga dora, edhe atëherë abdesi prishet.

5 – Qeshja në namaz aq sa mund ta dëgjojnë ata që janë pranë, por nëse personi buzëqesh pa zë, atëherë si namazi po ashtu edhe abdesi nuk prishet. Nëse qesh me zë aq sa ta dëgjojë vetëm vetë, atëherë prishet vetëm namazi. Ky person jep selam në vend dhe rinis namazin. Por nëse qesh aq sa të mund ta dëgjojnë edhe personat që falen pranë tij, atëherë prishet jo vetëm abdesi, por automatikisht edhe namazi.

6 – Përfundimi i gjendjes së të justifikuarit (sahibu ‘udhrin). Në momentin që personi, i cili ka marrë tejmum, gjen ujë, kur përfundon koha e mes’hit, si dhe kur del vakti i namazit të personit të justifikuar, abdesi prishet.

Postime të ngashme