Dëmet e ngrënies me tepri
Në burimet klasike islame trajtohen mjaft mirë temat, që i përkasin ngrënies me tepri dhe dhjamosjes.
Ajetet kuranore: “…Hani dhe pini, e mos e teproni…” (Araf, 31) dhe “…Mos e hidhni veten në rrezik…” (Bekare, 195), e mjaft të tjera që përmenden në Kuran, mund të quhen edhe si paralajmërime hyjnore kundër tejkalimit të kufijve në të ngrënë dhe të pirë, që për pakujdesinë tonë sjellin pasoja shumë të rënda për vetë trupin.
“Zoti i vendosi të gjitha mjekimet në gjysmën e një ajeti të Kuranit, kur Ai tha: “Hani dhe pini, e mos e teproni”.
Profeti Muhamed (a.s), gjithashtu ka tërhequr vëmendjen ndaj dhjamosjes dhe ngrënies me tepri. Në hadithet e tij të shumta, ai ndërmjet të tjerave ka thënë: “Ngrënia me tepri nuk sjell shëndet të mirë”, “Mos e mbushni stomakun me ushqim e pije. Ngrënia e tepruar e rraskapit trupin dhe sjell sëmundje. Ndiqni një rrugë të mesme në të ngrënë e në të pirë, sepse kjo ju përmirëson trupin”.
Ndërsa Imam Gazaliu ka thënë: “Mos i vritni zemrat tuaja me të ngrënë e të pirë të tepërt, sepse zemra është si një fushë e mbjellë; vaditja e tepërt e kalb farën.”
Një mjek të shquar e pyetën: “Cili është ilaçi më i mirë?” Ai u përgjigj: “Nevoja – domethënë uria.” Kur e pyetën se çfarë është sëmundja, ai tha: “Ushqimi që zë ushqimin.”