NJË VËSHTRIM MBI HIXHRETIN E PROFETËVE
Kur Ibrahimi (alejhis’selám) shprehu me zë të lartë të vërtetën e Teuhidit, politeistët e popullit të tij e kërcënuan dhe e hodhën në zjarr. Pasi ndihmesa hyjnore e shpëtoi nga duart e zullumqarëve që donin ta hiqnin qafe duke e djegur, Ibrahimi (a.s.) tha: “Unë do të mërgoj te Zoti im…” (Unë do të mërgoj atje ku më ka urdhëruar Zoti im). Më pas, fillimisht mërgoi drejt tokave të Palestinës (Damask), ndërsa më pas, për në Egjipt. Por, duke qenë se nuk mundi të qëndronte as atje, u kthye sërish në zonën e Palestinës, diku në afërsi të Jeruzalemit (el Halil).
Njerëzit e tij nuk i besuan Lutit (a.s.) dhe, për më tepër, duke u treguar të paskrupull e mizorë, tentuan t’i dëbonin nga atdheu i tyre atë dhe ndjekësit e tij: “Dëbojini Lutin dhe ata përreth tij prej qytetit tuaj!” Por nuk u mjaftuan vetëm me këtë. U tallën me besimtarët që përpiqeshin të jetonin në mënyrë të ndershme dhe i ngacmuan me fjalët “Ata janë njerëz shumë të dëlirë, (të mos ndyhen pranë nesh!)”. Duke qenë se nuk ia vunë veshin mesazhit të Profetit të tyre (a.s.) dhe nuk hoqën dorë nga të këqijat që bënin, edhe pse ballafaqimi i tyre zgjati për vite me radhë, vendimi për shkatërrimin e atij populli ishte i pashmangshëm. Një natë, Luti (a.s.) i la ata kokë më kokë me atë që bënin dhe, para se të shkatërroheshin vendet ku kishte jetuar deri më atëherë, u largua nga atdheu bashkë me ata që kishin besuar tek ai.
Edhe njerëzit e Shuajbit (a.s.), të cilët nuk i kishin besuar atij, tentuan t’i bënin presion që të hiqte dorë nga kauza e besimit dhe e kërcënuan duke i thënë se do ta dëbonin nga vatani. “O Shuajb! Kthehuni në fenë tonë ose do t’ju dëbojmë nga qyteti ynë ty me gjithë ndjekësit e tu.” Shuajbi (a.s.), përballë presionit dhe kërcënimeve të tyre gjithë arrogancë, nuk hoqi dorë nga përcjellja e së vërtetës dhe ua ktheu në këtë mënyrë: “Edhe pse e urrejmë atë?! Nëse do të ktheheshim në fenë tuaj, pasi Allahu na shpëtoi nga ajo, atëherë do të shpifnim gënjeshtra kundër Allahut. Ne nuk mund të kthehemi në të, përveçse po të dojë Allahu, Zoti ynë. Ai përfshin çdo gjë me dijeninë e Vet dhe tek Ai ne mbështetemi. O Zoti ynë, gjyko drejt midis nesh dhe popullit tonë! Ti je Gjykatësi më i mirë!”
Teksa po e linte pas popullin që vazhdonte të tregohej i pabindur pavarësisht përpjekjeve të tij të sinqerta, Shuajbi (a.s.) u kthye nga ata për herë të fundit dhe, duke i bërë edhe një lloj llogarie vetes, tha: “O populli im, unë ju solla shpalljet e Zotit tim e ju këshillova, prandaj pse të hidhërohem për popullin e pafe?!”
Edhe Musai (a.s.), me urdhër të Allahut, i pati marrë nga Egjipti njerëzit e tij dhe i pati nxjerrë për të bërë hixhret drejt Palestinës. “Ne i mbartëm izraelitët përtej detit dhe Faraoni me ushtrinë e tij i ndoqi ata nga ligësia dhe armiqësia. Por, kur po mbytej, (Faraoni) tha: ‘Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit. Edhe unë jam ndër myslimanët.’”
