Surja Zelzele-99

Interpretimi i sures Zelzele – 99

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ

إِذَا زُلْزِلَتِ الْأَرْضُ زِلْزَالَهَا (1) وَأَخْرَجَتِ الْأَرْضُ أَثْقَالَهَا (2) وَقَالَ الْإِنْسَانُ مَا لَهَا (3) يَوْمَئِذٍ تُحَدِّثُ أَخْبَارَهَا (4) بِأَنَّ رَبَّكَ أَوْحَى لَهَا (5) يَوْمَئِذٍ يَصْدُرُ النَّاسُ أَشْتَاتًا لِيُرَوْا أَعْمَالَهُمْ (6) فَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًا يَرَهُ (7) وَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ شَرًّا يَرَهُ (8)

 

Shqipërimi

Me emrin e Allahu, Mëshiruesit, Mëshirëplotit           

  1. Kur të dridhet toka me dridhjen e saj të tmerrshme, 
  2. Dhe kur të nxjerrë toka atë që ka në brendinë e saj (barrën nga brenda), 
  3. Dhe njeriu të thotë: “Ç’ka kjo (që bën këtë dridhje)?” 
  4. Atë ditë ajo i rrëfen tregimet e veta, 
  5. Sepse, Zoti yt e ka urdhëruar atë. 
  6. Atë ditë njerëzit shfaqen të ndarë në grupe që të shohin e të shpërblehen për veprat e tyre.
  7. E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. 
  8. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. 

 

Kjo sure që përshkruan dridhjen e tokës quhet “Surja Zelzele“. Surja Zelzele e zbritur në Medine ka 8 ajete. Për arsye se nga stili i saj ngjan me suret mekase, ka prej atyre që kanë thënë se është sure mekase. Emrin e ka marrë nga emërorja e foljes në ajetin e parë me kuptimin tërmet. Flet rreth tërmetit të fuqishëm që do të ndodhë menjëherë para kiametit, dhe daljes së njerëzve nga varret e më pas dhënies llogari.

Në një hadith të saktë thuhet: “Surja Zelzele është ekuivalente me gjysmën e Kuranit[1], ndërsa në një tjetër hadith me një të katërtën e Kuranit. Hadithi i parë është interpretuar si në vijim: Rregullat e sjella nga Kurani ndahen në dy, rregulla që kanë të bëjnë me këtë botë dhe rregulla që kanë të bëjnë me botën e pasme (ahiret). Kjo sure përfshin shkurtimisht çështjet e gjykimet rreth botës së pasme. Ringjallja në botën tjetër për të cilën flitet në këtë sure, në një tjetër hadith thuhet se është një e katërta e besimit. Hadithi i transmetuar nga Tirmidhiu është kështu: “Një rob nuk quhet si besimtar pa i besuar këtyre katër gjërave: Të dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Allahu më ka dërguar Mua me të vërtetën, t’i besoj vdekjes, t’i besoj ringjalljes pas vdekjes dhe përcaktimit hyjnor (kader)”[2]

 

Interpretimi (Tefsir)

 إِذَا زُلْزِلَتِ الْأَرْضُ زِلْزَالَهَا

  1. Kur të dridhet toka me dridhjen e saj të tmerrshme, 

Zilzal quhet dridhja e tokës. “Zell” shpreh lëvizje, por zelzele dhe zilzal duke qenë më i fuqishëm tregon lëvizje të përsëritshme. Pra, tregon që toka do të lëkundet me lëkundje të një pas njëshme dhe jo vetëm një pjesë e saj, por e gjithë toka do të lëkundet. Veçanërisht shprehja me prapashtesë emërore tregon që rruzulli tokësor do të dridhet me një dridhje të tmerrshme. Pra, tërmeti i ditës së kiametit që përmendet edhe në ajete të tjera si: “يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمْ ۚ إِنَّ زَلْزَلَةَ السَّاعَةِ شَيْءٌ عَظِيمٌ O ju njerëz, ruajuni dënimit nga Zoti juaj, sepse dridhja pranë katastrofës së kiametit është një llahtari e madhe.” (Surja Haxh, 1) Në suren Uakia “Kur toka tundet me dridhje të forta. E kodrat shkapërderdhen e bëhen copë e thërrime.” (Surja Uakia, 4-5) Pra, të gjitha krijesat do të shkatërrohen dhe sistemi funksional në tokë do të prishet.

