Buzëqeshja e fundit e Profetit (a.s)
Enes b. Maliku tregon: Ebu Bekri priu namazin e një xhenazeje gjatë kohës që Profeti (a.s) u sëmur. Të hënën, ndërsa besimtarët u rreshtuan për t’u falur, Profeti hapi perden e dhomës së tij dhe pa ata që po faleshin. Pavarësisht dobësisë së tij, ai u buzëqeshi të pranishmëve. Enesi tregon se ata u gëzuan dhe u befasuan nga vështrimi që u hodhi i Dërguari i Allahut teksa bëheshin gati të fillonin faljen. Ebu Bekri bëri një hap pas, duke menduar që Profeti (a.s) do të vinte të drejtonte faljen, por ai u bëri me shenjë që të vijonin. Pastaj me një shprehi kënaqësie në fytyrë, uli perden dhe shkoi në dhomën e Aishes.
Po në të njëjtën ditë, ai u largua nga kjo botë. Ai u nda nga shokët e tij me një buzëqeshje. Buzëqeshja e tij, si për xhematin e asaj kohe, po ashtu edhe për kohën tonë, është një kujtim i vyer, një përgjegjësi e pafund. Domethënien e thellë të kësaj buzëqeshje mund ta përjetojmë vetëm nëse reflektojmë dhe veprojmë në përputhje me atë që e kënaqte Profetin (a.s). Ne duhet të jemi xhemati, komuniteti që e kënaq Profetin (a.s). Çdo mysliman duhet ta gdhendë këtë kujtim në zemrën e tij dhe ta përkujtojë në fshehtësi.
Profeti (a.s) pushtoi shumë zemra me buzëqeshjen e tij të ëmbël, me temperamentin bujar dhe durimin e tij. Zoti i Lartësuar i drejtohet atij, duke i thënë: “Po të ishe treguar i ashpër dhe i pandjeshëm, ata me siguri do të ishin larguar prej teje.” (Ali Imran, 159)