Interpretimi i Sures Tekathur
Interpretimi i sures Tekathur
بسم الله الرحمن الرحيم
- أَلْهَاكُمُ التَّكَاثُرُ
- حَتَّى زُرْتُمُ الْمَقَابِرَ
- كَلاَّ سَوْفَ تَعْلَمُونَ
- ثُمَّ كَلاَّ سَوْفَ تَعْلَمُونَ
- كَلاَّ لَوْ تَعْلَمُونَ عِلْمَ الْيَقِينِ
- لَتَرَوُنَّ الْجَحِيمَ
- ثُمَّ لَتَرَوُنَّهَا عَيْنَ الْيَقِينِ
- ثُمَّ لَتُسْأَلُنَّ يَوْمَئِذٍ عَنِ النَّعِيمِ
Shqipërimi
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit
- Juve u preokupoi përpjekja për shumimin (e pasurisë, të fëmijëve, të pozitës)!
- Derisa t’i vizitoni varrezat (të bëheni banues të tyre, të vdisni).
- Jo, nuk është ashtu! Gjithsesi këtë do ta kuptoni më vonë!
- Përsëri jo, jeni gabim! Më vonë do ta kuptoni!
- Jo, jo! Mashtroheni, sikur ta dinit ju me dije të sigurt…
- Ju patjetër do ta shihni xhehenemin.
- Madje atë do ta shihni të bindur plotësisht.
- Pastaj në atë ditë do të pyeteni për mirësitë (e kësaj bote).
E zbritur në Meke, ka 8 ajete. Surja e ka marrë emrin nga ajeti i parë, ku, tregohet që përpjekja për të pasur sa shumë pasuri në këtë botë është e pakuptimtë dhe që, veprimi në këtë mënyrë e privon njeriun nga arritja e vlerave dhe principeve të larta për të cilat është krijuar.
Interpretimi (Tefsir)
أَلْهَاكُمُ التَّكَاثُرُ
- Juve u preokupoi përpjekja për shumimin (e pasurisë, të fëmijëve, të pozitës)![1]
Tekethur, ka kuptimin e përpjekjes për shumim, mburrjes dhe pretendimit. Mburrja mund të jetë me gjërat si në vijim: mburrje me fëmije, pasuri dhe post. Në ajet, nuk është përcaktuar se çfarë synon me tekathurr, dhe nuk është përcaktuar se kujt i drejtohet me elhekumu (ju preokupoi). Për rrjedhojë, kjo fjalë merr një kuptim shumë të gjerë ku futen: mjetet e qejfit e të argëtimit, shkaqet e fuqisë e të forcës, konkurrenca për të pasur sa më shumë pushtet e për ta ruajtur atë, si dhe mburrja me sukseset e arritura në këtë fushë. Në të njëjtën kohë, edhe ata që përfshihen në fjalën elhekum (ju preokupoi), nuk janë të kufizuar. Mund të jenë njerëz a popull të çdo lloj epoke apo kohe.
Pra, shumimi i ka preokupuar aq shumë njerëzit, saqë ata janë privuar nga gjëra më të rëndësishme. Ata ishin aq të dhënë pas rritjes së standardeve të jetesës, saqë e kishin marrë parasysh degradimin e nivelit njerëzor. Pasioni për të fituar sa më shumë pasuri, nuk u bën përshtypje se në ç’mënyre e fitojnë atë. Ata duan vetëm të fitojnë sa më shumë pasuri, kënaqësi trupore e më tepër mundësi. Ata rendin pas pasioneve të tyre pa e menduar përfundimin. Ata duan që të posedojnë fuqinë më të madhe e armët më të fuqishme. Shkurt, “tekathur” shumimi ka mënyra të pafundme që i tërheq njerëzit e popujt në vorbullën e tij. Tani më, në botën e tyre nuk ka vend për gjë tjetër veç përfitimit material dhe kënaqësive të kësaj bote.
Shkaku i zbritjes:
Sipas interpretuesve të Kuranit, fisi i Abd-i Menefit dhe fisi i Sehmit i krenoheshin njëri-tjetrit se cili prej ka më shumë fëmijë. Fëmijët e Abd-i Menefit ishin më të shumtë. Pas kësaj fisi i Sehmit kishte kërkuar që të numëronin edhe të vdekurit e tyre. Pas numërimit, doli që fisi i Sehmit ishte më i shumtë në numër. Pas kësaj ngjarjeje zbriti surja Tekathur. Sipas disa transmetimeve kishin shkuar edhe në varreza.
