Çfarë përfitojmë nga falja e namazit të natës gjatë muajit të Ramazanit?
Muaji i Ramazanit është një stinë e veçantë adhurimi, nga e cila mund të përfitojë çdo njeri. Në këtë muaj, besimtarët bashkojnë mes adhurimit të ditës dhe atij të natës. Ditët e Ramazanit i kalojnë me agjërim dhe netët e tij me falje të namazit të teravive dhe leximit të Kuranit. Një dijetar i njohur e përshkruan këtë si një lloj “xhihadi”, ku besimtari bën atë që kërkohet prej tij ditën dhe natën. Teksa i kalojmë ditët e Ramazanit me agjërim, përfitimet e të cilit janë vërtet të mëdha, ne duhet të mendojmë edhe për sa i përket vlerës që ka falja e namazit gjatë netëve të Ramazanit.
Ky namaz ka marrë një emërtim specifik, duke u quajtur si namazi i teravive, por ai është pjesë e faljes së namazit të natës. Çdo vlerë dhe begati që përmendet rreth namazit të natës është njësoj e vlefshme edhe për namazin e teravive. Profeti (a.s) ka thënë: “Kush falet netëve të Ramazanit me besim dhe duke shpresuar shpërblimin nga Allahu, atij njeriu do t’i falen të gjitha mëkatet e kaluara.” Ky hadith e tregon shumë qartë vlerën e këtij namazi dhe ai na shërben për pastrimin nga çdo mëkat.
Padyshim, Zoti i Gjithësisë i lavdëron ata që lënë shtratin e rehatinë e tyre dhe çohen për t’u lutur e për t’u falur. Këta njerëz në vend të rehatisë dhe gjumit të thellë zgjedhin të kalojnë pak kohë në adhurim e falje. Ata shpresojnë shpërblimin e Zotit të tyre dhe e dinë që namazi i natës ka një vlerë të veçantë. Profeti (a.s) ka thënë: “Namazi më me vlerë tek Allahu pas namazeve obligative, është ai natës.” Kush e fal këtë namaz do të përfitojë begati të mëdha në jetën e tij. E para prej tyre është falja e gjynaheve dhe pranimi i lutjeve.
I Dërguari i Zotit (a.s) tregoi përkushtim të veçantë në faljen e këtij namazi, sidomos në muajin e Ramazanit. Këtë traditë e ndoqën shokët e tij dhe myslimanët e tjerë deri në ditët tona. Falja e këtij namazi në muajin e Ramazanit përputhet shumë mirë edhe me atmosferën e këtij muaji, ku çdo njeri mundohet të tregojë përkushtim të veçantë në adhurim. Për sa i përket faljes së këtij namazi me xhemat dhe qëndrimit në xhami derisa imami të përfundojë namazin, Profeti (a.s) ka thënë: “Kush falet pas imamit derisa ai të mbarojë, do t’i shkruhet sikur të jetë falur gjithë natën.”
Çdo adhurim që bëjmë në Ramazan synohet që ta vazhdojmë edhe pas tij. Devotshmëria nuk është e kufizuar vetëm në disa ditë të vitit, por ajo është një cilësi që duhet të na shoqërojë gjatë të gjithë jetës sonë. Agjërimi i muajit të Ramazanit na përgatit që ta vazhdojmë agjërimin edhe në kohë të tjera të vitit. Shmangia nga gjërat e papëlqyeshme gjatë këtij muaji, na përgatit që në të njëjtën rrugë të vazhdojmë edhe pas tij. Po ashtu, falja e namazit të natës në Ramazan na bën të kuptojmë se një namaz të tillë mund ta falim edhe gjatë gjithë periudhës së vitit. Qëllimi kryesor është në të qenit i vazhdueshëm në një vepër të caktuar dhe jo thjesht kufizimi i saj vetëm në disa ditë të vitit.