Çfarë është Nata e Kadrit?

Nata e Kadrit është këshilluar nga Profeti (s.a.s) të kërkohet në dhjetë ditëshin e fundit të muajit të Ramazanit, ndërkohë që është pranuar dhe festuar në natën e 27 të këtij muaji.

Le t’i hedhim një sy porosisë së Profetit mbi ato çfarë ka thënë mbi këtë çështje.

“Disa personave prej jush Nata e Kadrit u është treguar në shtatë ditët e para të muajit, ndërsa disa të tjerëve u është treguar në shtatë ditët e fundit. Ju kërkojeni atë në dhjetë ditët e fundit.”[1]

“ …Ju kërkojeni atë në netët teke të dhjetë ditëve të fundit.”[2]

Një ndër rrëfimet më të zgjeruara rreth kësaj teme na e përcjell sahabi i nderuar Ebu Said el-Hudri (r.a). Ai tregon:

“Profeti Muhamed (s.a.s) bëri itikaf në dhjetë ditët e para të Ramazanit. Më pas në dhjetë ditëshin e mesëm të muajit bëri itikaf nën një çadër të bërë me lëkurë dhie. Në vend të derës së çadrës ndodhej një hasër. I Dërguari i Zotit (s.a.s) e mori hasrën dhe e vendosi në një cep të çadrës. Më psa nxorri kokën dhe iu drejtua njerëzve që ndodheshin në Xhami. Populli u afrua nga ai. Ai i tha: “Unë, duke kërkuar natën e Kadrit bëra itikaf në dhjetë ditëshin e parë. Më pas e vazhdova itkafin edhe në dhjetë ditët e mesme të muajit. Më erdhi engjëlli dhe më njoftoi se Nata e Kadrit ndodhet në dhjetë ditëshin e fundit. Ata që kanë qenë në itikaf me mua deri tani, nëse duan, le ta vazhdojnë itikafin edhe këto dhjetë të fundit.” [3]

Nga sahabet e nderuar, Ubej bin Ka’b (r.a), tregon se vëllai i tij e ka rastisur Natën e Kadrit në natën e njëzet e shtatë të muajit, dhe e ka vërtetuar këtë duke u nisur nga shenjat që kishte dhënë Profeti (s.a.s) rreth asaj nate.[4]

Ashtu siç u vërejt edhe në hadithet e transmetuara, ka më shumë gjasa që Nata e Kadrit të jetë në netët teke të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. Profeti (s.a.s) duke iu dedikuar më shumë adhurimit këto dhjetë ditë të fundit, duke porositur njerëzit drejt një adhurimi më të thellë si dhe duke bërë personalisht itikaf në këto dhjetë ditët, e tregon më së miri këtë.

Sipas informacioneve që bëjnë pjesë në librat fetarë, thuhet se bashkë me Natën e Kadrit janë të fshehura (mister) “ Ora e pranueshme (të lutjeve) ditën e xhuma, namazi i mesëm brenda pesë vakteve, Ismi Adham (emri Më i Lartë ) në Emrat Hyjnorë, kënaqësia e Allahut brenda gjithë adhurimeve, kiajmeti në kohë dhe vdekja në jetë.” Kjo është për shkak që t’i mbajë muslimanët gjithmonë brenda një përgjegjësie para Allahut.

Kuptimi i Sures Kadr

“Ne e zbritëm atë (Kuranin) Natën e Kadrit. E ku di ti ç’është Nata e Kadrit. Nata e Kadrit është më e vlefshme se njëmijë muaj. Atë natë zbresin melekët dhe shpirti (Xhebralili) me lejen e Zotit të tyre për çdo çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.”[5]

Nata Më e Vlefshme se Njëmijë Muaj

Ashtu siç thuhet edhe në përkthimin e sures Kadr, njoftohet se është “ Më e vlefshme se një mijë muaj pa natën e Kadrit brenda tyre”. Ky përgëzim hyjnor është aq i qartë dhe i fortë sa nuk lë vend për asnjë koment tjetër. Si rrjedhojë, kjo është edhe një argument për vlerën e lartë të kësaj nate.