Transmetohet që Abdullah b. Shihir të ketë thënë: Ndërkohë që Profeti (alejhi selam) po këndonte suren Tekathur shkova pranë Tij. Ai (s.a.s) tha: “Bijtë e Ademit thonë pa pushim ‘pasuria ime! pasuria ime!’. O Bijtë e Ademit! A keni ju pasuri tjetër veç asaj që e hani dhe e mbaroni, apo asaj që vishni dhe e vjetroni, apo që e jepni sadaka dhe e vazhdoni?”[2]
Shprehja e Profetit (s.a.s) në këtë formë pasi këndoi suren tregon që, mburrja me shumin është mburrja për pasurinë.
Disa interpretues duke u bazuar në transmetimin e parë kanë thënë se, mburrja me shumim ka si kuptim mburrjen me shumicë numrash; ndërsa, disa interpretues të tjerë duke u bazuar në transmetimin e dytë kanë thënë se, mburrja me shumin ka si kuptim mburrjen me pasuri.
حَتَّى زُرْتُمُ الْمَقَابِرَ
- Derisa t’i vizitoni varrezat (të bëheni banues të tyre, të vdisni).
الْمَقَابِرَ Mekabir, shumësi i fjalës mekberr me kuptimin varrezë.
Rreth ajetit “Derisa t’i vizitoni varrezat (të bëheni banues të tyre, të vdisni)” ka tre interpretime të ndryshme:
I pari: Sipas transmetimeve rreth shkakut të zbritjes të përmendur më së pari: Juve ju preokupoi përpjekja për shumin aq shumë sa, ju privoi juve nga kryerja e veprave që të çojnë në bindjen ndaj Allahut (xh.sh) dhe afrimin me Të. Për më tepër, ju u përpoqët aq shumë sa që filluat të mburreshit edhe me të vdekurit tuaj. Përkundrazi, njerëzit që vizitojnë varrezat në vend që të mburren me të vdekurit e tyre duhet që të nxjerri mësim prej tyre e të zgjohen nga hutimi, të përgatiten për botën e pasme duke kryer vepra të mira dhe të ruhen prej zjarrit të xhehenemit. Sipas transmetimit të parë, numërimi i të vdekurve dhe mburrja me të vdekurit është figurative.
I dyti: Shumimi, pra pasioni dhe dashuria për pasuri, fëmijë, e për këtë botë ju preokupoi juve aq shumë e ju zhyti në neglizhencë derisa shkuat si të vdekur në varreza. Ose, deri sa ju erdhi vdekja, deri sa ju doli shpirti e shpërdoruat jetën tuaj në dëfrim dhe pasion, e harxhuat jetën tuaj në të kotë pa bërë asgjë me vlerë për botën tjetër. E më në fund ndërruat jetë, vdiqët dhe jeni gati për t’u varrosur. O ju që gjendeni në një hutim të tillë! Ju nuk do ta shpëtoni dot veten tuaj, do të shkoni në xhehenem. Kështu që, vizita në varreza tregon vdekjen.
I treti: Tirmidhiu, Ibn Xherir dhe Ibn Mundhir transmetojnë nga Aliu (r.a) të ketë thënë: “Ne dyshonim rreth dënimit në botën e varrit, derisa zbriti surja Tekathur.”[3]
Pra, حَتَّى زُرْتُمُ الْمَقَابِرَ ka kuptimin “derisa të shijoni dënimin në varreza”.
Ndërsa sipas Meududit: “Pra, ju e harxhoni jetën tuaj duke e shtuar pasurinë e fëmijët, dhe duke u mburrur për numrin e shumtë të njerëzve tuaj. Aq shumë sa, as në momentin e fundit të jetës suaj nuk shpëtoni dot nga kjo situatë.”