 

وَأَخْرَجَتِ الْأَرْضُ أَثْقَالَهَا

  1. Dhe kur të nxjerrë toka atë që ka në brendinë e saj (barrën nga brenda), 

Ethkal është shumë i fjalës thekal, me kuptimin diçka e rëndë.

Ka dy transmetime rreth nxjerrjes së barrës së tokës nga brendia e saj. E para: Nxjerrja e të vdekurve nga varri sipas kuptimit të ajetit: وَإِذَا الْقُبُورُ بُعْثِرَتْ “Dhe kur të trazohen varret”(Surja Infitar, 4) Kjo tregon për ringjallen kur t’i fryhet surit për herë të dytë. Ndërsa tjetri është nxjerrja e thesareve të tokës, e mineraleve që ajo mbart në brendinë e saj, që kuptohet që do të ndodhë gjatë fryrjes së surit herën e parë dhe gjatë dridhjes së tokës.

Një pjesë e mirë e interpretuesve të Kuranit, kanë thënë duke i bashkuar të dyja transmetimet që, ethkal (barrë e rëndë) përfshin si të vdekurit ashtu edhe thesaret që gjenden brenda në tokë. Përdorimi me kuptimin e të vdekurve dhe thesareve është në mënyrë metaforike.

Disa interpretues që nuk pajtohen me këtë mendim kanë thënë që: në ajetin “Dhe kur të nxjerrë toka atë që ka në brendinë e saj (barrën nga brenda)” nuk ka asnjë tregues në Kuran që të na tregojë “barra në brendinë e saj” ka kuptimin e thesareve që gjenden në brendi të tokës. Nxjerrja e të vdekurve nga brendia e saj është e saktë nga ana kuptimore, sepse të vdekurit janë barrë; mbartja e përgjegjësive dhe gjynaheve janë peshë e rënde, mund të jenë të rënda për tokën. Prej rëndesës së njerëzve, toka mund ta shkundë shpinën e saj dhe t’i thotë njerëzve dilni jashtë prej meje.

Interpretuesit bashkëkohorë kanë një qasje interesante rreth ajetit. Sipas tyre, në qendër të tokës ka një rëndesë, shtypje. Atje ekzistojnë magma të njohura. Ndoshta në një vend të vogël sa maja e gishtit gjendet një masë sa një ndërtesë. Pra, në të kundërt me butësinë në sipërfaqen e tokës, në brendësinë e saj ka një rëndesë. Kuptimi i drejtë i tërmetit dhe i dridhjes së tokës, copëtimi dhe thërrmimi i maleve, është dalja e masave të rënda nga brendësia e tokës në sipërfaqen e saj, si dhe dalja e llavës në sipërfaqe. Sipas disa interpretuesve, qendra e rruzullit tokës është xhehemen i vogël.

 

 وَقَالَ الْإِنْسَانُ مَا لَهَا

  1. Dhe njeriu të thotë: “Ç’ka kjo (që bën këtë dridhje)?” 

Shprehja në këtë formë është për të përshkruar madhësinë e frikës. Pra, ajo kohë e tmerrshme, kur njerëzit që do të shohin tërmetin dhe daljen e barrës nga brendia e tokës në sipërfaqe do të thonë të habitur e të tmerruar: “Ç’ka kjo që dridhet?, Ç’është kjo gjendje?”

Me fjalën “Insan” ashtu siç mund të kuptohen të gjithë njerëzit, mund të kuptohen edhe njerëzit që mohojnë jetën e pasme (ahiretin). Sepse, ajo që ai e quante si diçka të pamundur tani po i ndodh para syve, duke e parë atë do të mbesë i tronditur dhe i tmerruar. Për besimtarët, kjo situatë nuk do të jetë as tronditëse e as shqetësuese. Sepse, ata e dinë që diçka e tillë do të ndodhë.

Ditën kur të ndodhin situatat që përmenden më sipër toka :

يَوْمَئِذٍ تُحَدِّثُ أَخْبَارَهَا (4) بِأَنَّ رَبَّكَ أَوْحَى لَهَا (5)

4-5. Atë ditë ajo i rrëfen tregimet e veta, sepse, Zoti yt e ka urdhëruar atë. 

