Ç`është bërë në rrugën e dashurisë për Profetin Muhamed (s.a.s.)? (I)
Që nga koha e lumturisë e deri në ditët tona, shumë zemra janë djegur nga dashuria për të (s.a.s). Duke filluar që nga sahabët e nderuar dhe duke vazhduar me të gjithë ata që i besuan atij, çfarë nuk bënë në rrugën e dashurisë për të! Nëqoftëse dëshironi përgjigjen e kësaj pyetjeje, le të fillojmë me ata që dëshmuan gjendjen, fjalët dhe veprimet e Profetit (a.s.).
Po, sahabët e nderuar ishin shumë të lidhur pas të Dërguarit të Allahut. Ata besonin se çdo fjalë dhe sjellje e Profetit (a.s.) ishte një derë që të shpinte drejt xhennetit. Çdo gjë që vinte prej tij (a.s.), konsiderohej të ishte një kujtim i bekuar.
Ata ishin të ndjeshëm nga çdo kujtim që vinte prej tij, qoftë edhe i vogël, sa thuajse dridheshin kur mendonin për të. Për më tepër, në atë grup yjesh, nuk ishin të paktë ata që nuk i mbanin dot lotët kur kujtohej emri i Profetit (a.s), pasi ai kishte kaluar në amshim. Ishte i madh edhe numri i atyre që i thonin: “Babai dhe nëna ime të qofshin falë, o i Dërguar i Allahut!” Kur priteshin flokët e Profetit (a.s), ata kujdeseshin që as një fije e flokut të tij të mos binte përtokë dhe kishte prej tyre që me ujin e abdesit të Profetit (a.s) lagnin duart dhe fytyrat e tyre.
Kur dëgjon Hz. Kabi (r.a) se Profeti (a.s) kishte tre ditë pa futur gjë në gojë, çohet menjëherë dhe shkon te një hebre, i cili ishte duke i dhënë ujë deveve të tij. Bie dakort me të që për çdo kovë të mbushur me ujë prej pusit, t`i japë në këmbim një hurmë. Kështu me mundin e duarve të tij fiton prej asaj që ishte më e pastër, në mënyrë që ta gostiste Profetin Muhamed (s.a.s).
Enes b. Maliku (r.a) nuk e quante natë atë natë që nuk shihte në ëndërr Profetin (a.s). Sërish Hz. Enesi (r.a) i shtrëngonte fort mbi kraharor mestet e mbetura prej Profetit (a.s) dhe dridhej se mos humbte ndonjëra prej tyre.
Abdurrahman b. Sadi (r.a), kur e kapte nervi te njëra këmbë, kujtonte me përzemërsi emrin “Muhamed”, dhe kështu i kalonte dhimbja.
Kur prijësi i besimtarëve, asokohe Hz. Muavije (r.a) dëgjon se në Sham dikush kishte një xhube të Profetit (a.s), për ta marrë atë propozon t`i japë ar aq sa pesha e atij personi.
Hz. Omeri (r.a) pa e ditur, me duart e tij prek një ulluk të vendosur prej Profetit (a.s) dhe ai bie në tokë. Kur e merr vesh këtë, vendos kokën nën këmbët e xhaxhait të Profetit, Hz. Abbasit (r.a) dhe për të respektuar kujtimin e mbetur prej Profetit (a.s), kërkon që ai ulluk të vendosej sërish në vendin e tij.
Kur Ahmed b. Hanbeli (r.a) ndjeu se po i afrohej vdekja, kërkoi prej të afërmëve që tre fijet e flokut të Profetit (a.s), që asnjëherë s’i ndante prej vetes, dy t’i vendoseshin te sytë, një te gjuha dhe ashtu ai tha fjalën e dëshmisë dhe dorëzoi shpirtin.
Sipas shprehjes së Abdullah b. Muberekut (r.a), për shkak të nderimit ndaj Profetit (a.s), Imam Maliku nuk hipte mbi kafshë teksa lëvizte nëpër Medine. Kur ndodhej në xhaminë e Profetit (a.s) fliste gjithnjë me zë të ulët dhe njëherë teksa ishte duke transmetuar hadithe prej Profetit (a.s), e pickon akrepi, i ndryshon ngjyra, zverdhet, por nuk e ndërpret mësimin. Kur mbaroi mësimi dhe u shpërndanë njerëzit, disa e pyetën për këtë gjendje dhe Imami i madh i Medines i tha: “Një akrep më pickoi disa herë dhe po i duroja të gjitha. Këtë nuk e bëra vetëm për dashurinë dhe nderimin që kam ndaj Profetit Muhamed (s.a.s).”
Prej atyre që nga brenda i shpërthente dashuria për Profetin (a.s) ishte edhe Theubani (r.a), i cili i tha atij: “Babai dhe nëna ime të qofshin falë o i Dërguar i Allahut! Çdo moment që kaloj larg teje më sjell një ndenjë malli. Kur kjo më ndodh në këtë botë, mendoj se çfarë do të bëj unë në ahiret? Atje ti do të jesh me Profetët, ndërsa gjendja ime nuk dihet. Për më tepër, nëse nuk futem në xhennet do të privohem përgjithnjë nga të parët ty o i Dërguar i Allahut! Kjo gjendje më dhemb shumë o i Dërguar i Allahut!” Dhe si përgjigje ndaj kësaj merr fjalën e artë: “Njeriu do të jetë me atë që do!”
Ebu Mahdhure prej sahabëve të nderuar (r.a), as nuk i priste dhe as nuk i ndante flokët që kishte mbi ballë. Shkakun e kësaj e shpjegonte: “Sepse mbi to ka prekur dora e të Dërguarit të Allahut (s.a.s).”
Abidetu Selmani (r.a), që ishte bërë mysliman dy vjet përpara se të ndërronte jetë Profeti (a.s), e shihte më të shtrenjtë se të gjithë pasurinë e tij, një fije floku të mbetur prej të dashurit (a.s).
Thabit el Bunani i thoshte mësuesit të tij Enes b. Malikut (r.a): “M’i jep t`i puth duart, që kanë prekur duart e Profetit Muhamed (s.a.s)!”