Sipas mendimit të parë, është e papëlqyeshme që të vizitohen varrezat për t’u mburrur me numrin e të vdekurve. Por, nga kjo nuk duhet arritur në përfundimin se është e papëlqyeshme vizita e varrezave në tërësi. Sepse, vizita në varreza për të kujtuar të vdekurit me mëshirë dhe për të kujtuar jetën e pasme (ahiretin) nuk është diçka e papëlqyeshme, përkundrazi është sunet. Ajo që qortohet është vizita që të bën të harrosh jetën e pasme (ahiretin). Ndërsa, vizita që të kujton jetën e pasme (ahiretin) është e pëlqyeshme. Profeti Muhamed (alejhi selam) e vizitonte varrezën Baki dhe thoshte:
السَّلامُ عَلَيكُمْ أَهْل الدِّيارِ مِنَ المُؤْمِنِينَ والمُسْلِمِينَ وَإِنَّا إِنْ شَاءَ اللَّهُ بِكُمْ لاَحِقُونَ ، أَسْأَلُ اللَّه لَنَا وَلَكُمُ العافِيَةَ
“Paqja qoftë mbi ju, O banorët besimtarë dhe myslimanë të varrezave. Kur të dojë Allahu edhe ne do të bashkohemi me ju. E lus Allahun për mëshirë për vete dhe për ju.”[4] Për më tepër ka thënë: “Unë më parë jua pata ndaluar ju vizitën në varreza. Tani më, mund t’i vizitoni varrezat, sepse kjo vizitë ju kujton juve jetën e pasme (ahiretin).”[5]
Në këto ajete qortohet konkurrimi i njerëzve me njëri-tjetrin për të shtuar pasurinë e fëmijët, dhe shpenzimi i jetës së tyre vetëm më këtë angazhim. Ndërsa, në ajetet në vijim, tregon që ata do ta shohin së shpejti që përgjegjësia e botës së pasme (ahiretit) është e vërtetë dhe atë ditë do të japin llogari për mirësitë që u janë dhënë.
كَلاَّ سَوْفَ تَعْلَمُونَ
- Jo, nuk është ashtu! Gjithsesi këtë do ta kuptoni më vonë!
Pra, ky është paralajmërim. O Njerëz! Nuk është ashtu, kini kujdes! Mos humbisni kohë duke u mburrur me shumim e shtim, mos harroni detyrën më të rëndësishme që keni në këtë botë fundi i së cilës varri, mos u shastisni me gjëra kalimtare e pa vlerë, e vërteta nuk është ashtu siç mendoni ju. Do ta mësoni së shpejti. Kur të shikoni përfundimin, do ta mësoni se në ç’hutim keni qenë dhe se sa fund të keq do të ketë gjendja në të cilën ndodheni.
ثُمَّ كَلاَّ سَوْفَ تَعْلَمُونَ
- Përsëri jo, jeni gabim! Më vonë do ta kuptoni!
Ky është paralajmërimi i dytë pas të parit. Qëllimi është që të tërheqë më shumë vëmendjen. Pra, kur t’ju vij juve vdekja dhe të shihni vuajtjet e dhimbjet e saj, do të shihni dënimin e mburrjes me pasuri e fëmijë. Ibn Abasi (r.a) thotë: كَلاَّ سَوْفَ تَعْلَمُونَ ka për qëllim “Do ta shihni dënimin që do t’ju vij në varr”, ndërsa ثُمَّ كَلاَّ سَوْفَ تَعْلَمُونَ ka për qëllim “Do ta shihni dënimin që t’ju vijë në botën e pasme (ahiret)”.
كَلاَّ لَوْ تَعْلَمُونَ عِلْمَ الْيَقِينِ
- Jo, jo! Mashtroheni, sikur ta dinit ju me dije të sigurt…
Jakin, ka kuptimin e dijes pa lënë asnjë gjurmë dyshimi. Sipas disa interpretuesve të Kuranit, el-jakin ka kuptimin vdekje, pra të dish vdekjen, të dish rreth vdekjes, sikur ta dinit dënimin që ju pret në fund. Sipas këtij kuptimi, dija e njerëzve rreth vdekjes është në tre nivele:
- Çdo njeri me mend, duke hetuar vdekjen e të tjerëve dhe duke bërë një krahasim të thjeshtë e kupton qartë që edhe ai do vdesë një ditë. Kjo është ilmul-jakin, dije e padyshimtë.
- Kur i afrohet vdekjes, shikon engjëjt me sy të lirë dhe e kupton që do të vdesë. Edhe kjo është ilmul-jakin, dije e padyshimtë.
- E kupton në çastin që vdes, e kjo quhet hakkal-jakin, dije e vërtetë.
Të gjithë interpretuesit janë të një mendjeje se, përgjigja e fjalës “leu” në ajet është fshirë. “Mashtroheni, sikur ta dinit ju me dije të sigurt…”, përgjigja këtu është fshirë për ta bërë situatën më drithëruese. Për rrjedhojë, bashkëbiseduesi e imagjinon vetë dënimin më të madh. Vetëm se, interpretuesit i kanë thënë disa përgjigje:
- Nëse do ta dinit me dije të sigurt, nuk do të vepronit ashtu, juve nuk do t’iu privonte shumimi i pasurisë.
