Babai i Imam Ebu Hanifes dhe molla
Një ditë, babai i themeluesit të shkollës juridike hanefite Imamu’l-A’dham Ebu Hanifes, Nu’man bin Thabit, po merrte abdes pranë një përroi. Sapo do të fillonte të merrte abdes shikon një mollë të cilën e kishte marrë uji. Pa e menduar se nga vjen, a është hallall apo haram, e kafshon mollën. Deri në atë moment, Nu’mani, i cili nuk e kishte menduar nga kishte ardhur molla, e kupton gabimin dhe mendon se duhet të gjejë të zotin dhe t’i kërkojë hallallin. Ai u nis andej nga vinte uji. Me mollën në dorë, duke kërkuar, gjen bahçen nga ku kishte rënë molla dhe të zotin e saj.
Ia shpjegon situatën dhe i kërkon hallallin. Ky veprim i Nu’manit i tërhoqi vëmendjen të pronarit të bahçes dhe i thotë që për t’ia bërë hallall kishte disa kushte. Nu’mani i thotë që pranon çdo gjë, vetëm t’ia bëjë hallall. Tjetri i thotë që duhet t’i shërbejë atij dy vite duke punuar në bahçen e tij. Nu’mani mendon: Më mirë t’i shërbej dy vite, sesa të vuaj dënimin në botën tjetër dhe pranon.
Pasi dy vitesh shkon pranë të zotit të bahçes, i thotë që koha është mbushur dhe i kërkon hallallin. Burri i thotë: “Sërish nuk ta bëj hallall. Kam një vajzë dhe vetëm po u martove me të do ta bëj hallall”. Nu’mani pranon. Por burri i thotë se vajza e tij kishte të meta fizike. Ishte e verbër, e çalë dhe shurdhe. I thotë ta mendojë mirë që të mos pendohet pastaj. Duke menduar sërish si më parë, që më mirë dënimin në këtë botë se në tjetrën, pranoi. Pasi bëhet dasma dhe shikon nusen, mendon se ka ndodhur ndonjë gabim dhe nuk është ajo nusja e tij, sepse vajza që shikon nuk kishte asnjërën prej cilësive që burri i pati thënë. Shkon të pyesë të vjehrrin dhe ai i thotë: “Ime bijë është e verbër, sepse nuk ka parë haram. Është shurdhe, sepse nuk ka dëgjuar haram. Është e çalë, sepse nuk ka ecur në rrugë të ndaluar”.
Pasi kaluan vite nga kjo martesë lindi Imam Ebu Hanife. Nëna e tij e dërgon te mësuesi i tij për ta edukuar. Ebu Hanife, i cili më vonë do të merrte titullin “Imamu’l-A’dham”, që në moshën tre vjeçare e mbaroi Kur’anin për tri ditë. Për këtë, nëna e tij i tha: “Ah, mor bir! Sikur babai yt mos ta kishte kafshuar atë mollë do ta mbaroje për një ditë”.
Sa me ndjeshmëri kanë jetuar njerëzit më parë, saqë për diçka tepër të vogël, që mund të duket e parëndësishme tregonin kujdes dhe largoheshin nga të ndaluarat. Pikërisht prej atyre njerëzve kanë dalë dijetarë të mëdhenj si Imam Ebu Hanife e të tjerë.