Surja Fil-105
Surja Fil
بسم الله الرحمن الرحيم
- أَلَمْ تَرَ كَيْفَ فَعَلَ رَبُّكَ بِأَصْحَابِ الْفِيلِ
- أَلَمْ يَجْعَلْ كَيْدَهُمْ فِي تَضْلِيلٍ
- وَأَرْسَلَ عَلَيْهِمْ طَيْرًا أَبَابِيلَ
- تَرْمِيهِم بِحِجَارَةٍ مِّن سِجِّيلٍ
- فَجَعَلَهُمْ كَعَصْفٍ مَّأْكُولٍ
Shqipërimi
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!
- A nuk e ke parë si veproi Zoti yt me poseduesit (ushtrinë) e elefantit?
- A nuk ua bëri përpjekjen e tyre të dështuar?
- Dhe dërgoi kundër tyre tufa zogjsh!
- Dhe i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar!
- Dhe i bëri ata si gjeth i grimcuar (i përtypur)!
Kjo sure e zbritur në Meke, ka pesë ajete. Surja e ka marrë emrin nga ajeti i parë. Kjo sure rrëfen ngjarjen e “ushtrisë së elefantëve”. Ngjarje në të cilën, këta njerëz me ushtri elefantësh dëdhitonin të shkatërronin Qaben e shenjtë, por Allahu (xh.sh) e bëri përpjekjen e tyre të dështuar dhe e ruajti shtëpinë (Qaben) prej sulmit të tyre.
Interpretimi (Tefsir)
أَلَمْ تَرَ كَيْفَ فَعَلَ رَبُّكَ بِأَصْحَابِ الْفِيلِ
- A nuk e ke parë si veproi Zoti yt me poseduesit (ushtrinë) e elefantit?
أَلَمْ تَرَ “A nuk e ke parë?” Pyetja këtu i drejtohet Profetit (s.a.s). Rujet (shikim), ka kuptimit e shikimit me sytë e zemrës, shikim zemre. Pra, O Muhamed, a nuk e di aq qartë sikur ta kishe parë me sytë e Tu? A nuk të erdhi Ty ky lajm? Sepse, kjo ngjarje është një prej shenjave hyjnore që tregon fillimin e ardhjes së Profetit, dhe, duke qenë se, bashkëbiseduesi i parë i Kuranit është Profeti (s.a.s), posaçërisht fjala رَبُّكَ (Zoti yt), e tregon më së miri që ky ajet i drejtohet Profetit (s.a.s).
Por, sipas disa dijetarëve, edhe pse këtu duket sikur ky ajet i drejtohet Profetit (s.a.s), në fakt këtu i drejtohet Kurejshëve. Në të njëjtën kohë, u drejtohet të gjithë arabëve që kanë dijeni rreth kësaj ngjarjeje.
كَيْفَ فَعَلَ رَبُّكَ “Si veproi Zoti yt?”
Një nuancë e rëndësishme këtu është edhe fakti që, në ajet nuk pyet “Çfarë bëri?”, por ka pyetur formën e veprimit, “Si veproi, Si e bëri?”. Sepse, kjo pyetje është për të treguar që, ngjarja e ndodhur ishte shumë interesante. Pjesa e mahnitëse, marramendëse dhe e mrekullueshme e ngjarjes është mënyra se si ka ndodhur. Për të treguar që, veprat e Zotit janë marramendëse, e ka vënë theksin tek mënyra e rrjedhës së ngjarjes.
Sepse, ata që janë të painformuar nga mënyra e zhvillimit të ngjarjes, nuk mund ta kuptojnë brendinë e ngjarjes. Për rrjedhojë, ata që nuk e mendojnë mirë brendinë e kësaj foljeje duke e menduar si diçka normale, mashtrohen duke menduar se e kanë kuptuar të vërtetën. Pra, Allahu i Lartë, për të mos na zhytur në një hutim të tillë si dhe, për të treguar befasinë e ngjarjes duke na tërhequr vëmendjen tek mënyra e zhvillimit të ngjarjes thotë: A nuk e pe si veproi Zoti yt?
بِأَصْحَابِ الْفِيلِ “ me poseduesit (ushtrinë) e elefantit?”
Allahu (xh.sh) nuk ka treguar se cilët janë poseduesit e elefantëve, nga është e nga vjen ushtria e elefantëve dhe me ç’arsye erdhën. Sepse, të gjitha këto ishin të njohura nga populli që u drejtohet Kurani në atë kohë.
