Si duhet të jetë kuptimi ynë për vëllazërinë?
Pa i hyrë temës, kërkoj të tërheq vëmendjen për një specifikë:
Në përkushtimin ndaj Providencës Hyjnore të çdo gjëje, gjer te veprimet tona që i kemi pranuar si të vullnetshme ose të lira dhe të gjitha bëmat tona në emër të së mirës, është e domosdoshme të sillemi shumë të ndjeshëm. Në këtë subjekt, njeriu duhet ta bindë veten kundër nefsit, egos së tij. Duhet të jemi të matur, madje, edhe në pikat që në dukje ngjajnë si konkluzion i vetë lëvizjeve tona dhe duhet ta shpëtojmë veten nga të dhënit pjesë e egos, duke thënë: Jo, edhe këto i përkasin Atij. Se mos ngrihesh e ia kushton vetes! Çdo njeri që beson, duhet t’i shmanget çdo lloj politeizmi[1], madje, në këtë subjekt, është i detyruar të bëhet ziliqar. Në të vërtetë, Allahu i Madhëruar zemërohet kur dikush adhuron dikë tjetër veç Tij. Në praninë e tij, asnjeri nga veprimet e pakryera totalisht për Të, nuk kanë rëndësi e vlerë sa një krah mize. Që rëndësia dhe vlera e të gjitha shërbimeve të kryera të zënë vend në lartësinë e Allahut, nën çfarëdo vendi që të jenë bërë, duhen bërë kujdes principialiteti[2] si dhe marrja e miratimit të Tij. Kurse specifika e dytë ku duhet bërë kujdes, është që kuptimi që përmban pyetja, duhet të jetë i vazhdueshëm e i përhershëm, me cilësinë e diçkaje që jetohet…
Vëllazëria e nivelit të sakrifikimit për njëri-tjetrin, është një nga faktorët me ndikim më të madh në botën e jashtme. Krenimi me virtyte dhe meritat e tjetrit dhe pranimi i tyre sikur të ndodheshin tek vetja, do t’i lidhte fort me njëri-tjetrin individët e bashkësisë[3] dhe, duke nxitur shpirtin e vrullit brenda vetes së tyre, duke u fryrë zotësive dhe aftësive në gjendje shkëndijash, do t’i shndërronte ato në thëngjij të ndezur dhe do të bëhej shkak për zbritjen rrëke të mëshirës hyjnore. Zemrës dhe shpirtit të kësaj bashkësie të shndërruar në një trup të vetëm duke u bërë një me njëri-tjetrin përmes marrëveshjes dhe besëlidhjes, do t’i zgjatet dora e ndihmës dhe e sigurimit të fitores së Providencës Hyjnore, e cila do ta kthejë bashkësinë gjithmonë nga pozitivja, nga e bukura, nga ana e drejtë, për pasojë, mundësia e gënjimit të saj do të zbresë në nivelin më të ulët. Për shkak të nijeteve, qëllimeve të pastra, ndoshta rastet e gënjimit do t’u sjellin mirësi, bekim atyre. Por është e pamundur të thuhet e njëjta gjë për ata që, ndonëse janë në të njëjtën vijë, ndodhen të shkëputur nga njëri-tjetri. Sidomos po të nxirrnin krye shmangiet në vijë e, për pasojë, mospajtimet, do të hyhej në një rreth vicioz, dalja prej të cilit është e pamundur. Kurse hyrja në rreth vicioz, ashtu si njeriu që vrapon pasi i ka kthyer shpinën synimit të vet, në çdo hap që do të hedhë, do ta largojë ca më tepër nga qëllimi dhe synimi themelor.
Ata që i vunë shpatullat kësaj pune një kohë, qenë i Dërguari i Allahut dhe ithtarët pasues të tij[4]. Atëherë, po ta vlerësonin këtë çështje brenda parimit të proporcionalitetit kauzal[5], do të thoshim se ata që do t’ia vinin supet kësaj pune përsëri, duhet të zotëronin të njëjtën vetëdije dhe konstitucion. Mund të mos jetë e mundur të përsëritet qenia e tyre përsa i përket cilësisë, mirëpo ne nuk duhet të harrojmë që ndodhemi në situatën ku bëmat e tyre mund t’i përsërisnim vetëm në raport me sa do t’u ngjanim atyre. E njëjta situatë vlen edhe për vëllazërinë. Forma dhe mënyra e kuptimit të vëllazërisë tek ata, si dhe caqet e suksesit ku i çoi ky kuptim vëllazërie, do të mbeten edhe për ne parime dhe përfundime të pandryshuara.
