Agjërimi të edukon egon
Një besimtar që agjëron, duhet të thotë: “T’ia ul edhe pak kokën egos sime, ta bëj të priret edhe pak më tepër kah Allahu i Lartësuar. Ta mësoj atë të hajë pak, të flasë pak, të flejë pak. Të përpiqem të nxjerr prej tij ato virtyte, shkallë dhe aftësi, që në rrugëtimin e lartësimit shpirtëror arrihen nëpërmjet vuajtjes.” – dhe ta shohë Ramazanin edhe si një stinë të volitshme për përkorje. Zaten edhe një anë e ushqyerjes së përkorë të rijazet-it i ngjan agjërimit. Duke ngrënë e pirë pak dhe duke duruar një varg vështirësish njeriu mund të bëhet i denjë për disa gjëra të jashtëzakonshme; sheh se si metafizika sundon mbi fizikën. Këto janë gjëra shumë të rëndësishme për sa i takon përftimit shpirtit të forcës së tij. Por, nëse ajo që synohet nuk është kënaqësia e Allahut, atëherë nuk ka asnjë kuptim që të përballesh e të durosh mundimin dhe vështirësitë, me të cilat të duhet të përballesh.
Po, qëndrimi i uritur dhe të ngrënët pak janë dinamika serioze për sa i përket frenimit të egos. Kjo është arsyeja se pse shumë njerëz të Zotit kanë bërë rijazet,duke u përpjekur të ruajnë një farë mase të pjekurisë shpirtërore të tyre.Por edhe rastet e jogive, që kanë qëndruar të etur dhe të uritur, dhe disa mistikëve, të cilët u kanë shkaktuar vetes vuajtje e mundime të ndryshme, që u kanë përftuar edhe më shumë forcë shpirtrave të tyre, janë ngjarje të vërteta që i dimë prej shumë kohësh. Mirëpo, nga ajo çfarë kanë bërë ata nuk ka asgjë që mund të presin në emër të ahiretit. Sepse qëndrimi etur dhe uritur dhe bërja e rijazetit (ushqyerjes tejet të përkorë rituale), fitojnë vlerë dhe kuptim vetëmse kur bëhen me qëllimin e adhurimit. Kënaqësia e Allahut arrihet nëpërmjet kryerjes së adhurimeve për të fituar kënaqësinë e Tij. Agjërimi është një frer i vënë ndaj egos. Kështu ai e thyen faraonësinë e egos. Edhe nëse është i dyshimtë për nga vërtetësia dhe rrjedhja, ka një transmetim, që thelbi dhe mësimi që do të japë janë shumë kuptimplotë, në të cilin thuhet:
“Allahu i dha ndëshkime të ndryshme egos për ta edukuar. Pastaj e pyeti: ‘Kush je ti, kush jam Unë?’ – Egoja tha: ‘Ti je ti, unë jam unë.’ – Atëherë Allahu e edukoi atë duke e lënë të uritur. Si përfundim, kur e pyeti, ‘Kush jam ti, kush jam Unë?’ – përgjigjja e egos ishte: ‘Ti je Zoti i botëve, ndërsa unë jam një rob i Yti i përulur.’”
Për njerëzit është një nevojë e pashmangshme që t’i mbajnë në duar frerët e egos. Sepse dëshirat dhe zakonet e egos janë helme vrastare për njeriun dhe u ngjajnë barrëve të rënda që të tërheqin për poshtë. Egoja nuk e urdhëron njeriun vetëmse për të keq. Jusufi i nderuar (alejhis’selam) ka thënë:
“Në të vërtetë, unë nuk e justifikoj dot egon time dhe nuk them dot që ajo është e pastër nga të metat. Sepse, pos atyre që i ka mëshiruar dhe i ruan Allahu, egoja të urdhëron dhe të shtyn veç për të keq. Në të vërtetë, Zoti im është falës, i mëshirshëm (i ka të gjera faljen dhe mëshirën).” – duke na bërë një prezantim, ndoshta më të bukurin, të egos. Egoja ka një natyrë që sa më shumë t’i japësh, aq më shumë të kërkon; sa më shumë të marrë, aq më shumë llastohet. Edhe Profeti ynë i Nderuar (paqja qoftë mbi Të), në lutjet e Tij kërkonte mbrojtje tek Allahu nga egoja që s’kishte të ngopur:
“O Zot! Të kërkoj Ty të më mbrosh nga dobësia dhe përtesa, frika dhe kopracia, pleqëria dhe vuajtjet e varrit. O Zot! Fali egos sime devotshmëri. Bëje atë të pastër. Sepse Ti je më i mbari i Pastruesve. Ti je Zotëruesi i egos sime. O Zot! Të kërkoj Ty të më mbrosh nga dija që nuk të jep dobi, zemra që nuk drithërohet nga frika, egoja që nuk di të ngopur dhe lutja që nuk pranohet.”
Në një lutje tjetër të Tij Ai i ka kërkuar Allahut mbrojtje nga e keqja, ligësitë dhe gjithë fatkeqësitë që mund t’i sjellë njeriut egoja.
“O Zoti im që i di më së miri botët e së fshehtës dhe dëshmisë, e që i krijove qiejt dhe dheun nga hiçi! Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Teje. Te Ty kërkoj mbrojtje nga e keqja e egos sime, e keqja e shejtanit dhe mashtrimet e tij.”
E thënë me fjalët e të parëve, “braktisja e zakoneve, varësive, i vret, i shkatërron njerëzit.” Prandaj, njeriu e ka të vështirë të heqë dorë nga të ngrënët dhe të pirët atëherë kur duhet, pak edhe nga varësia që ka krijuar ndaj tyre nga ajo çfarë është mësuar me sy. Por, besimtari duhet ta mësojë egon e tij asisoj, që ai mund të jetojë edhe në kushtet më të rënda. Dhe ja, nëpërmjet agjërimit ai mund t’i braktisë zakonet dhe veset që i është mësuar egoja dhe të fillojë njëfarësoj të jetojë i pavarur prej tyre. Ai që mësohet me urinë dhe etjen, di mjaft mirë që ta durojë dhe përballojë atë edhe në ditët kur është i detyruar që të jetojë me to.