Hadithi i Xhebrailit (a.s)

Omeri (r.a) transmeton: “Njëherë kur ishim ulur me të Dërguarin e Allahut (a.s) na u shfaq një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zinj, i cili nuk të linte përshtypjen e një udhëtari, sepse nuk kishte ndonjë shenjë udhëtimi. Askush nga mesi ynë nuk e njihte atë. Ai u ul pranë Profetit a.s. dhe i mbështeti gjunjët e tij tek gjunjët e Profetit, vendosi duart e tij mbi kofshët e Profetit a.s. dhe i tha: “O Muhamed! Më trego ç’është Islami?” Profeti a.s. iu përgjigj: “Të dëshmosh se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe që Muhamedi është i Dërguari i Tij, të kryesh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të bësh haxhin, nëse ke mundësi.” Të vërtetën the, – pohoi i panjohuri. Ne menjëherë u çuditëm që ai po e pyeste dhe po i vërtetonte përgjigjen.

Pas kësaj ai e pyeti: “Më trego ç’është Imani?” Profeti a.s. i tha: “Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Gjykimit dhe caktimin e Tij në të mirën dhe në të keqen.” Të vërtetën the, – vazhdoi të pohojë i panjohuri.

Pastaj ai e pyeti: “Ç’është Ihsani?” I Dërguari i Allahut iu përgjigj: “Ta adhurosh Allahun sikurse ti e sheh Atë, se edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.”

Në vazhdim ai e pyeti: “Më trego kur do të jetë Dita e Fundit?” Profeti a.s. i tha: “Për këtë pyetje, i pyeturi nuk di më shumë sesa pyetësi.” Atëherë i panjohuri kërkoi që t’i tregohen disa shenja. Profeti a.s. i tha: “Kur robëresha të lindë zonjushën e saj dhe kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të varfër që garojnë në ndërtime të godinave të larta.”

Atëherë i panjohuri u largua dhe unë mbeta i habitur. Profeti a.s. më tha: “O Omer! A e di se kush ishte pyetësi?” Iu përgjigja: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Atëherë ai më tha: “Ai ishte Xhibrili që erdhi tek ju për t’ju mësuar fenë tuaj.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: