Roli edukues i xhehenemit për njerëzit e xhehenemit
Xhehenemi është një ndëshkim, ndëshkimi i akteve të këqija. Atje do të vuhet dënimi i punëve të këqija të bëra këtu. Po qe se këtu besimtari nuk e ka fituar dot cilësinë e posaçme për të hyrë në xhenet duke pranuar të kryejë disa detyrime, këto do t’i plotësojë. Kurse personat që i kanë humbur në mohim të gjitha dhuntitë dhe mundësitë, nuk do të kenë gjë për në xhenet, tek ta nuk do të jetë formuar asnjë produkt që t’i përkasë xhenetit. Kështu, Profeti thotë: “Ai që ka besim sa grimca, hyn në xhenet!” Sepse tek ai gjendet një element i tillë i rëndësishëm dhe jetësor që, duke u tharmuar, mund ta sjellë personin në gjendje të merituar për të hyrë në xhenet.
Kjo do të thotë se ata që nuk e kanë plotësuar dot ecurinë këtu, nuk e kanë përfunduar dot harkun, nuk i kanë bërë dot miraxhet që këtu, do të vihen në një ecuri ndëshkimi e torturash duke filluar që nga varri. Ndërkaq, disa vetë do t’i përfundojnë llogaritë në varr. Për shembull, disa miq të Zotit që u kanë hyrë në ëndrra disa vetëve, u kanë thënë: “Vuajtëm gjashtë muaj dhe mbaroi!” Natyrisht, nëse ëndrra është e vërtetë, synimi është llogaria e engjëjve të mëdhenj. Kurse disa të tjerë do të shpëtojnë nga përpjekja e varrit dhe vuajtja e llogaridhënies dhe e peshores. Puna e disa të tjerëve do të vazhdojë gjer në ringjallje dhe grumbullimin e njerëzve. Ata ose do të merren në pyetje e do t’u kërkohet llogari, ose nuk do të merren. Pastaj, Allahu na ruajttë, disa të tjerë do të futen në xhehenem, ku do të përpiqen t’i kompensojnë aktet që kanë bërë këtu. Allahu do t’i vërë në punë, pastaj do t’i nxjerrë që atje dhe, të përmendur si njerëz të xhehenemit, ata do të hyjnë në xhenet. Kjo do të thotë se ata e kanë fituar cilësinë e duhur dhe natyra e tyre e ka rifituar origjinalitetin. Si përfundim, do të rifitojnë pastërtinë me të cilën patër ardhur në botë dhe Allahu do t’i marrë nga xhehenemi e do t’i çojë në xhenet…