Ky transmetim nga Profeti (s.a.s) është gjithashtu i rëndësishëm përsa i përket kuptimit të vlerës së Natës së Kadrit:

Profetit tonë të nderuar iu tregua mosha e njerëzve të popujve të ardhur para tij. I Dëruari i Zotit e pa mjaft të shkurtër jetën e popullit të tij në krahasim me të tjerëve. Ai mendoi se populli i tij nuk mund të kryente punë të mira sa popujt e tjerë për shkak të jetës së shkurtër. Më pas Allahu i Madhëruar i dhuroi atij Natën e Kadrit që është më e vlefshme se një mijë muaj.[6]

Nata e zbritjes së Kuranit

Nata e shenjtë e Kadrit është gjithashtu një burim që mbart vlera të pallogaritshme. Pikërisht këtë natë, Profetit tonë (s.a.s) ka nisur t’i zbresë Kur’ani Famëlarë i cili është një mrekulli e përjetshme dhënë Profetit (s.a.s) prej Zotit të botëve. Mrekullia, dhe drita e Kur’anit do vazhdojë deri në kijamet.

Zemra e njeriut ndriçohet me Kur’an dhe i përforcohet me kuptimet e larta e të thella të tij, i shkathtësohet mendja. Zemra e një personi e cila nuk ka përfituar nga Kur’ani i përngjet një shtëpie të rrënuar. Atëherë le ta duam Kur’anin, ta lexojmë, ta mësojmë e t’ia mësojmë atë të tjerëve; të nxisim mësimin dhe leximin e tij. Gjithashtu të përpiqemi të mësojmë kuptimet e thella të ajete të Kur’anit si dhe të dëgjojmë prej atyre që e kanë kuptuar më së miri kët libër hyjnor.

Si ta vlerësojmë këtë natë?

Profeti (s.a.s) në një hadith të tijin ka thënë: “ Ai që e kalon Natën e Kadrit me adhurim duke besuar me zemër për vlerën e saj i falen të gjitha gjynahet e mëparshme.”[7]

Le të përmendim disa gjëra të cilat duhet të kryejnë besimtarët gjatë kësaj nate për ta vlerësuar sa më mirë atë:

  1. Këtë natë duhet kryer adhurim për hir të Allahut, duhet falur namaz dhe përforcuar ndjenja e adhurimit.
  2. Duhet lexuar sa më shumë Kuran, të dëgjohet ai që e lexon atë si dhe të meditohet mbi ato ç’ka thotë Kur’ani.
  3. Duhet të biem në salavat mbi Profetin tonë (s.a.s), të shpresojmë në shefaatin e tij, të forcojmë vetëdijen e të qenit nga umeti i tij dhe të rinovojmë besnikërinë ndaj tij.
  4. Duhet të kërkojmë falje e mëshirë nga Allahu, të bëjmë autokritikë ndaj nefsit tonë dhe të bindim veten të kthehemi drejt rrugës së drejtë.
  5. Të bëjmë sa më shumë dhikër (përkujtim) e të meditojmë. Vetëm me përkujtimin e Allahut gjejnë prehje e shpëtim zemrat.
  6. Të lutemi sa më shumë, sepse duaja është mjeti që e afron më shumë robin me Zotin e tij. Transmetohet se Profeti Nderuar (s.a.s) këtë natë ka bërë këtë dua: “Allahumme inneke afuvvun, tuhibbu’l-afue fa’fuanni.” (Zoti im! Ti je Falës, të pëlqen të falësh, më fal dhe mua!
  7. Këtë natë të shenjtë duhet të kërkojmë prej Allahut të falë të gjithë besimtarët. Të lutemi që kjo natë të bëhet të bëhet shkak për forcimin e dashurisë dhe vëllazërisë, për bashkimin e botës Islame dhe për ruajtjen e gjithë njerëzimit nga fatkeqësitë.

[1] Muslim, Sijam ,208

[2] Muslim, Sijam, 212

[3] Muslim, Sijam, 215

[4] Muslim, Sijam, 220

[5] Surja Kadr, 1-5

[6] Taxh, II, 135

[7] Rijadus-Salihin, II, 464

 

Postime të ngashme