Thirrje për unitet

Në Kur’an, kur tregohet se si u janë drejtuar profetë të ndryshëm fiseve të veta, përdoret kjo shprehje: “O njerëz të mi! Allahun adhurojeni, se nuk keni zot tjetër përveç Tij!” (Kur’ani, Hud: 84). Kauza e çdo profeti me këtë të vërtetë fillon dhe me të i vihet pika.

Marrëveshja e njëzëshme në këtë pikë e këtyre personaliteteve të shquar, të ardhur në kohë e vende të ndryshme, si dhe fakti që kanë proklamuar gjithmonë të njëjtat të vërteta, nuk lë asnjë lëkundje e dyshim që ata nuk kanë kumtuar idetë dhe mendimet e veta, por mesazhet e marra nga Zoti i tyre. Eshtë e papranueshme mendërisht që të jenë unanimë për të njëjtën çështje njerëz me dhunti dhe aftësi krejt të ndryshme e që kanë jetuar në kohë dhe vende të ndryshme.

Ju bëheni dëshmitarë të faktit se midis ndjekësve të një shkolle, madje edhe midis bashkëkohësve, në çështje shumë të vogla e të thjeshta të një pjese rrymash filozofike ka shumë ndryshime dhe kontradikta. Ja, pra, ky kontradiksion në rrymat me burim mendimin njerëzor dhe polemikën si dhe ky unanimitet në sistemet e ofruara nga individë të zgjedhur me revelacionin hyjnor, tregon se të parat janë me burim subjektiv e iluziv, kurse të dytat janë të orientuara e të qëndrueshme, me një fizionomi përfundimtare.

Sigurisht, uniteti i fjalës te profetët dhe fakti që të gjithë ata kanë ardhur me të vërtetën e unitetit hyjnor, është, përsëri, një specifikë e atij institucioni. Eshtë për këtë arsye që i Dërguari i Allahut ka urdhëruar: “Fjala më e lartë dhe e virtytshme e thënë prej meje dhe prej të gjithë profetëve të ardhur para meje, është fjala që përmblidhet në këtë shprehje: “La ilahe illallahu vahdehu la sherike lehu”, “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut Një të Vetëm e të Pashoq!”

© URTËSI.AL

 

Postime të ngashme