Rëndësia e nijetit në fenë Islame

“Veprat vlerësohen sipas nijetit (qëllimit) dhe çdo njeriut i takon ajo që ka për nijet”.[1]

Njeriu është krijuar në formën më të bukur nga Zoti dhe si i tillë, kërkohet prej tij që punët ti ketë të bukura me nijet të patër dhe në përputhje me kënaqësinë e Zotit. Për të arritur këtë, fillimisht duhet një përkushtim dhe nijet i pastër, pastaj purifikimi nga çdo interes vetjak dhe dëshira materiale, duke u ngjitur gjithmonë pas idealeve të larta morale e shpirtërore.

Nijet do të thotë qëllim, vetëdije dhe vendosmëri. Nijeti që e drejton njeriun në një punë ose veprimtari praktike, patjetër që në përfundim mund të bëhet edhe shpëtuesi i tij. Nijeti është shpirti i veprës dhe veprat pa nijet quhen të vdekura. Që vepra të ketë vlerë, varet nga nijeti nëse bëhet për hir të Allahut. Hixhreti pa një nijet të tillë është një shëtitje turistike, xhihadi është dhunë e padrejtësi, haxhi është një udhëtim mashtrues, namazi është fizkulturë dhe agjërimi dietë ose perhiz. Shndërrimi i këtyre adhurimeve për njeriun në fitimin e kënaqësisë së Zotit, mund të bëhet vetën nëse ato prihen nga nijeti për adhurim.

Në një hadith Profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Nijeti i besimtarit është më i dobishëm sesa vepra e tij”[2]. Sepse sado që të përpiqet, njeriu nuk mundet ta arrijë veprën e menduar në nijetin e tij. Është mëshira e gjërë e Zotit që më shumë se për veprën e kryer, njeriu trajtohet për nijetin në brendësi të tij. Për rrjedhojë, sigurisht që ato që i ka përftuar nijeti njeriut, janë shumë më tepër se ato që i ka përftuar akti apo vepra e tij. Ja, në këtë aspekt nijeti i besimtarit është më i dobishëm se sa vepra e tij.

Në sajë të nijetit, njeriu mund të shtjerë në dorë gjëra shumë të mëdha e shumë të vlefshme me një përpjekje të vogël dhe me shpenzime shumë të pakta. Nijeti është një eliksir i bukur e enigmatik, që e shndërron të mirën në të keqe dhe të keqen në të mirë. Lidhur me këtë Profeti ynë thotë: “Kush do që të bëjë një të mirë e nuk e bën, Allahu i Lartësuar i shkruan një të mirë (sevap) të plotë. Por kur do që ta bëjë atë dhe e bën, Allahu atij do t’ia shkruajë dhjetë deri në shtatëqind e më shumë të mira. E nëse ka dashur të bëjë një të keqe, por nuk e ka bërë, Allahu i shkruan atij një të mirë të plotë. Nëse ka dashur ta bëjë atë (të keqe) dhe e bën, Allahu atij do t’i shkruajë një të keqe”[3] .

Çfarëdo veprimi që ndërmerret për hir të Zotit, nuk mund të ndahet në sasira të vogla apo të mëdha, të vlefshme apo të pavlefshme. Sa gjëra të vogla në dukje ka, që në sajë të nijetit rriten e fitojnë përmasa; kokrra bëhet kalli dhe pika e ujit, det. Dhe ç’energji e ç’favore në përmasat e një mali, shumë herë mbeten shterpë, thjesht si pasojë e një nijeti të ligë. Një veprim i vogël sa një atom që kryhet me nijet për kënaqësinë e Zotit, zmadhohet e bëhet shumë e shtrenjtë tek Krijuesi ynë. Një gram nga veprat e mira që kryhet me nijet, është më e preferueshme se sa një ton nga veprat që kryhen pa nijet. Shprehitë dhe zakonet e njeriut marrin vlerën e adhurimeve sipas nijetit. Për një njeri që bie të flejë me nijetin e adhurimit, edhe frymëmarjet në gjumë madje, marrin vlerën e zikrit, përmendjes së Zotit. Fundja, po të mos ishte kështu, si mund të fitohej xheneti në një kohë kaq të shkurtër, me kaq pak vepra?!

Në Musnedin e Ebu Ja’lës tregohet se i dërguari i Allahut ka thënë: “Ditën e kijametit, Allahu i Madhëruar do t’u thotë engjëjve që regjistronin veprat e njerëzve: Shkruajini robit tim kaq e kaq shpërblim. Engjëjt thonë: O Zoti ynë, ne nuk e kemi regjistruar këtë punë në librin e tij?! Ndërsa Allahu u përgjigjet: Ai e kishte ndërmend ta bënte”[4] . Në një hadith tjetër të transmetuar nga Ebu Hurejre thuhet se ditën e kijametit, njeriu merr një libër nga e djathta. Aty lexon se ai ka bërë haxh, xhihad, ka dhënë sadaka, të cilat në të vërtetë nuk i kishte kryer, prandaj thotë: “O Zot! Ky nuk është libri im, sepse unë nuk kam bërë asnjë prej këtyre punëve! Ndërsa Allahu i Madhëruar përgjigjet: Ky është libri yt, sepse ti jetove gjatë pa bërë asgjë nga këto, por duke thënë: Sikur të kisha para do të shkoja në haxh dhe do të jepja sadaka. Unë e dija që ti ishe i sinqertë dhe të dhashë shpërblimin e plotë të këtyre punëve”[5].

Si përfundim, mund të themi se nijeti është gjithcka në jetën e besimtarit. Ashtu siç është ai që u jep gjallëri veprimtarive të vdekura të individit, është prapë ai që e shndërron tërë jetën e një bote të kufizuar. Është ky nijet që hap të gjitha dyert e dritaret që shohin drejt lumturisë së amshuar, ashtu siç është po ai që përgatit fatkeqësinë e amshuar dhe humbjen e përjetëshme.

 

[1] Buhari, Muslim

[2] Taberani

[3] Buhari, Muslim

[4] Darekutni

[5] Ahmed

Postime të ngashme