Rrëfen ngjarjet e veta me gjendjen e saj dhe me fjalë. Sepse, Zoti i saj e ka urdhëruar atë që të tregojë dhe flasë rreth ngjarje që kanë ndodhur në të. Që toka të rrëfej tregimet e saj dhe të flasë është në mënyre figurative. Pra, Allahu i Lartë, do të formojë në tokë situata të tilla që do tregojnë historitë e ndodhura në tokë. Bashkë me këtë është thënë edhe që, atë ditë Allahu do ta bëjë tokën që të flasë dhe të njoftoj të mirat e të këqijat që janë bërë mbi të. Transmetohet nga i Dërguari i Allahut se, toka do të dëshmojë kundër të gjithëve se çka kanë vepruar mbi të.[3]

Sipas Meududit: Ditën e kiametit, toka do t’i tregojë ato që kanë ndodhur në sipërfaqen e saj. Mënyra se si do të flasë toka ditën e kiametit, për njerëzit më parë ishte diçka e paperceptueshme. Ndërsa, për njeriun e sotëm nuk është e vështirë ta kuptojë diçka të tillë duke parë zhvillimet e teknologjisë së sotme. Fjalët e njeriut transportohen nga një cep i botës në tjetrën me anë të radios, televizorit, telefonit e kompjuterit. Të gjitha ato që flasim mund të ruhen në pajisje elektronike shumë të vogla.

Allahu i Lartë, në çastin që dëshiron mund t’i përsërisë këto fjalë ashtu siç kanë dalë nga goja e njeriut herën e parë. Njeriu do t’i dëgjojë me veshët e tij që këto fjalë janë tij dhe do t’i kuptojë. Ata që e njohin atë do t’i kuptojnë fjalët e tij nga zëri dhe theksi i tij. Po ashtu, njerëzit çdo gjë që bëjnë në rruzullin tokësor, kur e kanë vepruar dhe mënyrën sesi e kanë vepruar, të gjitha këto ruhen në sendet që gjenden përreth tij, ashtu si një fotografi. Qofshin këto edhe veprime të kryera në errësirë. Të gjitha këto fotografi do t’i dalin para njeriut ditën e kiametin si një shirit film. Do të tregojnë se çka ka vepruar ai në këtë botë.

Është e vërtetë që, Allahu (xh.sh) di gjithçka që kryejnë robërit e tij pa pasur nevojë për ndërmjetës. Por, kur të formohet gjykata e lartë ditën e kiametit, nëse Allahu (xh.sh) do të dënojë dikë, do t’i garantojë të gjitha kushtet e drejtësisë. Për çdo person kur të gjykohet ditën e gjykimit, do të sillen argumente të pakontestueshme dhe dëshmitarë të përkryer, në mënyrë që fajtori mos të ketë asnjë mundësi ta kundërshtojë fajin.

Transmetohet nga Ebu Hurejre (r.a) që i Dërguari i Allahut (alejhi selam) të ketë thënë: “Atë ditë, toka do të rrëfejë se çka është vepruar mbi të.” Më pas këndoi ajetin dhe i pyeti sahabët: “A e dini se çka do të rrëfejë toka?” Sahabët (r.a) thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri“. I Dërguari i Allahut (alejhi selam) shtoi e tha: “Toka do të rrëfeje se çfarë ka vepruar çdo burrë e grua sipër saj dhe do të dëshmojë për ta. Do të thotë, këtë ditë bëtë këtë e atë ditë bëtë atë. Pra, këto janë ngjarjet që do të rrëfejë toka.”[4]

 

 يَوْمَئِذٍ يَصْدُرُ النَّاسُ أَشْتَاتًا لِيُرَوْا أَعْمَالَهُمْ  

  1. Atë ditë njerëzit shfaqen të ndarë në grupe që të shohin e të shpërblehen për veprat e tyre.

Pra, do të dalin nga vendet ku janë, do të dalin nga varret e tyre dhe do të shkojnë në mahsher (vendin e ringjalljes). Dikush me fytyrë të bardhë e dikush me fytyrë të zezë, dikush në paqe e dikush i zhytur në frikë e ankth, dikush hipur e dikush në këmbë, dikush i lirë e dikush i prangosur, që të gjithë do të shkojnë drejt mahsherit.

لِيُرَوْا أَعْمَالَهُمْ “ që të shohin e të shpërblehen për veprat e tyre”, pra, që të shohin se çfarë kanë punuar, të shohin librin e veprave dhe shpërblimin e punëve.

 

فَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًا يَرَهُ (7) وَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ شَرًّا يَرَهُ (8

7-8. E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. 