Personalisht, e lexoj jetën e ithtarëve pasues qysh në vegjëli. Ndoshta pas një periudhe fillova edhe të flisja për ta. Mirëpo disa herë e shihja me habi dhe mahni tablonë e vëllazërisë që përfaqësonin dhe e vlerësoja si diçka të posaçme vetëm për ta si dhe një utopi, sepse praktikimi i saj në ditët e sotme ishte i pamundur. Më vonë shembuj të tillë që pashë tek disa shokë, më krijuan bindjen e plotë se një gjë e tillë mund të ripërjetohet. Madje, disa herë, çka shfaqnin këta shokë për njëri-tjetrin, shembujt e sakrifikimit për tjetrin, ushtruan një ndikim të tillë tek të tjerët, saqë një i jashtëm i ardhur pranë tyre, duke vëzhguar me mahnitje këtë vëllazëri, të thotë me një ton plot habi: Aman, o Zot! Ç’vëllazëri është kjo? Këtë e pata dëgjuar vetë personalisht dhe ende kjo shprehje me atë ton të ëmbël ruan freskinë e saj në kujtesën time. Natyrisht, kjo më gëzoi jashtë mase. Por është e pamundur që këtë heroizëm ta gjejmë të mjaftueshëm së bashku me pohimin dhe nënshtrimin. Në këtë subjekt duhet të jemi ndër ata që vërtiten në rrethin e urisë së pangopur. Sepse kjo vetëdije vëllazërie që mund të jetë e mjaftueshme për sot, nesër, përballë pengesave të mëdha ose të një relievi të përthyer që ka mundësi të na ngulen përpara, mund të mos jenë në madhësinë e duhur për të na bërë t’i kapërcejmë ato.
Lirimi i skllavit është një e përpjetë e vështirë[6] do të bënim një vlerësim në dimensione të gjera të skllavërisë që, me konceptin e sotëm konsiston në robërimin e njerëzve nga ana ideologjike dhe e sistemeve të ndryshme që zgjatet gjer te njerëzit e blerë, do të kuptohej më mirë, gjithsesi, se ç’pengesë, ç’ngjitje e vështirë e ç’majë është lirimi i robit, i skllavit.
Përkundër qenies vetë në vështirësi dhe shqetësim, parapëlqimi i vëllait në vend të egos vetjake, është, në vetvete, një lloj e përpjete e vështirë. T’i njohësh, t’u japësh përparësi vëllezërve edhe në ndjenjat e begative materiale e shpirtërore dhe të pranosh si detyrë tërheqjen pas për veten tënde, është një pengesë tjetër dhe një e përpjetë e vështirë para njeriut. Edhe kapërcimi i kësaj pengese kushtëzohet nga sjellja si sahabet, pasuesit. Si ai pasuesi që, për të ngopur vëllanë e tij, e fuste lugën bosh në gojë e, që të mos kuptohej kjo, e shuante qiriun duke e lënë dhomën në errësirë, që t’i linte të mahnitur edhe engjëjt në qiell para kësaj tabloje shpirtërisht të ndritshme. Dhe prapë si ai pasuesi që duke u përleshur me vdekjen në çastet e fundit, ujin e sjellë gjer te buzët e dridhura nga malli i një pike, do ta shtynte me orë duke i bërë shenjë njeriut që i kishte ardhur në ndihmë, për nga vëllai aty pranë tek po thoshte ujë! Ashtu që të bëhej shkak për revelacionin e mesazhit hyjnor: Megjithëse vetë janë nevojtarë, parapëlqejnë vëllain ndaj vetes…
Edhe ushqimi i jetimit është një e përpjetë e vështirë. Duke u zgjatur tutje me krahët e figuracionit, do të na dalin edhe sa e sa kuptime… sa e sa jetimë të një lloj vetmie të pasuar nga dukuria e privimit prej kulturës islame…, ja pra, përgatitja e çerdheve dhe e konvikteve për këta, kapja për dore dhe kërkimi i rrugëve për t’i nxjerrë në majën e përsosjes dhe ushqimi i tyre në kahjen e këtij qëllimi, është edhe kjo një e përjetë e vështirë dhe me majë më vete…
Objektivi që synova në këtë subjekt ku hymë, në pikëpamje të të qenit orientim vetëm për vështirësinë që mund të na ngulet përpara, është ky: Sot kemi një vëllazëri që mund të duket si e mjaftueshme. Mirëpo, përballë kushteve në vështirësim e sipër si dhe në raport me shërbimin që po përhapet e zgjerohet, kemi vazhdimisht nevojën e ndjenjës së një vëllazërie që rritet edhe më. Ndaj dhe kontributi ynë duhet të jetë përherë e më i madh dhe duhet të themi vazhdimisht: S’ka tjetër?
[1] Në origjinal: Shirk (arab.) Zotit
[2] Në origjinal: Ihlas, pastërtia, principialiteti i konceptit mbi Allahun.
[3] Në origjinal: Xhemaat.
[4] Në origjinal: As’habe.
[5] Në origjinal: Enasubu il’lije (arab.)
[6] Në origjinal: E përjetë, kalim i vështirë, hon, etj. Në të shumtën e rasteve përdoret me kuptimin e përpjetë e vështirë. Autori e përdor këtë fjalë duke vazhduar figuracionin e nisur pak më sipër me relievin e përthyer.