Sinqeriteti i një çasti është fitim i përjetësisë, por sinqeriteti është i vështirë

Sinqeriteti është një nga gradët shpirtërore më të larta që mund të arrijë njeriu. Flasim shpesh për sinqeritetin dhe ndonjëherë e marrim si të mirëqenë fitimin e kësaj cilësie, por në të vërtetë arritja e tij kërkon përpjekje të vazhdueshme. Njëri nga dijetarët e mëhershëm kishte pohuar: “Sinqeriteti i një çasti është fitim i përjetësisë, por sinqeriteti është tepër i vështirë.” Njëra prej veprave në të cilën ne duhet të ruajmë sinqeritetin, duke e realizuar atë sipas udhëzimeve të fesë, është edhe dhënia e lëmoshës. Kur njeriu ka vendosur të japë diçka për hir të Allahut dhe pasi është bindur për vërtetësinë e kauzës, ai duhet të japë aq sa mundet dhe shpërblimin ta presë vetëm prej Zotit. Nuk është e përshtatshme që lëmosha të përflitet dhe as që të kërkohet mirënjohje e të priten lëvdata pas saj. Të gjitha këto veçse e zhvlerësojnë atë që japim dhe ndonjëherë mund t’ia humbasin plotësisht shpërblimin.

Për të kuptuar qartë se si lidhet sinqeriteti me atë që japim dhe se si duhet të jetë sjellja e njeriut pasi ka dhënë diçka, do të tregojmë një hadith të Profetit Muhamed (a.s), në të cilin rrëfehet një ngjarje shumë interesante. “Njëri nga njerëzit e popujve të mëparshëm kishte vendosur të jepte sadaka. Ai kishte thënë: ‘Sot në mbrëmje do të jap sadaka!’ Doli atë mbrëmje dhe personit të parë që i doli në rrugë i dha lëmoshën e përcaktuar. Të nesërmen njerëzit po flisnin: ‘Mbrëmë i ishte dhënë sadaka një hajduti!’ Pasi e dëgjoi këtë tha: ‘Falënderimi i takon Allahut për hajdutin! Sot në mbrëmje do të jap sërish sadaka!’ Edhe atë natë kishte dalë dhe personit të parë i kishte vendosur në duar lëmoshën e përcaktuar. Të nesërmen njerëzit filluan të flisnin sërish: ‘Mbrëmë i ishte dhënë sadaka një gruaje imorale!’ Pasi e dëgjoi këtë tha: ‘Falënderimi i takon Allahut për gruan imorale! Sot në mbrëmje do të jap sërish sadaka!’ Doli sërish atë mbrëmje dhe personit të parë që i doli në rrugë i dha lëmoshën e përcaktuar. Të nesërmen njerëzit po flisnin: “Mbrëmë i ishte dhënë sadaka një pasaniku!’ Pasi e dëgjoi këtë tha: ‘Falënderimi i takon Allahut për pasanikun’!”

Cila ishte urtësia e marrjes së sadakasë nga tre grupe njerëzish, të cilët në dukje janë destinacion i gabuar i saj? Këtij njeriu iu zbulua kështu kjo urtësi: “Ndoshta hajduti me sadakanë që mori, atë mbrëmje do të mjaftohet me të dhe s’do të grabisë askënd. Ndoshta imoralja me sadakanë që mori, atë mbrëmje do të mjaftohet me të dhe s’do ta ndotë sërish nderin e saj. Ndoshta i pasuri me sadakanë që mori, do të reflektojë dhe do të fillojë edhe ai të japë nga ajo që Allahu i ka dhuruar.” (Buhariu dhe Mulimi)

Allahu i Lartësuar na drejtohet shpesh në Kuranin që të japim prej asaj që Ai na ka furnizuar, pa u frikësuar aspak prej varfërisë. Shejtani është ai që i frikëson njerëzit nga dhënia e lëmoshës në rrugën e Allahut, me pretekstin e varfërisë. Allahu i dhuron kujt të dojë pakufi. E gjithë pasuria e qiejve dhe e tokës i përket vetëm Atij! Ai është poseduesi i pasurisë dhe vepron si të dojë me pasurinë e Tij!

Postime të ngashme