Dijetari i cili jepte 100 dërhem çdo muaj
Një dijetari i ishte përcaktuar të merrte një shumë prej 100 dërhemësh çdo muaj nga thesari i shtetit. Atij i mjaftonin të ardhurat e tjera që kishte, kështu që kishte vendosur që sa herë ta merrte këtë shpërblim mujor ta jepte atë të gjithin në rrugën e Allahut. Një pasaniku aty afër i kishte rënë në vesh diçka e tillë dhe thuajse ishte turpëruar paksa për gjendjen e tij. Ai kishte menduar që sa herë që dijetari të dilte për t’i dhënë 100 dërhemët e tij, ai t’ia zëvendësonte këtë shumë të hollash, por pa i zbuluar gjë këtij të fundit. Kështu, lajmi se dijetari jepte 100 dërhemë dhe kur kthehej në shtëpi i gjente sërish të njëjtën shumë të hollash kishte marrë dhenë.
Një djalosh i ri i habitur nga kjo që i ndodhte të diturit, kishte vendosur të bënte të njëjtin veprim, për të parë nëse përfundimi do të ishte i njëjtë. Ai dha 100 dërhem në rrugën e Zotit dhe u kthye në shtëpi për të parë nëse do t’i gjente edhe ai t’i ishin zëvendësuar ato, por atje s’kishte asgjë. Mori rrugën drejt shtëpisë së dijetarit dhe ashtu i nxehur shkoi pranë tij. I kërkoi përgjigjen për këtë çështje dhe arsyen se pse me të s’ndodhte e njëjta gjë. I urti iu përgjigj: “Biri im, ti po e vë në provë Zotin, ndërsa unë jam i bindur për shpërblimin e tij!”
Allahu ia kompenson njeriut pasurinë e dhuruar në rrugën e Tij në forma të ndryshme, ndonjëherë fare pa e kuptuar njeriu këtë gjë. Besimtarit i mjafton bindja që ka te premtimi i Zotit të Tij dhe do ta shohë këtë premtim t’i realizohet para syve të tij. “O biri i Ademit, dhuro nga ajo që Allahu të ka dhuruar, që edhe Ai të të dhurojë ty!”