Etapat e zhvillimit të fikhut Hanefi
Ashtu si çdo shkollë tjetër juridike, edhe kjo shkollë ka kaluar nëpër etapat e saj të zhvillimit. Nëse e analizojmë me vëmendje funksionimin e shkollës juridike hanefite, me lehtësi mund të konstatohet se kjo shkollë ka kaluar nëpër tri faza kryesore:
Faza e parë
Etapat e formimit dhe e zhvillimit të kësaj shkolle përfshijnë periudhën kohore prej Ebu Hanifes, nxënësve të tij e deri te vdekja e dijetarit të famshëm Hasan b. Zijad El-Lu’luij në vitin 204H. Imam Ebu Hanifja nuk kishte shkruar vepra me dorën e vet, sepse qëllimi i tij nuk ishte formimi i ndonjë shkolle apo doktrine të veçantë nga lëmi i fikhut, porse ishin nxënësit e tij ata që rregullisht i regjistruan mendimet e Ebu Hanifes, kur ai i prezantonte në mexhlisin (kuvendin) e diturisë. Nxënësi që më së shumti i kushtoi kujdes kësaj çështjeje ishte Imam Muhamed b. Hasan Esh-Shejbani, i cili i regjistroi dhe i përpiloi veprat që në shkollën juridike Hanefi njihen me emrin “Dhahiru err-rrivaje”.
Çështjet e fikhut, të cilat paraqiten në këto gjashtë libra të titulluar “Dhahiru err-rrivaje”, janë çështje të transmetuara nga themeluesit e medhhebit: Imam Ebu Hanifja, Imam Ebu Jusufi, Imam Muhamedi; e këtyre u bashkëngjiten edhe Imam Zuferi dhe Imam Lu’luij, porse në të shumtën e rasteve janë mendimet e tre të parëve. Roli, rëndësia, pozita dhe fuqia argumentuese e këtyre veprave janë të shkallës së parë në mbështetje, që nënkupton se nëse gjejmë një çështje të fikhut që kundërshtohet me mendimin që ekziston në “Dhahiru err-rrivaje”, atëherë për bazë merret mendimi që është i regjistruar në “Dhahiru err-rrivaje”.
Faza e dytë
Periudha e thellimit, rritjes dhe zhvillimit të kësaj shkolle që fillon me vdekjen e Lu’luit në vitin 204/820 e vijon deri te vdekja e Imam En-Nesefij 710/1310. Kjo periudhë karakterizohet prej përfundimeve të dijetarëve më të shquar e që konsiderohen themelues të medhhebit, prandaj çështjet e fikhut ku pajtohej mendimi i imam Ebu Hanifes me nxënësit e tij janë të regjistruara në gjashtë veprat e quajtura “Kutubu edh-dheuahir”. Nëse kishte mospajtime mes imamit dhe nxënësve, në fund për bazë merrej mendimi i imamit. Te dijetarët e mëvonshëm u ndryshua kjo bindje, sepse veprohej sipas thënies së imamit në raste të mospajtimit, atëherë kur njëri prej dy nxënësve të tij, Ebu Jusufi apo Imam Muhamedi pajtohen me mendimin e imamit. Pra, në rastin kur në një mendim pajtoheshin dy nxënësit, kurse imami kishte mendim tjetër, atëherë parësor mbetet mendimi i dy nxënësve, normalisht nëse është çështje që mund të ndryshohet përmes ixhtihadit.
Faza e tretë
Periudha e vendosmërisë fillon me vitin 710 e vijon deri më sot. Në dy etapat e para u vunë dhe u përforcuan themelet e medhhebit Hanefi, andaj nga shekulli i tetë hixhri e më vonë dijetarët silleshin dhe mbështeteshin në veprat e mëparshme duke i sqaruar parimet dhe kriteret që ekzistonin në ato vepra. Nga veprat që janë më të njohura në këtë kohë është “Hashijetu ibn Abidin”, që në hollësi shpjegon edhe mendimin mbështetës gjatë dallimeve mes themeluesve të medhhebit.