A është mëkat të jetosh në mirëqenie? Nëse jo, a e vështirëson fitimin e Xhenetit?

Shëndeti shpirtëror dhe fizik i njeriut është një prej parimeve të fesë Islame. Këtë gjë e siguron më së miri vetë feja islame. Sigurisht që një trup i shëndetshëm është më i mirë për kryerjen e adhurimeve dhe për marrjen përsipër të detyrave të kësaj bote. Për më tepër, Profeti (a.s) ka thënë: “Besimtari i fortë është më i dashur dhe më i mirë tek Allahu sesa besimtari i dobët”.

Fuqia e përmendur këtu, përfshin fuqinë shpirtërore dhe atë fizike. Njeriu i besimit dhe ai që kryen adhurimet është më i dashur dhe më i hajrit, sepse ai do të tregohet më i qëndrueshëm ndaj sprovave të ndryshme, sesa një njeri të cilit i mungojnë këto cilësi. Sidoqoftë, forca e ka burimin te besimi në kader. Besimi në kader është fuqia potenciale e besimtarit. Dinamizmi i besimtarit është i mbështetur fort mbi besimin e tij në përcaktimin hyjnor.

Një nga duatë që Profeti (a.s) përsëriste më shpesh ishte edhe kjo: “O Allah, kërkoj prej teje falje dhe mirësi”.

Falja që kalon këtu, lidhet me faljen në botën tjetër, ndërsa “mirësia” (mirëqenia) lidhet me shëndetin e njeriut në jetën e kësaj bote.

Në një hadith tjetër thuhet: “Ka dy mirësi të cilave shumica e njerëzve nuk jua dinë vlerën; shëndeti dhe koha e lirë”.

Ka shumë hadithe në të cilat theksohet mirësia dhe rëndësia e shëndetit.

Shëndeti dhe sëmundja janë që të dyja prej Allahut. Ashtu sikurse Allahu disa robër i sprovon me pasuri apo varfëri, disa të tjerë i sprovon me shëndet ose sëmundje. Asnjë besimtar nuk duhet të ketë si qëllim apo të kërkojë që të jetë i sëmurë, në mënyrë që të fitojë më shumë sevape dhe kështu të futet në Xhenet. Një kërkesë e tillë nuk është parë si e lejuar në Islam.

Në Islam janë përcaktuar kushtet e të jetuarit shëndetshëm. Profeti (a.s) në aspektin e mjekësisë parandaluese na ka lënë pas disa porosi. Vetëm se disa njerëz i neglizhojnë këto rregulla. Për shkak të kësaj, mosbindja ndaj traditës profetike, paguhet sot me shfaqjen e një sërë sëmundjesh.

Sëmundja nuk kërkohet dhe njeriu s’duhet të shkojë me vetëdije drejt saj. Por nëse sëmundja na vjen për një shkak të caktuar, atëherë duhet të kërkojmë nga Allahu shërimin prej saj. Këtë e bëjmë duke u kuruar. Në lidhje me këtë, Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu ashtu sikurse ka dërguar sëmundjet, ka dërguar edhe ilaçin për to. Për këtë arsye, kërkoni që të kuroheni, por mos e bëni këtë me gjëra të ndaluara”.

Si përfundim mund të themi se njeriu ka dy detyra të rëndësishme. E para është që të sigurojë mjetet e jetesës për veten e tij dhe njerëzve ndaj të cilëve ka përgjegjësi. E dyta është që ta adhurojë Allahun, ta jetojë jetën në përputhje me rregullat e Tij dhe kështu të bëhet i dobishëm për familjen, shoqërinë dhe të gjithë njerëzit.

Të gjitha këto detyra dhe punë janë të lidhura me shëndetin e trupit tonë. Pa qenë shëndeti nuk mund të bëhet asnjë punë dhe s’mund të arrihet asnjë sukses. Parë nga ky këndvështrim, shëndeti është shumë i rëndësishëm dhe duhet vlerësuar si një prej mirësive të Zotit.

Postime të ngashme