Profeti Salih (s.a.) dhe populli ku ai u dërgua

Vitet rrodhën sërish, koha kaloi. Plot njerëz lindën, të tjerët vdiqën. Pas popullit të zhdukur Ad, historia shënon popullin Themud. Në skenë luhej sërish e njëjta lojë. E njëjta tragjedi.

Edhe Themudët ishin një popull që kishte harruar rrugën e Zotit e i ishte kthyer idhujtarisë. Zoti (xh.sh.) zgjodhi njërin nga ata për t’u kujtuar rrugën e drejtë, Salihun, e bëri profetin e tyre dhe ai, si çdo profet, përsëriti fjalët që do zgjonin mendjet e njerëzve, do u kujtonin rrugën e drejtë dhe besimin:
“O populli im! Adhuroni Zotin! Nuk ka perëndi tjetër veç Tij.”
Fjalë të njëjta, që nuk ndryshuan që nga i pari i Profetëve deri te i fundit. Sepse nuk ndryshonte asnjëherë e vërteta që ata përmblidhnin. E vërteta Absolute.
Fjalët e Salihut (a.s.) tronditën thellë parinë e vendit. ai kërkonte prej tyre të braktisnin idhujt, që për ta ishin gjithçka e të ktheheshin të adhuronin një Zot të vetëm. Kjo ide ra si tërmet në shoqërinë e tyre. Sepse profeti Salih (a.s.) njihej nga të gjithë si njeri i pastër, i besuar dhe shumë i ditur. Edhe para se t’i vinte shpallja nga Zoti, pra, para se të ishte profet, atë e donin, e besonin dhe e respektonin të gjithë.
Por disa prej tyre, kur dëgjuan fjalët e Salihut, iu kthyen:
– O Salih, ti ishe një njeri që të donim shumë. Kishim shumë shpresa nga ti. Po ty ç’të gjeti kështu? A kërkon prej nesh të braktisim zotat e të parëve tanë? Cili është qëllimi yt i vërtetë? Këto punët tuaja, si shumë të ngatërruara ngjajnë! Tashmë ti nuk je person i besuar për ne.
Njerëzit e vet nuk po i besonin më. Çdo fjalë të tijën e prisnin me dyshim. Kërkonin patjetër të gjenin shkak konkret për ta nxjerrë gënjeshtar.
Por kur e kuptuan se as me mençuri e as me logjikë nuk ia hidhnin dot Salihut, nisën të thurnin intriga. Gjithmonë injoranca e mohimit këto armë përdor për të hedhur baltë mbi dritën e besimit.
Sapo disa njerëz e besuan profetin Salih (a.s.) dhe vendosën ta ndjekin në rrugën e tij, jobesimtarët vendosën të hidheshin në lëvizje menjëherë. Së pari e quajtën të çmendur. Ndershëm nuk e mundnin dot. Qëllimi i tyre ishte ta ulnin para njerëzve, që të mos gjente pasardhës. Mos të kishte ndihmë. Pastaj me një njeri të humbur në sy të shoqërisë mund të bënin ç’të donin. Askush nuk do t’i pengonte.
Por ç’e do që, bota e dinte se në atë kohë nuk rronte ndonjë më i mençur e më i kthjellët se profeti Salih. Duhet të gjenin një armë tjetër. Prandaj thanë se është magjistar. Sepse kishte një fuqi të jashtëzakonshme, të padukshme dhe të pashpjegueshme për të ndryshuar njerëzit. Ata që rrinin me të, brenda një periudhe fare të shkurtër hiqnin dorë nga veset e gënjeshtrat, ktheheshin në rrugë të drejtë e, nga mizorë e të pashpirt, bëheshin të dashur, zemërbutë e ndihmës të njerëzve. E gjithë këto ndryshime veç me magji mund të bëheshin.
Por ja që ai nuk ishte as i çmendur, as magjistar. Ishte profet. Patjetër që profetët janë më të mirët, më të zgjuarit e shoqërisë njerëzore. Më të mrekullueshmit. Ata që i rrinin pranë e kuptonin ç’do të thotë të rrish me një njeri të vërtetë, të virtytshëm. Edhe vështrimi i tyre ndryshonte kur shihnin sytë e profetit. Lumturoheshin me zërin e tij, si të kishin dëgjuar zëra nga xheneti.
