Në Islam jeta është e shenjtë

Në konceptin Islam, jeta e njeriut është e shenjtë dhe është kategorikisht e ndaluar marrja e saj padrejtësisht. Allahu e krijoi njeriun si qenien më të përsosur ndërmjet krijesave dhe i dhuroi atij jetën. Koncepti i jetës është gjëja më e bukur për njeriun. Me anë të saj njeriu ka mundësi të përsosë apo të plotësojë veten e tij. Janë ditët e jetës ato që na japin mundësinë të kuptojmë ekzistencën tonë, sekretet hyjnore dhe çdo gjë tjetër.

Sipas mendimit të dijetarëve të fundit, Islami ka gjashtë objektiva themelore. Të gjitha këto në shërbim të njeriut dhe mundësisë për vazhdimin e jetës mbi këtë planet. Këto objektiva themelore janë përkatësisht; ruajtja e fesë, jetës, mendjes, pasurisë, brezit dhe nderit, apo dinjitetit njerëzor. Është lehtësisht e kuptueshme që pa realizimin e mbrojtjes së jetës, nuk mund të përmbushet realizimi i të tjerave.

Kështu, Allahu (xh.sh) do të shpallte në Kuran, se marrja padrejtësisht e një jete njerëzore është e barabartë me marrjen e jetës së gjithë njerëzisë. Që nga këtu mund të kuptohet se sa vlerë ka te Zoti jeta e gjithësecilit prej nesh. Parë nga një këndvështrim tjetër është vetëm Ai, el-Muhjî (që jep jetë) dhe el-Mumît (që merr jetë). Dhe askush tjetër nuk e ka këtë drejtë, përveçse kur sërish ligji i Zotit e kërkon diçka të tillë. Nga ana tjetër, Allahu thotë, që kush i mundëson jetën një qenie njerëzore është sikur t’i ketë mundësuar jetë të gjithë njerëzimit.

Shqetësimet e Engjëjve përpara se njeriu të vendosej në tokë

Në fe nuk ekziston nxitja për të marrë jetë, ndërsa e kundërta po. Allahu i dërgoi profetët për t’i mundësuar njerëzve jetën në kuptimin e saj të vërtetë. Dhe kurrsesi për ta cënuar këtë të fundit. Derdhja e gjakut dhe shkatërrimi, ishin dy shqetësimet e engjëjve në kohën kur njeriu do të vendosej në tokë. Duket qartë që shqetësimi i tyre nuk ishte i pavend. Këto gjëra i shohim përditë, edhe pse Allahu i tha, se Ai dinte atë që e ata nuk e dinin. Dhe kjo ishte për pjesën tjetër të njerëzve, ata që mund t’i quajmë si ‘Muslihunë’, përmirësues. Këta të fundit Profeti (s.a.s) pati njoftuar se do jenë të paktë dhe do të jetojnë në kohën e fundit. Detyra e tyre është të rregullojnë atë që të tjerët prishin.

Njeriu në çdo kohë i ka folur jetës në forma dhe mënyra të ndryshme. Jeta jonë dhe ajo e tjetrit merr kuptim kur ne kuptojmë shenjtërinë e saj. Ne nuk u krijuam as për ta robëruar veten ndaj të tjerëve dhe as për t’i bërë të tjerët robërit tanë. Njeriut që mendon thellë i mbetet të kuptojë se për çfarë jeton? Le t’i vendosë vetes qëllime madhore, të jetojë për ëndrrat e tij pozitive. Po ashtu ta vlerësojë jetën e tij dhe atë të të tjerëve. Le të mos e dënojë shpirtin e tij me marrjen e jetes së vetes dhe marrjen e jetës së të tjerëve. O njeri, nëse ke mundësi pastroje veten, qetësoje shpirtin dhe vendosi vetes qëllime në jetë! Jeta është e bukur kur jetohet me Zotin, për të dhe me kthimin tek Ai!

Postime të ngashme