Hixhreti nuk është migrim i rastësishëm, por i planifikuar dhe me qëllime të qarta

Krahasuar me periudhat e mëparshme, sot hixhreti bart një rëndësi akoma më të madhe, sepse përmes hixhretit mund t’i përcillet njerëzimit mbarë mesazhi universal që solli i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Përfaqësimi ashtu si duhet i vlerave që Islami i ka sjellë njerëzimit, duke i përjetuar ato më së miri në shoqërinë ku është bërë hixhret, është një rast unik, një mundësi e pashoqe dhe e pashembullt në emër të udhëzimit për në rrugën e drejtë. Hixhreti nuk duhet menduar si një migrim i paplanifikuar dhe i paqëllim.

Si në hixhretin për në Abisini, po ashtu edhe në atë që do të bëhej drejt Medinës, para nisjes, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pati bërë një plan tejet serioz. Si fillim, drejt Abisinisë pati dërguar vetëm një pjesë të shokëve të Tij, kurse ata që ishin nën mbrojtjen e dikujt në Mekë dhe që nuk mund të prekeshin, i pati mbajtur pranë. Pati vepruar në këtë mënyrë sepse në të kundërt, nëse do t’i lejonte të gjithë besimtarët të bënin hixhret, nëse do të kërkonte që në Mekë të mos mbetej asnjë besimtar, rreziku do të ishte shumë më i madh. Ai (s.a.s.) dhe kauza e Tij do të mbeteshin më të vetmuar dhe të pambrojtur. Pavarësisht presionit dhe kërcënimeve, udhëzimi për në rrugën e drejtë dhe përfaqësimi i saj me vendosmëri duhej të vazhdonin edhe në Mekë. Si pjesë e planit ishte menduar edhe mundësia që, nëse i ndodhte diçka e keqe njërit prej dy grupeve, të ishte grupi tjetër ai që do të vazhdonte ta përfaqësonte e t’i dilte për zot kauzës së përbashkët. Nëpërmjet këtij plani, Ai (s.a.s.) i kishte marrë në mbrojtje që të dyja grupet; Ai nuk ia la kurrë punët rastësisë dhe rrjedhës së ngjarjeve, sepse, krahas besimit të njerëzve, thelbësore është edhe mbrojtja e jetës së tyre. Besimtarët do të ishin në gjendje ta jetonin fenë islame dhe ta bënin atë të jetohej edhe nga të tjerët vetëm nëse do të ishin në gjendje të mbronin jetët e tyre. Për Të (s.a.s.), mbrojtja e jetës së besimtarit ishte po aq e rëndësishme sa mbrojtja e fesë. Një tregues i qartë i kësaj strategjie të Profetit tonë të dashur është edhe lutja që pati bërë para fillimit të luftës së Bedrit: “Allahu im! Mundësoma premtimin që më ke bërë! Më mundëso fitoren! Allahu im, nëse e shkatërron këtë bashkësi të fesë islame, mbi sipërfaqen e tokës nuk do të mbesë asnjë njeri që do të ta përmendë/ mbajë gjallë emrin Tënd dhe që do të të adhurojë!”

Planifikimi i veçantë i hixhretit për në Medinë u bë i mundur falë strategjive plot urtësi të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Hixhreti për në Medinë pati filluar me një kujdes shumë të madh pasi qenë bërë të gjitha parapërgatitjet e nevojshme, në mënyrë që të mos lëndohej askush. Nëpërmjet gjashtë personave me të cilët qe njohur fillimisht në Akabe gjatë sezonit të Haxhit, i Dërguari i Allahut organizoi po në Akabe edhe dy takime të tjera, të cilat u mbyllën me betimin e të pranishmëve për besnikëri ndaj Tij. Në takimin e dytë të Akabes, në fund të së cilës shtatëdhjetë e pesë persona iu betuan se do t’i qëndronin besnikë, krerët e dy fiseve të rëndësishme arabe të Medinës, Eus dhe Hazrexh, i dhanë fjalën Profetit se do t’i mbronin myslimanët që do të bënin hixhret për në Medinë. Duke u bazuar në këtë zotim, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pati filluar t’i nxirrte sahabët për rrugë grupe-grupe. Ai vetë pati dalë për rrugë bashkë me Ebu Bekrin (radijallahu anh) vetëm pasi qe arritur në siguri të plotë boshatisja e Mekës.

Postime të ngashme