Izraelitët, të cilët preferuan të bënin hixhret në rrugën e Allahut (xhel’le xheláluhu) në vend që të jetonin nën shtypjen e Faraonit, arritën në bregun e shpëtimit dhe u bashkuan me bollëkun dhe bereqetin që u ishte premtuar se do të vinte përmes hixhretit. “Ne i vendosëm bijtë e Izraelit në një vend shumë të mirë dhe u dhamë ushqim të këndshëm…” Mirëpo, në vend që të kapeshin dorë për dore përballë gjithë atyre mirësive dhe të bashkonin zemrat për të ecur në drejtimin që u kishte treguar profeti i tyre, ata zgjodhën përçarjen dhe, në këtë mënyrë, filluan të humbnin. “Ata nuk u përçanë në mendime, derisa u erdhi dituria. Me të vërtetë, Zoti yt do t’i gjykojë ata në Ditën e Kiametit në lidhje me përçarjet e tyre.”
Në Kuran, kur shpjegohen Nuhu (a.s.), popujt Ad dhe Semud, dhe fundi i atyre që erdhën pas tyre, theksohet se këta popuj nuk besuan te profetët e tyre dhe se nuk u mjaftuan vetëm me aq. Ata u treguan mizorë me ta dhe i kërcënuan me dëbim nga atdheu. “Mohuesit u thanë të dërguarve të tyre: ‘Ne do t’ju dëbojmë nga vendi ynë ose do të ktheheni në fenë tonë!’ Atëherë, Zoti u shpalli (të dërguarve të Vet): ‘Ne do t’i zhdukim keqbërësit dhe, pas tyre, do t’ju vendosim në tokën e tyre. Kjo është për ata që kanë frikë nga qëndrimi para Meje (për gjykim) dhe i tremben premtimit (dënimit) Tim.’”
E vërteta e hixhretit, e cila theksohet në ajete si një ligj hyjnor thuajse i pandryshueshëm i jetës së profetëve, na shfaqet në të njëjtën mënyrë edhe në luftën për Teuhid të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Duke i thënë që në krye të udhës se mund t’i duhej të largohej nga vendlindja e Tij, këtë ligj të Allahut (xh.xh.) ia përmend edhe Uaraka bin Neufeli, tek i cili shkon për t’u këshilluar pas shpalljes së parë. “O djalë xhaxhai! Dëgjoje njëherë birin e vëllait tënd, dëgjoje se ç’thotë”, tha Muhamedi (alejhis’salatu ues’selam). “O biri i tim vëllai! Çfarë sheh?” e pyeti Uaraka. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i shpjegoi ato që kishte parë. “Ti ke parë një engjëll. Ai i ka zbritur edhe Musait. Do të doja të isha i ri (që të të ndihmoja); ah, sikur të jem gjallë në atë ditë kur populli yt do të të dëbojë!” tha Uaraka. “Ata do të më dëbojnë nga këtu?”, pyeti i Dërguari i Allahut (s.a.s.). “Nuk ka njeri që të ketë sjellë një fe si kjo e jotja dhe të mos jetë parë me armiqësi. Nëse do t’i arrij ato ditë, do të të ndihmoj shumë”, iu përgjigj Uaraka bin Neufeli.
Dhe, me të vërtetë, ngjarjet rrodhën ashtu siç pati thënë Uaraka. Që nga çasti kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) filloi të shpjegonte Islamin dhe t’i udhëzonte njerëzit për në rrugën e drejtë, politeistët mekas mbajtën qëndrim dhe u shpallën armiq të përbetuar të Tij. Ua mohuan të drejtën e jetës si Atij, ashtu edhe atyre që besonin tek Ai (s.a.s.). Sipas tyre, myslimanët meritonin çdo lloj fyerjeje dhe torture. Kur për besimtarët u bënë të pamundura jetesa dhe qëndrimi në Mekë, qendrën e Teuhidit, në horizont u shfaq hixhreti. Nën udhëzimet e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), një pjesë e besimtarëve bënë fillimisht hixhret për në Abisini dhe, kështu, u mbrojtën jetët e myslimanëve dhe u arrit shmangia e tensionimit të rrezikshëm të situatës në Mekë, qoftë edhe pjesërisht. Me hapjen e dyerve të hixhretit për në Medinë në vitin e trembëdhjetë të profetësisë së Muhamedit (s.a.s.), myslimanët u gjendën në një mjedis më të qetë dhe më të sigurt. Kështu, planet e politeistëve për të ushtruar politikën e gjenocidit ndaj besimtarëve u prishën, kurse Islami, nëpërmjet hixhretit, gjeti rastin për t’u hapur në të gjithë botën. Edhe pse kishte lindur në Mekë, kësaj feje nuk iu njoh e drejta e jetës në vendlindjen e saj. Për rrjedhojë, pas hixhretit të besimtarëve, Islami e bëri Medinën atdhe të tijin dhe, që aty, u përhap në mbarë botën.
