Agjërimi të mëson vlerën e mirësive
Allahu i Madhërishëm e ka pajisur rruzullin tokësor me njëmijë e një lloje të mirash dhe ia ka dhënë atë njeriut në dorë. Çdo ditë, nga qiejt na zbritet e na shtrohet një sofër e re dhe ngrihet një sofër e vjetër. Pemët japin vazhdimisht fruta dhe mbi sipërfaqen e tokës mbijnë mirësi të shumëllojshme. Në shumë prej ajeteve të tij Kurani Fisnik na kujton mirësitë e Zotit. Ja disa syresh:
“Në qiell janë rrisku juaj dhe gjërat që ju janë premtuar.”
“Ne zbritëm një masë të caktuar uji nga qiejt dhe e mbajtëm atë mbi Tokë. Dhe Ne kemi fuqi edhe që ta kthejmë mbrapsht atë ujë. Me atë ujë krijuam për ju kopshte hurmash dhe vreshta me rrush; ju përfitoni dhe hani prej frutave të tyre.”
“Të mendohet njëherë njeriu për ato me të cilat ushqehet. Ne zbritëm ujin nga qielli. Pastaj e çamë tokën, rruzullin dhe bëmë të mbinin në të frutat, rrushi, ulliri, hurmat dhe sa e sa të mbira të tjera me pemë të
dendura dhe të shumta dhe përrenj. Që t’ju bëjnë dobi juve dhe kafshëve tuaja.”
Allahu, si tokën, ashtu edhe qiellin, i ka shtruar në dobi të njeriut. Por ç’e do që njeriu është shumë mosmirënjohës me Zotin e tij. Megjithëse notojnë mes shumë e shumë mirësish, që edhe për ata vetë janë të panumërueshme, shumica prej tyre nuk janë as të vetëdijshëm. Njësoj si në shprehjen, “Ata të marrë, që në det notojnë, por detin s’e dinë.” – jetojnë të paditur sikur peshqit që jetojnë në ujë, por janë të pavetëdijshëm për ujin. Ndërsa agjërimi vë njëfarë rregulli në këtë sjellje të njeriut. Njeriu jeton si të ishte duke notuar mes mirësive dhe duke agjëruar kupton vlerën dhe rëndësinë që kanë këto mirësi, e për rrjedhojë përpiqet edhe që të falënderojë për to.
Vetëm në saje të agjërimit arrin ta kuptojë njeriu se ç’mirësi e madhe është një vesh rrushi që i buzëqesh i varur në degë. Veçanërisht në ditët e verës, ai kujton vlerën e vërtetë të ujit, të cilën e ka harruar se ç’mirësi e madhe është uji teksa e pinte me ëndje në ditët e nxehta. Teksa e kapërdin atë ujë në kohën e iftarit ai thotë: “O Zot! Vallë kështu janë edhe burimet e tua në Xhenet?” dhe arrin që ta shijojë që sa është në këtë botë ujin e burimeve të parajsës. Dhe një kujtesë e këtillë bëhet shkas që njeriu të fitojë një besim të atillë që është e pamundur të ta falë dot ndonjë gjë tjetër. Domethënë, ajo që u krijuaka në ndërgjegje nga mbyllja e gojës edhe ndaj gjërave të lejuara të Zotit – vetëm sepse është urdhëresë e Tij dhe për një farë kohe – qenka besimi në tërësinë e tij. Ai besim, që ndihet në ndërgjegje, në zemra dhe falë të cilit mund të arrihet paqja e synuar. Po, mirësitë janë të Allahut dhe Ai kërkon prej nesh falënderim në këmbim të këtyre mirësive. Ç’gabim dhe ç’mosmirënjohje e madhe, ta harrosh Allahun pavarësisht gjithë këtyre mirësive! Dhe ja, agjërimi, duke e ndërprerë përfitimin prej këtyre mirësive me vullnet, e shpëton njeriun nga harresa. Duke ua kthyer përkohësisht shpinën mirësive dhe duke e ndërprerë interesimin për to, robi sikur thotë: “Po, o Zot! Shiu, azoti që zbret bashkë me të, ajri, rrufeja, shkrepëtima, rënia në tokë e shiut, breshërit, borës, ekzistenca e tokës vetë dhe farat që nxjerrin kryet mbi syprinën e saj… të gjitha këto paskan qenë secila nga një mirësi shumë e madhe. Ne këtë e ndiem vetëmse duke qëndruar përkohësisht të kufizuar prej mirësive të Tua. Tani të kërkojmë Ty, të kujtojmë Ty dhe vetëm Ty të falënderojmë.” – Dhe këtyre fjalëve të tij Allahu i përgjigjet kështu:
“Përmendmëni mua, që edhe Unë t’ju përmend ju; falënderomëni Mua dhe kurrsesi mos u bëni mosmirënjohës.”
“Nëse më falënderoni, edhe Unë jua shtoj të mirat, por nëse m’i mohoni të mirat, nuk ka dyshim që ndëshkimi Im është shumë i ashpër.”