Cili është qëllimi yt në jetë?
Njeriu fisnik, njeriu i sinqertë nuk lejon që t’i kalojë jeta kot. Ai përpiqet ta kurorëzojë atë me vepra të mira, sepse ai nuk bën pjesë midis atyre që me duar në xhepa e kalojnë jetën pa punë, nuk bën pjesë ndër ata, që duke u nisur nga motive egoiste dhe lakmisë për pasuritë e kësaj bote, janë të gatshëm të shkelin edhe mbi njerëzit e tjerë.
Qëllime në jetë ka shumë. Njerëzit orientohen në jetë sipas prirjeve të tyre. Por për besimtarin, Allahu ka caktuar një qëllim të lartë. E ky qëllim është: adhurimi i pastër ndaj Tij, të jesh plotësisht njeri i drejtë e i sinqertë, të edukosh shpirtin tënd në shkallën më të lartë.
Hapësirat për përsosmërinë e shpirtit janë të pakufizuara. Puna, kujdesi, vullneti i fortë, dashuria ndaj diturisë e të mësuarit, mëshira, vetëmohimi e çdo gjë që kryhen në emër të Allahut – janë disa nga fushat, nëpër të cilat njeriu arrin drejt qëllimit të lartë. Njerëzit që jetojnë pa një ideal, janë larg qëllimeve të vërteta jetësore.
Lumturia e vërtetë e njeriut dhe kënaqësive reale të jetës, qëndron në betejën kundër tundimit të epsheve të veta, të ndjellura nga shejtani dhe në arritjen e fitores ndaj tyre. Vetëm kështu, njeriu ecën përpara nëpër shtegun e përsosmërisë drejt qiejve, drejt pafundësisë, lumturisë dhe kënaqësisë së përjetshme, drejt të qenit njeri i vërtetë…