Shembulli i bukur i rrethit të parë pranë Profetit (s.a.s) dhe pasuesve të tyre. (2)

Tani me fjalët e mia do mundohem të tregoj disa shembuj se si këta njerëz besnikë në rrugën e Allahut zemrat e të cilëve janë në koherencë me zemrat e sahabëve, janë përballur me veten dhe nefsin e tyre. Fjalët e mia mund të paraqesin vetëm disa pika nga oqeani i paanë i veprave të tyre.

Si një nga frutat që rrezatojnë në pemën e familjes të së Dërguarit (s.a.s), Imam Zejnel Abidin (659-713) ishte një person i shquar i virtyteve sublime. Babai i tij ishte Hysejn (nipi i Profetit s.a.s) gjyshja e tij ishte Fatimja (vajza e Profetit s.a.s) dhe gjyshi i tij ishte Aliu (r.a), princi i kalorësisë dhe gjyshi i tij i madh ishte Profeti fisnik (s.a.s).

Zejnel Abidini ishte një njeri me fat i cili i hapi sytë drejt botës, në një mënyrë aq të ndritshme dhe kështu lulëzoi me ujin qiellor të jetës.

Ai e kishte shpirtin aq të vendosur në rrugën e Allahut sa nuk lejonte që mëkatet t’i kalonin as edhe në ëndërr. Kudo që ai hidhte sytë shihte pamje të rrethit të bekuar të Profetit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij). Zejnel Abidini vazhdoi të ngrihej në grada duke shpresuar që të ribashkohej sa më parë me, familjen e tij fisnike. Ai gjithmonë ishte i shoqëruar me ndjenja dhe mendime të tilla që të ishte sa me parë afër atij rrethi të bekuar. E megjithatë ai gjithmonë i përkushtohej Allahut duke harruar veten, aq sa gjendjen e tij Sejid Nigari e përshkruan kështu:

“A mundet që ai që kërkon të Dashurin, të kujdeset për shpirtin e tij dhe a mundet dikush që kërkon të jetojë vetëm për vete të shqetësohet për të Dashurin?”

Dhe kështu Zejnel Abidini vazhdoi të ishte gjithmonë në kërkim të Zotit duke mos i kthyer asnjëherë sytë nga kjo botë, sepse ai ishte gjithmonë në ekspozimin e Rrethit të ndritur, me sytë e zemrës dhe shpirtit të tij. Zemra e tij do të rrihte me ngazëllim për të qenë një ditë nën dritën e Rrethit të tij dhe kështu ai do të jetonte gjatë gjithë jetës me një dëshirë të zjarrtë për t’i shërbyer Zotit.

Ndër lutjet e tij të bëra vazhdimisht janë edhe lutjet e mëposhtme, të cilat ne duam me doemos t’i ndajmë me ju. Këto lutje po i përcjellim me kuptimin e tyre sesa me formulimin e tyre të saktë. Më tepër sesa ato që ai thoshte ne do të përcjellim klithmat e tij të përzemërta me fraza të shkurtra. Duke shpresuar që rënkimet e tij të brendshme të kuptohen sa më parë nga ne dhe të tjerët si ne.

“O Zot, mëkatet që kam bërë kanë hedhur një mantel mashtrimi në shpirtin tim, duke qëndruar larg nga Ti! (Vallë a ka qëndruar ndonjëherë larg Zotit ky personalitet i lartë?) Unë e kam gjetur veten time të varfër. Gabimet e mëdha që kam bërë (në asnjë mënyrë, njëqind mijë herë jo!) më kanë errësuar zemrën. Unë kërkoj strehim tek Ti, Zoti im i Plotfuqishëm, i Dashuri im dhe i vetmi prej të cilit kërkoj. Të lutem, pranoje pendimin tim tani që erdha në derën Tënde dhe më beko më një ringjallje të freskët, ashtu siç ringjallen shpirtrat pas vdekjes (nëse as ti nuk je i gjallë, atëherë si duhet të vajtojnë ato “kufomat që ecin” te pafat si unë?) Betohem që nuk kam adhuruar askënd përveç Teje o Zot dhe vetëm prej Teje e pres faljen! Nëse Ti nuk e pranon këtë rob Tëndin, cilës derë mund t’i drejtohem dhe prej kujt mund të kërkoj strehim? Nëse më dëbon nga dera jote, do të jem i mposhtur dhe i turpëruar!”

