Bullizmi, si ta dalloni dhe si ta ndihmoni fëmijën t’i bëjë ballë
Çfarë është bullizmi?
Në pamje të parë, bullizmi i ngjan talljes. Disa fëmijë i tallin fëmijët e tjerë në mënyrë të përsëritur. Ndonjëherë, disa fëmijë mund t’i tallin të tjerët, sepse duan t’i lëndojnë ose t’i lënë jashtë lojërave. Në këto raste, tallja bëhet bullizëm. Kërkuesit janë përpjekur prej vitesh ta përcaktojnë bullizmin.
Olweus (1987) e ka përcaktuar bullizmin, si “një fenomen që ndodh kur një individ, i paaaftë të mbrojë veten, ekspozohet në mënyrë të përsëritur dhe për një periudhë të gjatë kohe ndaj dëmtimit të qëllimshëm nga një ose disa të tjerë, në mënyrë direkte ose indirekte”. Pra, bullizmi shfaqet në formën e agresionit fizik ose psikologjik. Bullizmi fizik përfshin goditjen, kafshimin, shtyrjen, shkelmimin dhe marrjen e sendeve personale, ndërsa ai psikologjik përfshin abuzimin verbal, vendosjen e nofkave, gjestet kërcënuese, fshehjen e vazhdueshme të sendeve të tjetrit, përjashtimin nga aktivitetet e dëshirueshme.
Në praktikë, format e ndryshme të bullizmit ndodhin së bashku. Vajzat janë më të prirura drejt bullizmit verbal, ndërsa djemtë drejt atij fizik.
Shumë njerëz mendojnë se bullizmi fillon në shkollë, mirëpo ai mund të ndodhë edhe te fëmijët parashkollorë. Shpesh, gjatë viteve të hershme, bullizmi nuk vihet re, pasi është e vështirë të bësh dallimin mes eksperimentimit social normal dhe sjelljes bulliste. Një nivel i caktuar agresiviteti është normal te fëmijët parashkollorë. Megjithatë, sjellja e tejkalon normalitetin kur fëmija kënaqet duke i parë të tjerët të lëndohen ose kur kërkon mënyra për të shkaktuar dhimbje apo lëndim te fëmijë të tjerë.
Si t’i dalloni shenjat e bullizmit?
Për të dalluar nëse fëmija juaj është viktimë e bullizmit, ju duhet të kërkoni për këto shenja:
- Shenja fizike,si gërvishtje, të prera, nxirje, ankesa për dhimbje koke ose dhimbje stomaku pa shkak, gjumë i pakët, lagie të shtratit, rroba të grisura.
- Shenja emocionale, si ankth, nervozizëm, distres, palumturi, të qara, tërheqje, ndryshime të papritura në sjellje, vështirësi për t’u përqendruar, zemërohet shpejt, mban sekrete, është i palumtur edhe në fundjavë.
- Frikë e papritur për të shkuar në çerdhe/kopsht. Fëmija nuk dëshiron të shkojë në çerdhe/kopsht, qëndron afër edukatoreve, e ka të vështirë të bëjë pyetje ose t’u përgjigjet pyetjeve të edukatores, nuk merr pjesë në aktivitete, ulet vetëm, shmang kontaktin me sy kur e pyet për çerdhen ose kopshtin.
- Shenja të tjera.Fëmija thotë se po e tallin, përqeshin, kërcënojnë, dhunojnë. Mund të flasë shpesh për një fëmijë që “sillet keq me të”.
Si mund ta ndihmoni fëmijën tuaj?
- Nëse dyshoni se fëmija juaj është viktimë e bullizmit, sigurojeni që do ta ndihmoni, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse ai ju tregon se çfarë po i ndodh. Nëse fëmija juaj duket i frikësuar, përdorni libra, të cilat janë një mënyrë e sigurt dhe jokërcënuese për të hapur linja komunikimi. Ka libra që adresojnë temën e bullizmit. Kur fëmija të ketë zbuluar detajet e bullizmit që po i ndodh, qëndroni të qetë, shmangni gjykimin dhe sigurojeni që do ta ndihmoni për ta frenuar bullizmin.
- Bisedoni me edukatoren. Edhe pse në mjediset e çerdheve dhe kopshteve, ka gjithmonë të rritur të pranishëm, ata nuk mund të shohin gjithçka. Meqënëse bullistët preferojnë të godasin kur të rriturit nuk shohin, është me rëndësi që të flisni me edukatoren e fëmijës suaj dhe ta vini në dijeni për situatën, që ajo të bëhet më vigjilente.
- Përfitoni nga “dyert e hapura”.Nëse në çerdhen ose kopshtin e fëmijës suaj, ju lejohet që të merrni pjesë gjatë aktiviteteve ditore, përfitoni nga kjo dhe përfshihuni për të vëzhguar çfarë ndodh.
- Lini një takim me prindër.Bullizmi shpesh mësohet nga përvojat në shtëpi, si dhuna familjare, shfaqjet e papërshtatshme në televizor ose sharjet nga vëllezërit/motrat. Punoni me stafin për të lënë një takim me prindërit e fëmijëve bullistë për të diskutuar mbi sjelljen, por mos u habisni nëse ata janë jobashkëpunues ose mohues.
- Mbrojeni fëmijën.Jepini fëmijës mjetet e duhura për t’u përballur me bullistin. Mësojeni që t’i dalë zot vetes, ta shohë bullistin në sy, t’i tregojë një të rrituri dhe të mos qëndrojë vetëm. Ju mund ta fuqizoni fëmijën tuaj edhe duke bërë lojë me role me të, që ai të praktikojë përgjigjet e duhura. Fëmijët me besim te vetja kanë më pak gjasa që të bëhen shënjestër e bullistëve, ndaj duhet të gjeni mënyra për të rritur vetëvlerësimin e tij. Ju mund ta ndihmoni atë që të krijojë miqësi jashtë çerdhes ose kopshtit dhe të përfshihet në aktivitete që ia shtojnë vetëvlerësimin.
- Largojeni nga grupi. Ndonjëherë bullizmi mund të jetë aq agresiv, saqë përpjekjet që mund të bëni mund të rezultojnë të pasuksesshme. Nëse ndodh kjo, bisedoni me drejtuesin e institucionit për ta lëvizur fëmijën në grup tjetër.
Bullizmi në çerdhe dhe kopshte ndodh më shpesh sesa mund të mendoni. Nëse fëmija juaj është një “viktimë” e tij, mos i thoni të bëhet më i fortë dhe mos e lini të merret vetë me situatën. Ju duhet të merrni masa për ta ndihmuar atë, duke folur për shqetësimin, duke bërë vizita në çerdhe ose kopsht dhe duke i dhënë fëmijës mjetet e nevojshme për të shmangur bullizmin në jetë.
Bullizmi ka efekte negative në shëndetin psikologjik të fëmijëve të vegjël, por ai nuk ndikon vetëm viktimat. Edhe bullistët janë të rrezikuar. Studimet tregojnë se, ata që kanë ushtruar bullizëm në fëmijëri, janë të prirur drejt alkoolit dhe drogës, abuzojnë me partnerët e tyre, përfshihen në aktivitete kriminale dhe kanë marrëdhënie negative me shokët.
Prandaj, institucionet parashkollore, prindërit dhe grupet e komunitetit duhet të punojnë së bashku për të luftuar bullizmin. Bullizmi mund të jetë shkatërrues për vetëvlerësimin e fëmijës suaj, ndaj ai ka nevojë për dashuri, mbështetje dhe sigurim se ju po veproni për ta ndaluar bullizmin.