Pse dituria?

Muadh b. Xhebeli (r.a) ka thënë: “Mësojeni diturinë, sepse mësimi i saj është vepër e mirë, kërkimi për të është ibadet, kurse përsëritja e saj është lëvdim i Allahut. Hulumtimi dhe gjurmimi shkencor është përpjekje në rrugën e Allahut. Të mësosh të paditurin është sadaka, e t’ia përcjellësh diturinë atij që e meriton është mjet me të cilin i afrohesh Allahut. A thua, vallë, nuk është dituria rrugë për të fituar vendbanimin në Xhenet? A thua me dituri nuk thyhet monotonia dhe vetmia? A nuk është dituria shok në vend të huaj, bashkëbisedues në vetmi, a nuk e tregon kjo lumturinë dhe a nuk e çon drejt saj dhe a thua nuk ndihmon në durimin dhe tejkalimin e fatkeqësisë? A thua, vallë, nuk e ngre kjo autoritetin te shoku dhe a s’është armë kundër armikut?

Allahu për shkak të diturisë i lartëson njerëzit, i bën prijës dhe i bën shembull për të mirë. Çdonjëri mundohet të ndjekë dhe të pasojë shembullin e tyre, t’i imitojë veprimet e tyre. Melekët i vizitojnë në dhomat e tyre, i përkëdhelin me flatrat e tyre dhe luten e kërkojnë falje për mëkatet e tyre çdo gjë që ekziston, e thatë dhe e njomë, peshqit në dete, kafshët e buta dhe të egra në tokë dhe të gjithë shpezët. E gjitha kjo bëhet sepse dituria është ajo që e ngjall zemrën dhe e liron prej paditurisë; ajo i jep dritë pamjes dhe e liron prej errësirës. Ajo i jep edhe fuqi trupit pas dobësimit.

Njeriu me diturinë e vet i arrin shkallët e personaliteteve më të shquara dhe pozitat më të larta, edhe në dynja edhe në ahiret. Meditimi rreth çështjeve shkencore është i barabartë me agjërimin, e diskutimi shkencor është i barabartë me ibadetin e natës. Me dituri mbahen lidhjet familjare, me të dallohen e lejuara dhe e ndaluara. Dituria është prijësi, e jetësimi është ndjekësi. Fatlumë janë ata të cilët janë të frymëzuar me dituri dhe më kërkim të diturisë, e ajo u është privuar të pafatëve.”

Postime të ngashme