- Është fshirë që mendjet të mendojnë çdo rast të mundshëm, dhe për ta shtuar frikën në nivelin më të lartë. Nëse do ta dinit çka ju pret para, çfarë nuk do të bënit. Pra, do të punonit aq shumë sa që është i pamundur përshkrimi i mundit që do të harxhonit. Por e dini, me mburrje e të painformuar shkoni në drejtim të gabuar, harxhoni kohë duke u mburrur me fitim e shumim.
Shumë mendojnë se kur thuhet dije, me atë kuptohen qëllime dhe synime të ulëta. E cilësojnë dhunti përdorimin e dijes për qëllime dhe synime të ulëta, po ashtu e cilësojnë edhe mburrjen me fjalë dhe shumim. Por kur e hulumton më gjerë, në këtë ajet ekziston një kërcënim shumë i madh për dijetarët. Sepse, ky ajet tregon që, sikur ta dinin ata që mburren me shumim e fitim, do të hiqnin dorë prej saj. Pra, do të thotë që, ata që mburren me shtim e fitim dhe nuk heqin dorë prej mburrjes, nuk e kanë përfituar dijen e vërtetë. Atëherë, mjerë ata, të cilët nuk e kuptojnë të vërtetën e dijes dhe e përdorin atë për keq, nuk e besojnë atë që dinë, nuk veprojnë ashtu si i shkon për shtat dijes së tyre dhe së bashku me këtë mbajnë titullin dijetar.
Kushti i parë dhe më i rëndësishmi i dijes është edhe qenia e saj stimuluesja më e madhe e veprave të mira. Nëse dija kihet parasysh gjatë kryerjes së punës, ajo bëhet shtysë, këshillues dhe udhërrëfyes për punën. Nëse dija merret parasysh pas kryerjes së punës, atëherë kthehet në pendim dhe trishtim. Trishtimi mund të ilustrohet me një shembull të tillë:
Një grup udhëtarësh po kalonte në një vend të errët. Gjatë ecjes në errësirë i kishin munduar disa gurë nëpër këmbë. Shumë prej tyre mendonin vetëm të kaloni sa më parë që të shpëtonin prej mundimit të gurëve. Ndërsa, një pjesë tjetër kishte marrë gurë në xhepat e në çantat e tyre. Kur dalin prej errësirës, shohin që ata gurë kishin qenë gurë të çmuar. Në atë moment, të dy grupet ishin trishtuar e penduar. Ata që kishin marrë gurë thanë: “Ah sikur të kishim marrë edhe më shumë.” Ndërsa, at që nuk kishin marrë fare thanë: “Ah sikur të kishim marrë edhe ne gurë.”
Kështu do të jetë edhe situata e njerëzve ditën e kiametit. Ata që kanë punuar do të mërziten: “Pse nuk punuam më tepër?”, ndërsa ata që nuk kanë punuar do të thonë: “Pse nuk punuam edhe ne?” Për këtë arsye, të rinjtë duhet të punojnë për të ndriçuar errësirën e jetës dhe të vdekjes me dije të padyshimtë, ata që kanë dije duhet të punojnë me sa kanë mundësi për gjërat që do t’u bëjnë dobi në botën tjetër. Nuk duhet të përpiqen për të fituar pasuri që do të mbesë në këtë botë, dhe nuk duhet të rendin pas kënaqësive të kësaj bote.
Të gjitha fitimet duhet t’i shpenzojnë në rrugë të drejtë dhe për të fituar botën tjetër, sepse, kjo botë nuk është vend dëfrimi, por, është vend përgatitjeje për botën e pasme (ahiret). Pa dyshim që, urën e Siratit në botën tjetër do ta kalojnë vetëm ata që janë të përgatitur.
لَتَرَوُنَّ الْجَحِيمَ
- Ju patjetër do ta shihni xhehenemin.
Xhehenemi, i cili në suren paraardhëse u përmend si “hauije” (gropë), zjarr i nxehtë narru- hamije.
ثُمَّ لَتَرَوُنَّهَا عَيْنَ الْيَقِينِ
- Madje atë do ta shihni të bindur plotësisht.
Në këto ajete pasi flitet me fjali të përsëritura se kjo botë nuk ka asnjë dobi, më pas flitet me fjali të përsëritura rreth dënimit në botën e pasme (ahiret).
ثُمَّ لَتُسْأَلُنَّ يَوْمَئِذٍ عَنِ النَّعِيمِ
- Pastaj në atë ditë do të pyeteni për mirësitë (e kësaj bote).
