Agjërimi të mëson durimin
Durimi është kriteri më i rëndësishëm i arritjes së virtytit dhe lartësimit, dhe njëherazi ngadhënjimi i vullnetit. Pa të nuk mund të bëhet fjalë, as për zhvillimin e shpirtit, as për lartësimin dhe arritjen në fshehtësitë e qenies. Me durim njeriu shpëton nga vargonjtë e mishit dhe kockave dhe po me durim, shndërrohet në një engjëll të denjë për t’u shkrirë me botët e epërme.
Pesë kohët e namazit në ditë, agjërimi për më së paku një muaj në vit, dhënia e zekatit në një kohë të caktuar të vitit, vajtja të paktën njëherë gjatë jetës në haxh dhe përmbushja e gjithë urdhëresave të tjera në lidhje me jetën e adhurimit, nuk mund të realizohen përveçse nëpërmjet durimit. Njëherazi, ato e disiplinojnë jetën e njeriut dhe i hedhin përsipër një ngjyrë nga ajo e përtejësive. Dhe një jetë si kjo shkon veçse në vijën e dritës, begatohet dhe më në fund – me mirësinë e Allahut – jep Xhenetin si fryt. Prandaj, njeriu do të shtrëngojë dhëmbët, do të bëjë durim ndaj adhurimeve, duke e bërë jetën e tij të përndritur.
Edhe sabir-i, që shenjon një lëndë të hidhur helm që përdoret në industrinë farmaceutike prej vitesh, e ka prejardhjen po nga fjala sabr – durim. Prandaj ndoshta edhe durimi është si të kapërdish atë sabirin e stërhidhur, kur bën durim, shtrëngon dhëmbët, tregon zgjuarsi, nuk lëkundesh, nuk bie në paralizë të vullnetit, por i përballon dhe i tërheq njëherë thellë në kraharor. Vetëm se kjo hidhtësi ka të bëjë me çastin e parë. Sepse përfundimin dihet, përherë e ka pasur më të ëmbël edhe se sherbeti.
Nuk ka dyshim, që një nga dobitë më të mëdha të agjërimit është që ai e bën njeriun të mësohet. Përmes agjërimit njeriu merr një mësim tejet të madh durimi. Sepse atë e merr uria, por ai duron pa ngrënë; e zë etja dhe ai duron pa pirë; i bëhen sjellje të pahijshme, por ai sërish duron pa reaguar me të njëjtën monedhë e thjesht thotë, ‘jam me agjërim’. Për të shpjeguar këtë anë, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë: “Agjërimi është gjysma e durimit.”
Po, agjërimi është gjysma e durimit. Teksa ia lidh vetes duart, këmbët, gjuhën, buzët, veshët dhe rreh flatrat drejt Zotit, nëse i bën vetes kalë edhe durimin, atëherë njeriu bëhet si me dy krahë që do ta çojnë drejt e në shkrirje me lumturinë e pranisë së Allahut (xh.xh.). Në Kuranin Fisnik ka shumë ajete fisnike në lidhje me virtytet dhe shpërblimet për durimin. Por, duke ia lënë këtë çështje atyre hapësirave ku ajo është trajtuar veçanësisht, këtu do të mjaftohemi duke renditur vetëm disa syresh: “Për ata që durojnë dhe bëjnë punë të mira, ka një falje dhe shpërblim të madh.” “Bëj durim, sepse Allahu nuk e çon dëm shpërblimin për ata që veprojnë mirë.” “Atyre që durojnë, shpërblimi do t’u paguhet pa llogari.”
Një njeri që bën një jetë të rehatshme mes mirësish të gjithëfarëllojshme, nuk ka asnjë garanci që kjo jetë do të vazhdojë përherë e këtillë. Herë-herë, në një kohë fare të papritur, mund të vijë varfëria. Të jesh i pasur, por të falimentosh, – Zoti na ruajtë – ndodh një fatkeqësi dhe mund të humbasësh gjithçka, ndodh një luftë dhe mund të përballesh me lloj lloj vështirësish. Sepse Allahu është zotëruesi i vërtetë i çdo pasurie; ia jep atë kujt të dojë dhe kujt të dojë, ia merr nga duart atë. “Thuaj: O Zot, që je zotërues i pasurisë! Ti ia jep pasurinë (ç’ka në gjithësi) kujt të duash; kujt të duash, ia merr; kë të duash e lartëson, këtë duash e poshtëron. Jo, (pasuria) në dorën Tënde është. Ti je i Fuqishëm për çdo gjë.”
Duhet të jesh i përgatitur që më parë dhe ta kesh të përgatitur edhe trupin, edhe mendjen, edhe shpirtin, për çdo gjë që sjellin kohë të këtilla, në mënyrë që të mund t’i përballosh e të mos lëkundesh, kur këto kohë të vijnë te dera. Ja pra, adhurimi i agjërimit i jep njeriut një mësim të mirë përshtatjeje, që të mos e ketë të vështirë e të bjerë në pesimizëm me ardhjen e këtyre kohëve apo vështirësive të ngjashme. Njëfarësoj, duke agjëruar, agjërimi e ka përgatitur njeriun për vështirësi të shumëllojshme që mund t’i vijnë papritur thjesht duke i mësuar atij durimin ndaj disa nevojash tejet bazike, siç janë të ngrënët dhe të pirët. Kësisoj, njeriu mund të rezistojë më lehtë dhe me më pak mundim ndaj vështirësish, mundimesh dhe barrësh më të mëdha,të cilat mund të vijnë gjatë jetës së kësaj bote. Veç kësaj, shumë herë, shumica e njerëzve bëhen të varur nga uria. Në një rast si ky, kur përballet me diçka të tillë, njeriu duhet ta mësojë veten nëpërmjet urisë dhe ushqyerjes së përkorë, në mënyrë që të mund të durojë. Gjatë Ramazanit të Bekuar – edhe pse mund të ketë ndryshime sipas vendit dhe kohës – agjërimi zë thuajse gjysmën e ditës dhe bëhet kësimënyre durim, përballim, përkorje dhe trainim për urinë. Domethënë agjërimi është edhe ilaç i padurimit që i shumëzon me dy të gjitha vështirësitë që mund të përballet njeriu. Në të njëjtën kohë, agjërimi është një përgatitës mjaft i mirë i terrenit për formimin e njerëzve idealë, të cilët asnjëherë nuk lëkunden para vështirësive dhe vuajtjeve, e nuk i sakrifikojnë kurrsesi ato principe që i konsiderojnë si të drejta e të vërteta për asgjë të kësibotshme që mund t’u ofrohet.