Feja Islame
Islami është feja e vetme të cilën Allahu xh.sh. ia ka dërguar njerëzimit. Islam do të thotë t’i dorëzohesh Allahut xh.sh., t’u bindesh urdhrave të Tij, të ecësh i palëkundur në një rrugë të sigurt dhe të besueshme, të dhurosh butësi dhe besim, të mos e shqetësosh askënd me gojë apo me dorë (fjalë apo vepra).
Islami është emri i fesë së shpallur nga Allahu xh.sh., e cila mbështet në shpallje: në Kur’an dhe në Synet.
Islami është fe e paqes, e sigurisë dhe mirëqenies. Islami është feja e bashkimit. Feja islame solli fuqishëm normat e barazisë së të drejtave themelore dhe ndaloi çdo diskriminim ndaj njeriut. Shpallja e fundit, iu kushtua mbarë njerëzimit për të gjitha kohët e vendet, kurse Muhamedi a.s., është Profeti i fundit i dërguar për mbarë njerëzimin dhe për të gjitha kohët dhe vendet.
Në aspektin e tij më themelor, Islami pasqyrohet në frazën më të përdorur në gjithë Kur’anin: “Bismil’lahirr-Rrahmanirr-Rrahim – Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.”
Allahu xh.sh. nëpërmjet Mëshirës dhe Dhembshurisë së Tij absolute, të pranishme te çdo krijesë, është themeluar mbi bazën e këtij pohimi. Kur’ani e cilëson dërgimin e Profetit (Pejgamberit) Muhamed a.s. si “mëshirë për të gjithë botët.” (Enbija, 107).
Emri Allah është përmbledhës i të gjithë emrave të Zotit xh.sh.. Profeti i fundit është Muhamedi (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), kurse Kur’ani është libri i fundit i shpallur.
Ndjekësi i fesë islame quhet mysliman dhe nënkupton njeriun, i cili u është dorëzuar dhe nënshtruar mesazheve të Islamit, i cili përfaqëson qetësinë, paqtimin, suksesin dhe shpëtimin. Këtë emër, besimtarit ia ka dhënë Allahu xh.sh. në Kur’an:
هُوَ سَمَّاكُمُ الْمُسْلِمِينَ مِن قَبْلُ وَ فِي هَذَا
“…Ai edhe më parë, e edhe ky (Kur’an) ju quajti myslimanë…” (Haxh: 78)
Njeriu, i cili e quan veten mysliman pranon të jetë i nënshtruar vetëm ndaj vullnetit të Allahut xh.sh.
Baza e Islamit është besimi i palëkundur tek Allahu i Madhëruar dhe tek e vërteta e shpallur, ndërsa maja dhe kulmi i tij është të zbatosh përgjegjësitë e tua me ndjesinë sikur e sheh Atë dhe Ai të sheh ty (ihsan), si dhe të jetosh vetëm me qëllimin për të arritur kënaqësinë e Tij, që në terminologjinë islame quhen ihlas, parimësi dhe sinqeritet.
Sipas fesë islame, njerëzit lindin pa gjynahe dhe të pafajshëm, ndaj askush nuk mund të mbajë përgjegjësi për fajet ose mëkatet e të tjerëve. Gjynahet e njerëzve mund t’i falë vetëm Allahu xh.sh.. Askush tjetër nuk ka të drejtën t’ua falë njerëzve gjynahet apo t’i nxjerrë ata nga feja.