Naim, përfshin çdo mirësi që me të marrim kënaqësi. Këtu futet jeta, shëndeti, apo qoftë edhe një gllënjkë ujë i ftohtë.
Fjala thumme (pastaj) në ajet nuk ka kuptimin pasi të futen në xhehenem do të pyeten për mirësitë. Kuptimi i vërtetë është “Më pas po ju njoftojmë ju që, ju do të pyeteni për mirësitë që ju janë dhënë”. Kuptohet që kjo pyetje do të bëhet kur të zbatohet drejtësia hyjnore. Transmetohet që i Dërguari i Allahut (s.a.s) kur hante hurma dhe pinte ujë me shokët e tij thoshte:
“Falënderimet i takojnë Allahut që na ushqeu, na dha për të pirë dhe na bëri mysliman”.
Interpretuesit e Kuranit kanë thënë se ajeti i fundit i sures i drejtohet të gjithëve, qofshin këta mosbesimtar, besimtar, gjynahqar, apo të devotshëm dhe përfshin të gjitha llojet e mirësive. Dhe nuk ka dyshim që, sa më të mëdha të jenë mirësitë, po aq e madhe dhe e rëndë është edhe përgjegjësia.
Në transmetimin e Ibn Hibanit dhe Ibn Merdudit nga Ibn Abasi (r.a) thuhet: Profeti (s.a.s) dhe dy shokët e tij shkojnë për vizitë te shtëpia e Ebu Ejub Ensarit (r.a), gruaja e shtëpisë u thotë: “Paqja qoftë me Ty dhe me ata që janë pranë Teje, O i Dërguari i Allahut!” Në atë çast vjen Ebu Ejubi (r.a) dhe pret një vesh hurme. Profeti (s.a.s) i thotë: “Pse e preve këtë për ne, sikur t’i kishe mbledhur nga pema!”. Ebu Ejubi: “O i Dërguari Allahut, dëshirova që ju të hani nga hurmat e pjekura mirë dhe nga ato të papjekurat mirë.”
Pastaj theri një keç, gjysmën e tij e bëri qebap e gjysmën tjetër e poqi. Kur e solli pranë Profetit (s.a.s), Ai mori pak nga mishi dhe e vendosi në një petë, pastaj tha: “O Ebe Ejub! Dërgoja këtë Fatimes, se ajo ka ditë që nuk e ka provuar diçka të tillë.” Pasi hëngrën, Profeti (s.a.s) tha: “Bukë, mish, hurma, hurma të pjekura, e hurma të papjekura”, dhe nga sytë e bekuar i rrodhën lot, “Betohem për Allahun që e ka në dorë shpirtin tim, këto janë mirësitë që do të pyeteni.” Allahu i Lartë thotë ثُمَّ لَتُسْأَلُنَّ يَوْمَئِذٍ عَنِ النَّعِيمِ “Pastaj në atë ditë do të pyeteni për mirësitë (e kësaj bote)”. “Pra, këto janë mirësitë që do të pyeteni ditën e kiametit.” Shokëve të Tij iu duk pak e rëndë kjo situatë. Më pas Profeti (s.a.s) urdhëroi e tha:
الحمد الذي أشبعنا و أنعم علينا و أفضل
“Kur të rastisni diçka të tillë e ta prekni me dorë thoni ‘Me emrin e Allahut’, dhe kur të ngopeni thoni ‘Falënderimi i takon Allahut që na ngopi, në dhuroi mirësi e bereqet’ sepse, kjo mjafton për të.”[6]
[1] أَلْهىَ fjala elha, rrjedh prej fjalës لهو (prej formës if’al). Duke qenë se origjinali i fjalës “Leh’uun” është hutim, ilha ka kuptimin të argëtohesh, të preokupohesh me gjëra pa vlera e, të privohesh nga ajo që duhet të bësh në të vërtetë.
[2] Muslim, Zuhd 3, 4; Tirmidhi, Zuhd 31, Tefsiru Sure 102, 1; Nesai, Vesaza 1; Musned, II, 368, 412;
[3] Tirmidhi, Tefsiru Sure 102, 2.
[4] Muslim, Xhenaiz 103-104; Ebu Daud, Xhenaiz 79; Nesai, Xhenaiz 103; Ibn Maxhe, Xhenaiz 36; Zuhd 36; Musned, II, 300, 375, 408.
[5] Ibn Maxhe, Xhenaiz 47; Muslim, Xhenaiz 106; Ebu Daud, Xhenaiz 77.
[6] Sujuti, ed-Durrul-Menthurr, 8/615.