Nga kjo qasje e përgjithshme e Kuranit, kuptohet se nuk ka asnjë periudhë kohore gjatë së cilës të mos bëhet fjalë për hixhretin në luftën dhe përplasjet mes besimit të vërtetë dhe atyre të kota. Ata që kërcënonin jetën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe të shokëve të Tij, ata që u bënin tortura nga më të paimagjinueshmet besimtarëve, i detyruan edhe të bënin hixhret. Mirëpo, ata zullumqarë kurrë nuk menduan për atë që do të ndodhte pas mizorive që kishin bërë ndaj atyre njerëzve të pafajshëm dhe uzurpimit të të drejtave të tyre materiale dhe morale, kur Allahu (xh.xh.), i Drejti Absolut, do t’i zinte ngushtë dhe do t’i kapte pa u lënë asnjë rrugë shpëtimi. Kurani Famëlartë, nëpërmjet paralajmërimit që u bënte për zullumet që kishin bërë në Mekë para hixhretit të besimtarëve, u tërhiqte vëmendjen edhe te fakti se një padrejtësi/paligjshmëri e tillë do të sillte edhe fundin e tyre: “Në të vërtetë, ata po përpiqen të të trembin që të të dëbojnë ty nga vendi, por atëherë, ata do të qëndronin vetëm pak kohë pas ikjes sate.” Dhe ashtu ndodhi. Ata që i detyruan të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) dhe shokët e Tij të dilnin nga Meka dhe të largoheshin nga qendra e Teuhidit, dy vjet pas hixhretit, pësuan një disfatë të rëndë në betejën e Bedrit dhe, në këtë mënyrë, ndikimi i tyre u neutralizua. Ndërsa gjashtë vjet pas betejës së Bedrit, Meka hapi dyert për myslimanët pa qenë nevoja për përdorimin e shpatave. Ndërkohë që në këtë ajet paralajmërohen politeistët e Mekës, në ajetin në vijim u bëhet e qartë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe besimtarëve se ky gjykim është një ligj hyjnor: “Ky është ligji Ynë për të dërguarit e ardhur para teje, kështu që, edhe ti nuk do të gjesh shmangie nga ligji Ynë.”
Në fund të fundit, për popujt që kanë dëbuar nga vendlindja e tyre profetët dhe trashëgimtarët/përfaqësuesit e tyre të vërtetë të çdo epoke, gjykimi hyjnor është shkatërrimi. “Mohuesit u thanë të dërguarve të tyre: ‘Ne do t’ju dëbojmë nga vendi ynë ose do të ktheheni në fenë tonë!’ Atëherë Zoti u shpalli (të dërguarve të Vet): ‘Ne do t’i zhdukim keqbërësit e, pas tyre, do t’ju vendosim në tokën e tyre. Kjo është për ata që kanë frikë nga qëndrimi para Meje (për gjykim) dhe i tremben premtimit (dënimit) Tim.’” Rrjedhimisht, këta popuj zullumqarë, ose poshtërohen duke u pushtuar nga armiqtë, ose ndëshkohen duke u mposhtur nga ana e ndjekësve të profetëve. Premtimi i lartpërmendur është i prerë. Ai duhet kuptuar jo vetëm si një premtim specifik për njerëzit e atyre periudhave, por edhe si një ligj hyjnor i vlefshëm në çdo shekull.