Çfarë është besimi?
Besimi është edhe dritë edhe fuqi. Njeriu që arrin besimin e vërtetë, mund ta sfidojë gjithësinë dhe sipas fuqisë së besimit që ka, mund të shpëtojë nga trysnia e ngjarjeve dhe dukurive. Por asgjë nuk mund të dalë në fushën e ekzistencës në botën e jashtme e në botën tonë të brendshme, pa e njohur Allahun, pa u mbështetur në fuqinë e Tij. Deklaratat e Kur’an-it në formën: “Krijuesi i ҫdo gjëje është Allahu”, na mësojnë se ҫdo formim, ndryshim dhe transformim objektiv-subjektiv në ekzistencë, ndodh me anë të aktit krijues të Tij. Prandaj themi se është Allahu që i jep ekzistencë besimit dhe orientimit të shfaqur në zemrën e njeriut. Kjo e vërtetë është shprehur kështu në Kur’an: “Allahu jua bëri të dashur besimin dhe jua zbukuroi ndër zemra.” (Huxhurat 49/7). “Kë ta orientojë Allahu, ai është orientuar…” (Isra 17/97).
Allahu (xh.xh.) nuk i’a “jep me zor” në zemër besimin atij që nuk e kërkon atë duke përdorur vullnetin e vet. Besimi është një burim drite që, duke e ҫliruar njeriun nga kufijtë e ngushtë, statikë dhe mbytës të botës fizike, e bashkon atë në një të vetëm me botët jashtë tij dhe e ndriҫon atë. Duke u nisur nga fakti që besimi e bën njeriun bashkëbisedues të Allahut, i cili është Zotëruesi i vetëm i gjithë ekzistencës, dhe e lidh pas Tij,është një burim i madh force që i jep njeriut qetësi dhe nder.
© URTËSI.AL