Thjeshtësia, porta kryesore e moralit hyjnor
Fjala “tevadu” (thjeshtësi, përulësi), mbart kuptimet e të qenit kokulur, i thjeshtë, çka përbën të kundërtën e kryelartësisë (kibr). Këtë mund ta interpretojmë edhe si vetëdijen e duhur të njeriut kundrejt Zotit, si sjellje të tij në përputhje me këtë vetëdije, si dhe vlerësim të pozitës së njeriut në marrëdhënie me krijesat në po këtë këndvështrim, duke e pranuar vetveten si një njeri mes njerëzve apo si një pjesë e zakonshme e krijimit. Ndërsa kibri (kryelartësia) është vlerësimi i vetvetes si më i mirë se të tjerët. Shprehja e jashtme e kësaj dukurie është quajtur “tekebbur” (mendjemadhësi). Pra, kibri është një hamendje madhështie; është ajo çka njeriu për veten e tij dëshiron të jetë, por që, në të vërtetë, nuk mund të jetë.
Me “tevadu” (thjeshtësi) disa kuptojnë që të mos shohësh asnjë vlerë personale te vetvetja; të tjerë shprehen për trajtim të njerëzve të tjerë me respektin e duhur dhe për sjellje të përulur në marrëdhënie me ta; të tjerë thonë që thjeshtësia, duke përjashtuar rastin e përfitimit nga ndihma hyjnore për ndonjë vepër të jashtëzakonshme, është që ta shohësh veten si më të parëndësishmin e krijesave; të tjerë akoma e përshkruajnë si mundim dhe përpjekje për të mposhtur në çast çdo përpëlitje të brendshme, të vogël a të madhe qoftë, që mund të shfaqet në marrëdhënie me egon. Secili shpreh gjykimin e vet si për kuptimin, ashtu edhe për formën në të gjitha këto përkufizime.
Një sahab sheh Hz. Omerin (r.a.) me një enë në shpatulla, duke mbartur ujë, dhe e pyet me habi: “Ç’është kështu, o kalifi i të Dërguarit të Allahut!” Ai i përgjigjet: “Kishin ardhur një grup të dërguarish nga vende të huaja dhe unë ndjeva brenda meje diçka; atë ndjesi desha ta thyej.” Sikurse mbajtja prej tij e miellit në kurriz, të folurit kundër vetvetes në minber apo heshtja kundrejt kritikuesve që e kritikonin hapur përbëjnë një prej mënyrave të vënies nën kontroll të nefsit; se si Ebu Hurejra, gjatë kohës kur ishte vali, i mbartte herë njërit e herë tjetrit dru në kurriz; se si Zejd bin Thabiti, në kohën kur ishte kadi, i puthte dorën Ibn Abbasit; dhe se si kundrejt kësaj Interpretuesi i Kuranit (Terxhumanul Kur’an) i mbante atij yzengjitë e kalit; se si Hz. Hasani ulej me fëmijët që loznin me copat e bukës dhe ushqehej me ta, të gjitha këto janë nga një shembull thjeshtësie e përulësie.
Allahu në Kuranin Fisnik, si dhe i Dërguari i Allahut në Sunetin e tij dëshmojnë aq shumë për thjeshtësinë, saqë atij që i dëgjon e mëson për këta shembuj nuk i mbetet asnjë dyshim se të robëruarit e vërtetë ndaj Zotit s’është veçse thjeshtësi e përulësi. Shprehja e Kuranit, sipas së cilës: “Robërit e vërtetë të Mëshiruesit janë ata që ecin në tokë me thjeshtësi e me kryet të ulur. Kur ata ngacmohen prej injorantëve, thonë: ‘Paqe!’ dhe vazhdojnë rrugën” (Furkan, 63), është për ta një zë i ngrohtë; shprehja tjetër, “Ata kundrejt besimtarëve janë të dhembshur e në përulësi” (Fet’h, 29), është si një fllad që del prej kraharorëve të tyre e pasqyrohet në sjelljet e tyre. Ndërsa urdhri: “Ata me njëri tjetrin janë shembuj të dhembshurisë e të mëshirës… kurdoherë i gjen të përkulur në ruku e të përulur në sexhde!” (Fet’h, 29) është për ta një titull lëvdues që ua kapërcen çdo perceptim.
Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!), gjithashtu thotë: “Allahu më ka urdhëruar që ju të jeni të thjeshtë e të përulur… dhe që askush të mos lëvdojë veten përballë askujt.” “A t’ju rrëfej për atë njeri që nuk do ta cenojë zjarri? Zjarri nuk i prek ata njerëz që janë pranë Allahut dhe pranë njerëzve, me natyrë të butë, që shkojnë mirë e bukur me gjithkënd.” “Atë që për hir të Allahut ul sytë përdhé, Allahu e ngre dhe e lartëson; në të vërtetë, ai e nënvlerëson vetveten, por në sytë e krijesave i madh është pikërisht ai.” “O Allahu im, bëmë të më duket vetja i vogël në sytë e mi!”
E në fakt, Ai gjithë jetën e kaloi duke qëndruar kurdoherë në këtë linjë:
- Shkonte pranë fëmijëve dhe i përshëndeste;
- Nëse dikush, kushdo qoftë, e zinte përdore dhe dëshironte ta merrte me vete diku, ai ngrihej pa ngurruar;
- U ndihmonte grave në punët e shtëpisë;
- Kur të gjithë merreshin me një punë, edhe Ai merrte pjesë dhe mundohej të punonte me të tjerët;
- Rregullonte këpucët, arnonte rrobat, milte dhinë, ushqente kafshët;
- Ulej në sofër bashkë me shërbëtorin;
- E mbante kuvendin gjithmonë të hapur edhe për të varfrit;
- Tregonte vëmendje e kujdes për vejushat dhe jetimët;
- Vizitonte të sëmurët, ishte i gatshëm për të qenë i pranishëm në raste vdekjesh dhe i përgjigjej ftesës së skllevërve.
Si përfundim, thjeshtësia, krahas të qenit porta kryesore e moralit hyjnor, është edhe mjeti parësor për të qenë pranë Krijuesit dhe pranë krijesave. Trëndafili përfundon në dhè… njeriu nuk u krijua në qiej, por në tokë. Besimtari, kur bashkon në sexhde këmbët dhe kryet në të njëjtën pikë, gjendet më pranë Allahut.