O imam Abedini, ne kemi studiuar jetën tuaj dhe të të tjerëve si ju në këndvështrimin e jetës së Profetit (s.a.s) dhe kemi arritur t’ju njohim si njerëz të përulur dhe me lutje të përzemërta. Nëse shkaku i vajtimit tuaj është një mjegull e hollë që ju kalon ndonjëherë në ëndërr, nëse ky është faktori që shkakton rënkimet tuaja, sa me fat që jeni! Dhe sa të pafytyrë janë fatëkeqët e kohës sonë, si unë që jetoj tërë jetën në atë mjegull dhe tym!

Zejnel Abidinit nuk i mjaftojnë lutjet e tij të mësipërme, por më poshtë ai hap një faqe tjetër të vajtimeve të tij:

“O Zoti im i Lartësuar, që fal mëkatet më të mëdha dhe përqafon zemrat e dëmtuara me dhembshuri! Të lutem të më falësh mëkatet dhe gabimet e mia të turpshme dhe të falësh këtë rob Tëndin, në atmosferën e ngrohtë të faljes Tënde, së bashku me ata që i shpëtove me pastërtinë dhe mëshirën Tënde.”

Unë  shpresoj shumë që të gjendet qoftë edhe një e njëqindta e këtyre thirrjeve në shpirtrat e atyre që e kalojnë gjithë jetën e tyre të mbyllur në adhurime, në jetën e atyre që gjenden mes mosbesimit dhe përhapin besimin me shkollat fetare dhe në jetën e atyre të ashtëquajtur besimtarë, besimi i të cilëve nuk është gjë tjetër veçse imtim dhe jeta e të cilëve kalon duke thënë; Unë bëra këtë e Unë bëra atë!

Zejnel Abidini vazhdon t’i lutet Zotit të tij më tej. Dëshirat e tij tani arrijnë kulmin:

“Nëse pendimi dhe pendesa janë emrat për një kërkim falje të sinqertë, unë betohem një mijë herë që jam penduar për gjithçka që kam kryer! Nëse të kërkosh falje nga Ti, o Zot, është një mënyrë për t’u liruar nga gabimet, unë qaj dhe pendohem sinqerisht dhe dua që Ti ta falësh këtë rob Tëndin të dobët!”

Me respektin tim të plotë ndaj tij, unë po kaloj disa nga lutjet e tij të përzemërta të psherëtimit dhe të vajtimit dhe po vijoj te kjo:

“O Zot, Ti je Ai që ke hapur gjerësisht portat e pendimit të sinqertë për robërit e Tu dhe na ke gëzuar ne me lajmin (ajetin) e mëposhtëm : O ju që keni besuar, pendohuni te Allahu me një pendim të sinqertë, në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat …(66;8)

Dhe në këtë mënyrë Ti na thërret në portën e unitetit Tënd. Ata që kthehen të penduar në derën Tënde, do të gjejnë atë që kërkojnë, si rezultat i Mëshirës Tënde. Gabimet dhe mëkatet janë bërë për njerëzit, por nuk ka dyshim që Ti je Madhështor në falje.

Le të shtojmë edhe këtë:

“Na dhuro, o Sovrani Im, mos i privo njerëzit e varfër nga dhuratat e Tua. A mundet për një Dhurues të Madh siç je Ti, që të privojë robërit e Tij nga dhuratat?!”

Shpirtrat rrezatues për rrugën e drejtë, gjithmonë e kanë kërkuar atë në esencën e lutjes. Nëse kjo nuk do të jetë mosrespektim ndaj Zotit të Plotfuqishëm edhe unë mendoj njësoj si ata…

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: