Fqinj të mbarë, çelësa drejt lumturisë së përjetshme.
I Dërguari i Allahut thotë se besimtari që bie në gjumë i ngopur, teksa fqinji i tij bie i uritur, nuk mund të jetë besimtar i vërtetë, (Hâkim, Mustedrek, 2/15) madje edhe paralajmërimin se ai fqinj, prej të cilit fqinji tjetër nuk është i sigurt, nuk ka për të shkuar dot në Xhenet. (Buhari, edeb 29; Müslim, iman 73)
Nëse e drejta e fqinjit vihet kaq shumë në pah në Kuran dhe Sunet, atëherë duhet kuptuar edhe rëndësia e saj e veçantë. Ju e dini, zekati jepet vetëm ndaj myslimanëve, mirëpo prej kontributeve të tjera mund t’u jepen edhe atyre që nuk janë myslimanë. Të gjithë fqinjët, të afërt apo të largët, mund të ndihmohen materialisht, pasi kjo është edhe një prej nevojave më parësore të njerëzve. Sidomos në periudhat më të vështira ekonomike, nuk duhet lejuar kurrsesi që fqinjët të përpëliten prej urisë, por duhen ndihmuar. Mandej, duke përdorur të gjitha mundësitë tuaja, të përpiqeni që t’u gjeni punë, duke kryer kësodore një të mirë akoma më të konsiderueshme.
Megjithatë, nuk duhet ta kufizoni ndihmën tuaj vetëm me gjëra materiale, pasi kjo nuk është as një qasje e pëlqyeshme. Përveç kësaj, sa herë që të takoheni, ju duhet t’i pyesni ata se si janë, t’i vizitoni, t’i ftoni, duke i dhënë jetë ambientesh të përshtatshme, të cilat i hapin rrugë njerëzve që të duan njëri-tjetrin, ose i bëjnë të mendojnë ndryshe prej mendimeve të këqija që mund t’i kenë kapluar për njëri-tjetrit.
Për shembull, për dikë që është i huaj në një vend, është shumë e rëndësishme që t’i vizitojë dhe t’i lumturojë shpesh fqinjët e tij që e rrethojnë, madje edhe duke u dhuruar nga ndonjë dhuratë në ditë të veçanta. Kësodore, këta besimtarë do të kenë fituar zemrat e fqinjëve të tyre, do t’u kenë hapur vetes rrugën për t’u shpjeguar atyre diçka prej Islamit, apo edhe ndoshta për t’i bërë të ndërrojnë mendim nëse mendojnë negativisht për të, apo një mundësi sado të vogël për t’i njohur me ndonjërën prej vlerave të tyre. Ma merr mendja, se nëse e shohim nga ky prizëm, do ta kuptojmë më mirë se e drejta e fqinjëve nuk duhet kufizuar vetëm brenda një rrethi të ngushtë veç të një ndihme materiale.
Në hadithe kur flitet për imoralitetin, i cili është kategorikisht i ndaluar në çfarëdolloj praktike të tij, në rastet kur kryhet me fqinjin, mëkati i kryer shumëfishohet disa herë; dhe kjo është një çështje që ia vlen të qëndrojmë mbi të. Është e ditur, se edhe gjërat e ndaluara dhe të pahijshme kanë nivelet e tyre. Për shembull, t’i bashkëngjisësh Allahut disa veçori njo të hijshme, është një vepër e pahijshme, asisoj që Kurani madhësinë e këtij mëkati e shpreh kësisoj: “Prej saj edhe qielli duket sikur do të copëtohet, toka sikur do të çahet, e malet do të thërrmohen.” (Merjem, 90).
Njëkohësisht, janë disa gjëra të ndaluara, që edhe toka, edhe qielli bëhen copë e çikë përballë tyre. Ashtu siç kryerja e imoralitetit karshi të afërmve përfshihet brenda kësaj kategorie, edhe kryerja e tij ndaj fqinjit është përmendur po aq, ndoshta edhe më tepër e keqe se ajo. Sepse ndjenjat që duhet të ekzistojnë me të afërmit, ose me fqinjët, janë besimi dhe siguria e ndërsjellë. E në kohën që një e keqe të vjen prej një njeriu të besuar e të sigurt, atëherë ajo nuk ngelet si një e keqe e çfarëdoshme. Madje ajo shumëfishohet, fryhet, aq sa merr përmasat e një të keqeje shumëdimensionale.