Populli i Themudit nuk po gjente një mënyrë tjetër për ta mundur dhe për ta poshtëruar Salihun. Kërkonin t’ia arrinin qëllimit me çdo kusht. Ndaj vendosën të kërkonin prej tij gjëra të pamundura, të jashtëzakonshme. Ja, përderisa e kishte dërguar Zoti, pushteti i të Cilit përfshinte gjithçka, ishte mëse normale që ai t’u tregonte atyre mrekulli. Një grup prej tyre shkuan pranë profetit dhe i thanë:
– O Salih, po të jesh vërtet një i Dërguar i Zotit, atëherë na trego ndonjë mrekulli, ndonjë gjë të jashtëzakonshme që as është parë e as është dëgjuar.
Edhe populli i Themudit, ashtu si ai i Adit, vinte i fortë e i bukur. Kishin një qytetërim shumë të zhvilluar. Veçoria e tyre më interesante ishte se dinin të gdhendnin shumë bukur shkëmbinjtë. Edhe banesat e tyre ishin të gdhendura me shumë mjeshtëri nëpër shkëmbinjtë e maleve. Punonin me mjeshtëri të madhe çdo lloj guri e shkëmbi. Nga duart e tyre ata merrnin forma nga më të ndryshmet dhe në botë nuk kishte një tjetër popull që mund të matej me ta për këtë.
Pra, donin mrekulli. Dhe Zoti (xh.sh.) do ua tregonte atyre këtë mrekulli! Një mrekulli pikërisht nga ata gurët e shkëmbinjtë që aq mirë i njihnin e aq mirë i punonin. Profeti Salih u priu atyre drejt faqes së një mali. Para ecte profeti, nga pas e ndiqnin njerëzit, shumica nga të cilët nuk e besonin aspak. Profeti Salih (a.s.) iu tregoi atyre një shkëmb të stërmadh.
– A deshët një mrekulli? Ja ku e keni!
Secili ktheu kokën nga shkëmbi që tregoi profeti. Papritur shkëmbi u lëkund dhe nisi të luante nga vendi. Pas pak, në sy të të gjithëve, shkëmbi u kthye në një deve të madhe. Dhe nisi të ecë.
Nga çudia kishin ngelur të topitur. Ajo që kishin përballë ishte një deve e gjallë, prej vërteti. Kishte kohë që ata punonin gurin, e skalitnin atë duke i dhënë lloj-lloj formash, kushedi sa herë kishin skalitur edhe statuja njerëzish dhe kafshësh. Por kjo ishte e gjallë. Nuk ishte prej guri. Ja, kjo ishte mrekullia! Ajo që tejkalonte fuqinë e mundësinë e njeriut, ajo që mund ta bëjë vetëm Zoti (xh.sh.). Dhe ky ishte ndryshimi mes artit të njeriut dhe artit të Krijuesit. Artisti vërtet që prodhon forma nga më të ndryshme të atyre që sheh në natyrë. Por Krijuesi është Ai që i krijon së pari këto forma dhe ç’është më e mrekullueshmja, u jep atyre jetë. Sa i madh, sa i mrekullueshëm është arti i Krijuesit, Artistit të vërtetë!
Zemërimi dhe inati u vlonte përbrenda, urrejtja iu shtua edhe më shumë. Por aty nuk kishin çfarë të thoshin. Sepse me leje të Zotit, Salihu e kishte plotësuar kërkesën e tyre, ua kishte sjellë mrekullinë para syve.
Profeti Salih (a.s.) u sqaroi atyre se ajo ishte deveja e Zotit dhe askush nuk duhej ta ngacmonte e as t’i bënte dëm. Përndryshe do dënoheshin me një dënim tepër të rëndë.
Ajo deve e bekuar nuk ishte e mrekullueshme vetëm nga mënyra se si ishte krijuar. Ajo ishte e tëra mrekulli. Para gjithçkaje, ishte shumë e bukur. Vinte e bëshme dhe shumë e zgjuar. Kush e shihte, mrekullohej pas saj. Edhe të ushqyerit e kishte ndryshe prej kafshëve të tjera. Brenda një dite shkonte në gjithë çezmat, puset e shatërvanët e qytetit dhe e pinte gjithë ujin. Po, po, për një ditë e mbaronte gjithë ujin e qytetit. Prandaj dhe profeti Salih e kishte ndarë radhën e ujit. Një ditë do pinte “deveja e mrekullueshme”, një ditë kafshët e tjera.
Por kur vinte darka e ditës që deveja ngopej me ujë, qumështi që jepte ajo, i mjaftonte gjithë qytetit. Kjo ishte një tjetër mrekulli. Brenda një dite ajo jepte më shumë qumësht nga ç’jepnin të gjitha kafshët e tjera bashkë. Gjithë qyteti kishte nisur të ushqehej me qumështin e devesë. Aq më tepër që qumështi kishte një shije të mrekullueshme. Edhe djathi e gjalpi bëhej shumë i mirë.
Ishte një kafshë shumë e urtë. Nuk dëmtonte askënd. E vetme dilte nëpër kopshte e kulloste. Kur e shikonin këtë kafshë kaq të ndryshme, njerëzit e Themudit mahniteshin. Vërtet që ajo ishte një mrekulli. Ishte burim begatie për të gjithë. Qumështi i saj mjaftonte për mijëra njerëz, të rritur e fëmijë.
Deveja e profetit Salih jetoi bashkë me njerëzit e Themudit. Ajo kafshë e qetë që shëtiste ndër livadhe pa i bërë dëm askujt, ishte faktuesi konkret i fjalëve të drejta të Salihut (a.s.). Për sa kohë ajo kafshë të jetonte mes tyre, ishte e pamundur ta përgënjeshtronin Salihun dhe të ndalonin popullin ta ndiqte pas.
Ishte e qartë si drita e diellit. Ajo deve duhej vrarë.

Dhe ata njerëz që ia kishin shitur shpirtin shejtanit me kohë, u mblodhën për të bërë plane të ndyra dhe për të kërkuar mundësitë për t’i vënë në jetë.
Nuk e duronin dot atë mrekulli hyjnore. Prandaj vendosën ta zhduknin. Ah, sikur ta dinin se po shkatërronin vetveten.
Paria e Themudit nuk flinte, të mbledhur në një kështjellë të punuar në zemër të një shkëmbi në një majë të lartë, përgatisnin planet e tyre tradhtare. Krimet që nuk kishin guxim t’i ndërmerrnin ditën, do t’i realizonin natën. Se kujtonin se do i mbulonte terri i natës e nuk do i shihte dot askush. Sa cekët që mendonin! Harronin se Zoti, i Gjithëpushtetshmi, do i shihte kudo të fshiheshin.
– Kur fillon vapa, deveja vjen te hijet në livadh. Mandej kafshët tona tremben e ikin, dalin në diell e sëmuren. Po na merr në qafë ajo deve! – tha njëri prej tyre.
– Edhe në dimër zgjedh vendet më të ngrohta! Kafshët tona pastaj ftohen e sëmuren. Si do ta zgjidhim këtë punë?
Ishin mbledhur për të formuar çetën e sherrit. Zemrat i kishin më të zeza se terri i natës. Sidomos kryetari i tyre… Ishte njeri shumë i mbrapshtë. Sikur ishte vëlla me shejtanin. U ngrit në këmbë dhe me zë të vendosur, tha:
– Kjo punë ka veç një zgjidhje…
Të gjithë panë njëri-tjetrin.
– Të vrasim devenë! – tha kapoja.
Njëri nga grupi tha:
– A keni harruar? Salihu na ka porositur njëqind herë të mos e prekim atë deve.
– Salihu? Ai s’është, veç një gënjeshtar… Kush e beson atë? Ajo deve duhet vrarë me çdo kusht!
Plani për të zhdukur devenë ishte gati. Zgjodhën mes tyre një ekip me nëntë vetë. Këta ishin kriminelët më të regjur të atyre anëve. Mizorë dhe të frikshëm sa s’ka. Të pashpirt dhe të pamëshirshëm, të famshëm për dhunë e terror. Duke përfituar nga errësira, së bashku do sulmonin devenë, pastaj lideri i tyre do ta vriste. Të gjithë ishin gati dhe së bashku nisën të prisnin orën e caktuar për planin.