ذَرَّة dherreh, ka kuptimin e grimcës që gati sa nuk duket me sy të lirë. Ka edhe kuptimin e grimcave që duken në dritën e diellit. Kuptimi i vërtetë këtu është gjëja më e vogël që mund të perceptojë njeriu. Qëllimi i vërtetë në ajet është që, çdo punë që kryen njeriu qoftë e mirë apo e keqe nuk humbet tek Allahu i Lartë.

Ky ajet e paralajmëron njeriun rreth një të vërtete shumë të rëndësishme, dhe kjo e vërtetë është: Çdo punë sado e vogël që të jetë e ka një peshë dhe një vlerë. Kjo vlen edhe për të keqen. Çdo gjë do të shpërblehet. Për këtë arsye nuk duhet nënvlerësuar asgjë, një e vepër e mirë sado e vogël që të jetë nuk duhet braktisur. Kur ato të mblidhen të gjitha së bashku formojnë një të mirë të madhe. Po kështu, duhet vepruar edhe me veprat e këqija. As e keqja më e vogël nuk duhet kryer, sepse, edhe ato do të mblidhen një ditë.

I Dërguari i Allahut (sal’la llahu alejhi ue sel’lem) na mëson që të mos braktisin as të mirën më të vogël duke thënë: “Përpiquni të ruheni nga xhehenemi qoftë edhe me gjysmë hurme apo me një fjalë të mirë.”[5] Aishja (r.a) një ditë dha sadaka një kokërr rrushi dhe tha: “Edhe në këtë ka shumë grimca peshë.” Aishja (r.a) me këtë na ka treguar se edhe një sadaka e vogël, qoftë kjo edhe një kokërr rrushi do t’i bëjë dobi njeriut. Hadithi i Profetit (s.a.s) që të japim sadaka qoftë edhe gjysmë hurme apo një fjalë të mirë tregon se edhe sadakaja më e vogël nuk duhet neglizhuar, na tregon se duhet të japim sadaka sa të mundemi dhe mos të privohemi prej dobisë së saj.

Së bashku me shpërblimin e grimcës më të vogël të mirësisë apo të ligës në ajet, Kurani Fisnik në këtë çështje na tregon disa principe:

Principi i parë: Veprat e politeistëve, të mosbesimtarëve dhe të hipokritëve (pra veprat që cilësohen si të mira) kanë shkuar dëm e janë të humbura. Atyre nuk do t’u jepet asnjë shpërblim në jetën e pasme (ahiret). Nëse e kanë një shpërblim, e kanë marrë në këtë botë. Për shembull, Araf 147; Teube, 17, 67-69; Hud, 15-16; Ibrahim, 18; Kehf, 104-105; Nur, 39; Furkan, 23; Zumer, 65; ahkaf, 20.

I dyti: Dënimi i veprave të këqija do të jetë sa veprat e kryera. Ndërsa, veprat e mira do të kenë shpërblim më të madh. Në disa ajete është thënë se, një vepër e mirë do ta ketë shpërblimin dhjetë herë më shumë. Ndërsa në disa ajete të jetë tjera, është thënë se Allahu do t’i shpërblejë sa të dëshirojë. Shikoni suren Bakara, 261; Enam, 160; Junus, 26-27; Nur, 38; Kasas, 84; Sebe’, 37; Mu’min, 32.

I treti: Nëse besimtari ruhet nga gjynahet e mëdha, gjynahet e vogla do t’i falen. Shikoni suren Nisa, 31; Shu’ra, 37; Nexhm, 32.

I katërti: Besimtari i drejtë do të gjykohet lehtë. Do t’i falen gjynahet dhe do të shpërblehet sipas veprave të mira. Shikoni suren Ankebut, 7; Zumer, 35; Ahkaf, 16; Inshikak, 8.


[1] Tirmidhi, Theuebul-Kuran 10.
[2] Tirmidhi, Kader 10; Ibn Maxhe, Mukaddime 10; Musned, I, 97, 133.
[3] Tirmidhi, Kiamet 7, Tefsiru Sure 99; Musned, II, 374.
[4] Tirmidhi, Kijame 7.
[5] Buhari, Edeb 34, Zekat 10, Teuhid 36; Muslim, Zekat 66-68; Tirmidhi, Kijamet 1, Zuhd 37; Nesai, Zekat 63, 64; Musned, I, 388.

Postime të ngashme