Fatkeqësisht, është një e vërtetë e hidhur, që ne po jetojmë një thyerje të konsiderueshme në marrëdhëniet me fqinjët, duke rënë edhe vetë në një gjendje amullie të pakontrollueshme. Asisoj, që edhe sot gjenden familje brenda gjeografisë islame, të cilat jetojnë të kufizuara me muret e disa shtëpive kuti shkrepëseje. Fqinjët trokasin te njëri-tjetri vetëm sa për të lajmëruar apo ankuar se janë të shqetësuar prej zhurmës. Andaj, duhet t’i përdorim të gjitha mundësitë që kemi në duar, për t’i dhënë fund këtyre sëmundjeve kronike. Vetëm se nuk duhet harruar, se heqja e një vesi, sjelljeje a bindjeje të një njeriu, nuk është një veprim i lehtë dhe i shpejtë sa heqja e një rrobe prej trupit. Andaj duhet këmbëngulur në përpjekje, duke mos u lëkundur përballë asnjë vështirësie. Një ditë mund të merrni një tas ashureje e të shkoni t’ua çoni fqinjëve që keni sipër, e në një ditëlindje mund të hyni në bisedë me ta, madje duke përdorur edhe ndonjë ditë, e cila është e shënuar për ta. Nuk duhet harruar, se njeriu është krijuar si një krijesë fisnike, e cila është rob i të mirës. Andaj, të mirat që bëni ju, kanë për ta gjetur vendin e tyre një ditë. Ndoshta ata do t’ju testojnë për një kohë të gjatë, por pasi ta shohin se ju nuk keni asnjë përfitim prej këtyre, ata do t’jua hapin portat, duke bërë që edhe vajtje-ardhjet tuaja të shtohen ndjeshëm.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e përngjason lidhjen e besimtarëve me njëri-tjetrin me lidhjen e tullave me njëra-tjetrën në një ndërtesë të shëndoshë. Që kjo lloj shoqërie të fillojë të ekzistojë, fillimisht duhen ndjekur të drejtat e prindërve, siç u përmendën edhe në hadithin e mësipërm, të përforcohen lidhjet farefisnore, të shtohet ndihmesa karshi njerëzve në nevojë, dhe së fundi të ndiqen fije e për pe të drejtat e fqinjëve.
Ngase marrëdhëniet ndërfqinjërore janë dobësuar ndjeshëm me zbatimin e mënyrave moderne të jetesës, përpjekjet e para mund të ngelen pa rezultate të prekshme. Por nuk duhet harruar, se përpjekjet e mira të vazhdueshme, e të karakterizuara nga durimi, qoftë edhe për të fituar një zemër të vetme, një ditë kanë për t’i shkrirë akujt, e ato zemra do të afrohen aq shumë, e lidhja do të forcohet aq ndjeshëm, sa shoqëria do të perçinoset prej zinxhirësh të fortë, përjetësisht të pandashëm prej njëri-tjetrit. Kësodore, njerëzit do ta mbështesin njëri-tjetrin pa ushqyer ndërvarësi, që kur njëri të rrëzohet, tjetri të jetë i gatshëm për ta ndihmuar, aq sa të gjithë do ta ndjejnë veten të përfshirë në një garë veprash të mira. Zaten një shoqëri ideale, e përbërë prej individësh që nuk sulmojnë njëri-tjetrin, por që jetojnë në harmoni, vetëm prej lidhjesh të këtilla mund të realizohet.
Veç kësaj, siç shprehet edhe Said Nursiu, është e pamundur që të ndërtohet një shoqëri e shëndoshë prej organesh a molekulash të sëmura prej mëkateve. Andaj, që të ndërtohet një shoqëri e shëndoshë, është një detyrë shumë e rëndësishme që individët e saj të ndihmojnë dhe të mbështesin njëri-tjetrin për t’u larguar prej veprave të pahijshme dhe të ndaluara. Allahu (xh.xh.), ndërsa tregon përgjegjësitë që kanë besimtarët karshi njëri-tjetrit, urdhëron: “Ju, ndihmojeni njëri-tjetrin për të bërë mirë, apo për t’u ruajtur prej të këqijave. Mos ndihmoni njëri-tjetrin në mëkate, apo armiqësi për të sulmuar ndokënd.” (Maide, 5/2).
Andaj, për t’i dhënë jetë kësaj fryme të ndihmës dhe mbështetjes së ndërsjellë, marrëdhëniet me fqinjët janë një rast, i cili duhet vlerësuar sa më mirë, e njëkohësisht një përgjegjësi që nuk duhet çuar dëm.