Besimi Islam
BESIMI
Fjala iman do të thotë besim, siguri. Si terminologji e fesë islame, iman (besim) do të thotë miratim dhe vërtetim i Profetit Muhamed (s.a.s.) në konkluzionet fetare të njohura si kategorike (dharurat-i dinije) të sjella prej tij nga Allahu i Lartë, pranim pa lëkundje i gjërave të lajmëruara prej tij, besim me zemër se ato janë të drejta e të vërteta, do të thotë pohim i ndërgjegjshëm dhe ndjesi me zemër. Në lidhje me përkufizimin e besimit, ka pasur nga ata që, krahas miratimit me zemër, kanë shtuar edhe shprehjen “pohim me gojë”. Ndërkaq, shumica e dijetarëve, pohimin (deklarimin me gojë) e kanë konsideruar kusht vetëm për zbatimin e konkluzioneve materiale-temporale. E thënë ndryshe, pohimin e kanë parë jo si thelbin dhe të vërtetën e besimit, por si kusht të tij. Duke u nisur nga kjo, edhe nëse një njeri që ka besuar me zemër, në disa situata, nuk e pohon dot besimin me gojë, besimi i tij vazhdon të jetë i vërtetë dhe i vlefshëm. Bie fjala, ashtu siç besimi i memecit është i vlefshëm, edhe besimi i personit i cili, përballë detyrimit për mohim ose herezi dhe rrezikut të jetës, mohon me gojë, vazhdon të mbetet i vërtetë. “Përveç atyre që, duke e pasur zemrën plot besim, detyrohen me forcë ta mohojnë fenë dhe e thonë fjalën e mohimit vetëm me gojë, ndërsa ata që ia hapin zemrën mosbesimit, do të kenë mbi vete zemërimin e Allahut dhe një dënim të madh. “(Nahl, 16/106)
Politeistët kurejshë e shtrënguan Jasirin dhe familjen e tij të ktheheshin nga feja. Kur Jasiri me të shoqen, Sumeje, nuk pranuan, politeistët i copëtuan me anë të deveve. Amari (r.a.) që e pa se ç’pësuan i ati me të ëmën, e tha me gojë atë që deshën politeistët. Profeti (s.a.s.) bëri të ditur se Amari përdori lejen e dhënë. Ajeti i mësipërm është zbritur për të njoftuar këtë leje.
Besimi është një pishtar që ndez Allahu brenda vetes së njeriut në përfundim të përdorimit nga njeriu të mendjes/arsyes ose në përfundim të meditimit të universit dhe të vetvetes.
Besimi është edhe dritë, edhe fuqi. Njeriu që arrin besimin e vërtetë, mund ta sfidojë gjithësinë dhe, sipas fuqisë së besimit që ka, mund të shpëtojë nga trysnia e ngjarjeve dhe dukurive.
Të vërtetën e besimit, e cila është çështja më me rëndësi e njerëzimit, mund ta trajtojmë nga këndvështrime të ndryshme:
- Besimi sipas çështjeve ose bazave që duhen pohuar
Specifikat që duhen besuar, Profeti (s.a.s.) i ka përmbledhur në gjashtë baza: besimi te Allahu, besimi te engjëjt e Allahut, besimi te librat e Allahut, besimi te të dërguarit e Allahut, besimi në botën tjetër dhe besimi te kaderi i Allahut.[1] Në këtë deklaratë Profetike të njohur si hadithi Xhebrail, besimi trajtohet së bashku me konceptet islam dhe ihsan. Si i fundit i tre koncepteve të përmendura njëri pas tjetrit, këtu, ihsan përcaktohet si vetëdije e adhurimit sikur ta shihje Allahun. Kjo na tregon këtë të vërtetë: për të kapur një horizont të tillë vetëdijeje, njeriu, para së gjithash, duhet t’i ngrejë mendimet dhe përfytyrimet mbi një besim të shëndoshë, bazat e të cilit i ka përcaktuar feja. Dhe këtë besim duhet ta ngulisë dhe thellojë me vlerat praktike të Islamit, si namazi, agjërimi, dhurimi etj.
- Besimi sipas shtresimit në zemër
Asgjë nuk mund të dalë në fushën e ekzistencës në botën e jashtme e në vetveten tonë (në botën tonë të brendshme) pa e njohur Allahun, pa u mbështetur në fuqinë e Tij. Deklaratat e Kuranit në formën “Krijuesi i çdo gjëje është Allahu”[2], na mësojnë se çdo formim, ndryshim dhe transformim objektiv-subjektiv në ekzistencë, fiton ekzistencë me anë të aktit krijues të Tij. Prandaj themi se është Allahu që i jep ekzistencë besimit dhe orientimit të shfaqur në zemrën/vetveten e njeriut. Kjo e vërtetë është shprehur kështu në Kuran: “Allahu jua bëri të dashur besimin dhe jua zbukuroi ndër zemra.” (Huxhurat, 49)7); “Kë ta udhëzojë Allahu, ai është udhëzuar…” (Isra, 17/97)
Allahu (xh.xh.) nuk ia vë me zor në zemër besimin atij që nuk e kërkon besimin duke përdorur vullnetin e vet. Dhe le ta pohojmë menjëherë se nga kjo përjashtohen ata që Allahu i orienton me favorin detyrues (determinues) mbështetur mbi shumë urtësi të Tij që i dimë apo nuk i dimë. Dhënia njeriut besim dhe orientim nga Allahu varet nga zelli dhe përpjekja që ka për të treguar njeriu për këtë. Parashtrimet e bëra nga dijetarët suni nga ky këndvështrim mbi besimin mund t’i përmbledhim në këtë mënyrë: “Besimi është një dritë e ndezur ose e krijuar nga Zoti në zemrën e njeriut pasi njeriu të ketë përdorur vullnetin e vet të pjesshëm!”
- Besimi sipas vlerave dhe mundësive që i ka përftuar njeriut
Besimi është një burim drite që, duke e çliruar njeriun nga kufijtë e ngushtë, statikë dhe mbytës të botës fizike, e bashkon atë në një të vetëm me botët jashtë tij dhe e ndriçon atë.
Duke u nisur nga fakti që besimi e bën personin bashkëbisedues të Allahut, i cili është zotëruesi i vetëm i tërë ekzistencës, dhe e lidh pas Tij, është një burim i madh force që i jep njeriut qetësi dhe nder.
[1] Shih. Muslim, Iman, 1; Ebu Davud, Sunne, 15.
[2] Shih. En’am, 6/102; Ra’d, 13/16; Zumer, 39/62; Gafir, 40/62.