Çfarë është A’rafi?

Fjala a’raf, kuptimi leksikor i së cilës është majë, vend i lartë, mur, mal, emërton një vend të lartë që ndodhet mes Xhenetit dhe Xhehenemit. Lidhur me ata që ndodhen në A’raf, në Kur’an thuhet kështu:

وَ بَيْنَهُمَا حِجَابٌ وَ عَلَى الأَعْرَافِ رِجَالٌ يَعْرِفُونَ كُلاًّ بِسِيمَاهُمْ وَ نَادَوْا أَصْحَابَ الْجَنَّةِ أَن سَلامٌ عَلَيْكُمْ لَمْ يَدْخُلُوهَا وَ هُمْ يَطْمَعُونَ وَ إِذَا صُرِفَتْ أَبْصَارُهُمْ تِلْقَاء أَصْحَابِ النَّارِ قَالُواْ رَبَّنَا لاَ تَجْعَلْنَا مَعَ الْقَوْمِ الظَّالِمِينَ

E mes atyre dyve  (dy grupeve) është një mur (perde), e mbi A’raf (lart mbi mur) janë burra që e njohin secilin (të Xhenetit dhe të Xhehenemit) me shenjat e tyre. Ata i thërrasin banorët e Xhenetit: “Paqja qoftë mbi ju.” Ata (të A’rafit) nuk do të kenë hyrë ende në xhenet, ndonëse shpresojnë. E kur t’i kthejnë sytë nga banorët e zjarrit, do të thonë: “O Zoti ynë, mos na hidh midis këtyre njerëzve të këqij. (Araf:46-47)

Në fakt, A’raf do të thotë interval, vend në mes. Me kuptimin që del nga ajeti, ndodhet mes Xhenetit dhe Xhehenemit, por mbi cilësinë e tij nuk kemi ndonjë njohuri. Në Kur’an përmenden banorët e A’rafit, të cilët shohin nga banorët e Xhenetit dhe u thonë: Paqe juve. Pastaj i hedhin vështrimet nga banorët e Xhehenemit dhe thonë: “Zoti ynë, mos na hidh midis këtyre njerëzve të këqij. Kjo do të thotë se Banorët e A’rafit, nga njëra anë janë në marrëdhënie me banorët e Xhenetit, nga ana tjetër, me banorët e Xhehenemit. Që të dyja palët i njohin e i dinë nga afër. Sipas një mendimi, këta njerëz që shohin Xhenetin dhe mbushen me shpresë, shohin Xhehenemin dhe rrëqethen nga frika, janë persona që, për t’u bërë plotësisht të gatshëm për të hyrë në Xhenet, duhet të shijojnë për njëfarë kohe një shqetësim dhe dëshirim të tillë. Allahu xh.sh. e di të vërtetën dhe aspektin e brendshëm të çdo gjëje dhe vetëm Allahu e di se ç’është A’rafi dhe cilët janë banorët e tij.

Postime të ngashme