Agjërimi e bën shpirtin të fitojë pjekuri
Njeriu është një krijesë e përftuar nga trupi dhe shpirti. Ashtu siç vetëm trupi, pa shpirtin, nuk ka asnjë kuptim, edhe shpirti pa trupin nuk kanë asnjë kuptim për sa i përket kufijve të botës së vullnetit të lirë. Ato çfarë ha dhe pi njeriu, veprimet që bën dhe adhurimet që përpiqet të kryejë, kanë një farë ndikimi të caktuar, si në trupin, ashtu edhe në shpirtin e tij. Një kafshatë që e fut në gojë, edhe pse në pamje të jashtme dhe fizikisht ajo shkon në stomak, ajo ka një ndikim të caktuar edhe te shpirti. Po njësoj, veprimet e kryera ndikojnë, si te trupi, ashtu edhe te shpirti. Nga ky këndvështrim, një vend të rëndësishëm në zhvillimin dhe pjekurinë e jetës shpirtërore të njeriut zënë edhe ato çfarë ha edhe pi ai.
Tek agjërimi është i pranishëm, po ashtu, edhe përmbajtja e tregimit të një kujdesi maksimal ndaj gjërave që ha ose pi, të cilin ia kanë dhënë edhe mistikët në praktikën e rijazetit (ushqyerjes fare të përkorë). Një njeri që i drejtohet shpesh agjërimit, e ka fare të lehtë që t’i dëshmojë edhe vetë të gjitha aftësitë dhe virtytet e veçanta që fillojnë të lindin brenda tij. Ndërsa te njeriu që mendon në çdo kohë dhe çdo vend vetëm për se çfarë do të hajë dhe çfarë do të pijë, është shumë e vështirë që të jetë të pranishme një shpirt i pastër dhe një zemër e kulluar.
Njësoj si trupi, i cili ka një varg nevojash dhe dëshirash të caktuara, edhe shpirti ka kërkesat e veta. Për nga truporja njeriu është një krijesë tejet e vogël; por, nëse do të kemi parasysh mekanizmat shpirtërorë të tij, ai është një krijesë e hapur kah pafundësia (përjetësia). Ai ka prirje, dëshira, kërkesa, ndjesi, imagjinatë, mendime dhe mendje të prirur kah pafundësia dhe nga kjo pikëpamje, ai është si një përmbledhje e vogël e gjithësisë.
Kështu, adhurimi është e vetmja dhe e vetmja punë më e lartë dhe më e vyer që mund të bëjë njeriu, i cili është ky, si për nga pozicioni, ashtu edhe gjendjet e tij, në mënyrë që të mund t’i zhvillojë anët dhe aftësitë e tij shpirtërore, që mundëson realizimin e dëshirave dhe kërkesave të tij të mirëfillta, që mund t’i vërë nën kontroll ndjenjat e tij si epshi dhe ashpërsia dhe e afron atë me Allahun duke e vënë në komunikim me të. Dhe këto veçori janë të pranishme të gjitha tek agjërimi, që është një adhurim tejet i rëndësishëm.
Nëse do të lëmë mënjanë dallimet që ekzistojnë në formë, agjërimi është një kriter i rëndësishëm në të gjitha fetë që kanë si synim zhvillimin dhe përparimin shpirtëror të njeriut. Madje të gjithë profetët që janë ngarkuar me misionin e udhërrëfimit për arritjen e pjekurisë shpirtërore te njerëzit, periudhat e përgatitjes për të marrë përsipër këtë mision përherë i kanë kaluar duke mbajtur agjërim. Edhe ky është një argument i mëvetësishëm, që tregon se çfarë ndikimi ka agjërimi në arritjen e pjekurisë te njeriu.
Kur nisi që t’i zbritej Teurati, Musai i nderuar (alejhis’selam) kishte plotësuar mbajtjen e agjërimit dyzetditor. Kur iu zbritën ajetet e para Isait të nderuar (alejhis’selam), kushedi se sa ditë ishin bërë që ky profet i madh kishte qenë duke mbajtur agjërim. Edhe Krenaria e Njerëzimit, ditët para se t’i jepej profetësia duke agjëruar i kishte kaluar. Njëfarësoj Ai ishte si të kishte hyrë në izolim për adhurim (itikaf). Zaten në një prej ditëve të Ramazanit pati filluar të zbritej edhe shpallja e parë. Nëse do të kihet parasysh edhe fakti që izolimi për adhurim është brenda muajit të Ramazanit, është shumë domethënës përkimi edhe me tërheqjen e Profetit tonë në Hira pikërisht në këtë kohë të po këtij muaji.
Po, shumë herë shpirti njerëzor zhvillohet përmes trupit dhe trupi zhvillohet përmes shpirtit. Duhet medoemos të agjërojnë të gjithë ata që duan të zhvillohen shpirtërisht. Apo ta themi kështu: ata që nuk agjërojnë mbeten nën peshën e barrës së trupit dhe nuk mund ta arrijnë dot pjekurinë e pritur shpirtërore.
Edhe Bediuzamani i nderuar është shprehur me këto fjalë në lidhje me këtë çështje:
“Fabrika e stomakut ka shumë shërbëtorë dhe shumë ndjenja njerëzore që janë të lidhura ngushtësisht me të. Nëse nuk bëjnë pushim gjatë ditëve të një muaji në vit, këta shërbëtorë dhe këto ndjenja e harrojnë detyrën e adhurimit dhe ai e bën njeriun të merret vetëm me të, e fut atë nën sundimin e vet dhe e bën që të gjithë vëmendjen ta drejtojë kah vetja, duke i bërë që t harrojnë detyrën e tyre të lartë. Dhe organet e tjera, për hir të argëtimeve të kota të asaj fabrike, marrin kënaqësi nga ato në rrafshit engjëllor dhe shpirtëror në Ramazan, duke e ngulur vështrimin vetëm drejt atyre kënaqësive shpirtërore. Prandaj edhe gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, besimtarët bëhen të denjë, secili sipas shkallës së vet, për ndriçime, dritësime dhe kënaqësi të ndryshme shpirtërore. Nëpërmjet agjërimit në atë muaj të bekuar, shumë aftësi, si shpirti, mendja dhe fshehtësira, zhvillohen së tepërmi dhe përkundër të qarës së stomakut, ato qeshin plot pafajësi.”