Arritën te streha ku deveja me të voglin po flinin. Sapo e panë devenë, kriminelëve i nxorën sytë xixa nga urrejtja dhe të gjithë bashkë iu hodhën sipër. Deveja dhe i vogli i saj u zgjuan të tmerruar, por nuk kishte rrugë shpëtimi. Ato duar mëkatare e goditën devenë e shenjtë dhe të voglin e saj pa mëshirë. Bari i gjelbër u skuq nga gjaku dhe deveja me të voglin ranë pa jetë.
Kur e mori vesh ç’kishte ndodhur, profetit Salih iu bë zemra copë. Me një seriozitet të paparë më parë në fytyrë dhe me sy të zjarrtë, doli para popullit.
“Ju kisha paralajmëruar të mos e preknit atë deve!”
Vrasësit dhe liderët e tyre iu përgjigjën me inat:
“E vramë që të shpëtonim prej saj. Atë do bëjmë edhe me ty. Çfarë je i zoti të bësh, bëje. A nuk na sjell dhe bela nga qielli! Punë e madhe. Ne nuk të besojmë aspak!”
Njerëzit po përgatisnin fundin me duart e veta edhe njëherë. Kishin harruar atë që u kish ndodhur popujve paraardhës, kishin harruar përmasat e ndëshkimit hyjnor, dhe sërish po kërkonin belanë.
“Mirë pra”, iu përgjigj profeti, “kthehuni, shkoni nëpër shtëpi. Edhe tre ditë që ju kanë mbetur bëni qejf e kënaquni si të doni. Pastaj do shihni se ç’është ndëshkimi!”
Profeti Salih (a.s.) shkoi menjëherë në shtëpi dhe përgatiti sendet e veta. Bashkë me familjen e me besimtarët u largua nga ai vend. As kokën nuk e ktheu pas. Gjithçka kishte marrë fund. Një tjetër fletë e zezë në historinë e njerëzimit po mbyllej. Zoti (xh.sh.) iu kishte dhënë tri ditë kohë. Tri ditë, se tri herë kishte qarë deveja duke dhënë shpirt.
Pas largimit të Salihut (a.s.) me besimtarët, populli i Themudit bënë festë. Ishin të bindur se e kishin mundur edhe Salihun, edhe Zotin e tij. Po a është e mundur të mundet Zoti? Ai të jep kohë. Të mendosh, të pendohesh. Por në qoftë se as kjo kohë nuk vlen për ta rrokur të vërtetën, dënimi nuk vonon. Dhe është i tillë ai dënim, sa bëhet mësim për gjithë botën.
Tri ditë me radhë Themudët luajtën e dëfryen duke u tallur me ndëshkimin që i priste.
Po mëngjesi i ditës së katërt kishte një pamje të tmerrshme…
Nga qielli u dëgjua një krismë. Pastaj një zë i fortë si gjëmim. Qielli nuk duroi, u bë copë. Ra gjëmimi mbi male, po as mali nuk rezistoi, u bë copë. Çdo gjallesë që ndiente atë gjëmim hyjnor, mbetej top në vend. Ndërtesat, sarajet, shtëpitë e bukura, të gdhendura në shkëmbinj, për pak sekonda u bënë thërrime. Për një kohë shumë të shkurtër, çdo vend ishte bërë pluhur.
Një gjëmim i vetëm… dhe gjithë ata që nuk besonin kishin mbetur të ngrirë. Nuk kishin lëvizur dot nga vendi. Nuk kishin pasur kohë as për t’u ngritur, as për t’u larguar, as për të pyetur njëri-tjetrin: “Ç’po ndodh?”. Pa mbaruar ende jehona e gjëmimit, të gjithë ishin shkatërruar pa nam e pa nishan.
I Dërguari (a.s.) dhe besimtarët ishin larguar goxha nga qyteti. Besimtarët kishin ndjekur të Dërguarin, kishin dëgjuar këshillën e tij dhe kishin shpëtuar. Kurse ata që e mohonin, kishin dhënë shpirt mes një lemerie të vërtetë.
Profeti Salih (a.s.) pa nga horizonti, andej ku më parë kishte qenë Themudi. Nga sytë i rrodhën lotë.
“Ah, populli im! Ju kisha paralajmëruar, ju kisha këshilluar. Por ju nuk më dëgjuat aspak.”

/islami.al/

Postime të ngashme