Poseduesit e elefantit ishin ushtria e Ebrehe’së, që kishin pushtuar Jemenin. Ebrehe’ja, kur ishte guvernator i Etiopisë mbledh një ushtri të madhe. Duke i besuar elefantëve të tyre që quheshin Mahmud, shkatërruan çka i dilte përpara derisa arrijnë në rrethinat e Qaben për ta sulmuar, por kthehen të mposhtur pa ia arritur qëllimit. Për këtë arsye u quajtën si “poseduesit e elefantit” dhe ndër arabët duke u bërë i njohur si “viti i elefantit”, ky vit u bë referencë historike për ta.
Dihet që edhe Profeti Muhamed (alejhi selam) erdhi në jetë në këtë vit. Sipas transmetimit më të saktë 50 ditë pas ngjarjes së elefantit.
Kjo ngjarje është mrekulli e pakontestueshme. Një ngjarje e tillë nuk mund të shpjegohet me shkaqet natyrore. Edhe nga pikëpamja e transmetimit është shumë e sigurt. Sepse, kur e këndon Profeti (s.a.s) këtë sure në Meke, kishte shumë njerëz që ishin dëshmitarë të asaj ngjarjeje para 40 vjetësh. Profeti Muhamed (a.s) edhe se kishte shumë kundërshtarë nga politeistët dhe ithtarët e librit, askush prej tyre nuk e kritikoi atë për këtë sure që flet për ushtrinë e elefantëve.
Mënyra se si vepron Allahu me ushtrinë e Ebrehasë është përmbledhur në katër ajete:
أَلَمْ يَجْعَلْ كَيْدَهُمْ فِي تَضْلِيلٍ
- A nuk ua bëri përpjekjen e tyre të dështuar?
A nuk ua nxori huq atyre dredhitë dhe e zhyti në lajthitje rendin e tyre? Pra, a nuk i shkatërroi ata e i la në gjendje të mjerë? Dihet që, kejd dhe mekrr kanë kuptime të tilla si: të përgatisësh atentat të fshehtë, për t’i bërë dëm të marrësh masa të fshehta. Mund të përdoret edhe me kuptime si, mashtrim, dredhi, kurth apo hile.
“A nuk ua bëri përpjekjen e tyre të dështuar?”, si pyetje retorike, ka kuptim e pe që e bëri, pra e pe se si Allahu i shkatërroi ata. Çka ishte kurthi apo dredhia e tyre? Siç dihet nga transmetimet me miratim të gjerë, qëllimi i tyre ishte të vinin me elefantët e tyre e të shkatërronin Qaben. Pastaj, në vend të Qabes të ndërtonin një kishë me emrin Kullejs, që më parë e kishin ndërtuar ne San’a (Jemen), dhe t’i drejtonin njerëzit drejt saj.
Për të arritur tek qëllimi i tyre kishin bërë shumë përpjekje haptas e fshehurazi, kishin ardhur deri 17 km në afërsi të Mekes në vendin e quajtur Mugammes. Por, nga aty nuk kishin arritur ta dërgoni elefantin Mahmud më tej. Në fillim ky fakt ia prishi punët. Më pas u shkatërruan e u bënë “asf-i me’kul” si gjeth i grimcuar (i përtypur). Pra, ata jo vetëm që nuk e shkatërruan dot Qaben, por u shkatërruan vetë e u bënë copash, apo jo? Pra, Ai që ua ktheu ters një sulm të tillë dhe ua prishi planet është Zoti yt. Zoti yt e bëri atë.
Në ajet nuk kalon fjala “kejd”, që përdoret me kuptimin me marr “masa të fshehta” për të sulmuar dikë.
Këtu mund të lindë pyetja se ç’janë masat e fshehta. Nuk ishte diçka e fshehtë që, Ebreheje me një ushtri prej 60 mijë ushtarësh dhe me elefantë, u nis nga Jemeni drejt Mekes për të shkatërruar Qaben. Për rrjedhojë, këtij fakti nuk t’i themi masë e fshehtë. Por, qëllimi i fshehtë i Etiopianëve ishte që, duke shkatërruar Qaben të shtypnin Kurejshët. Duke i frikësuar të gjithë arabët, kishin në plan të shtinin në dorë rrugën tregtare që shtrihej nga Arabia Jugore deri në Siri e Egjipt. Ata e mbanin sekret këtë qëllim të tyrin. Në plan të parë, sulmi ndaj Qabes dukej si hakmarrje ndaj mosrespektimit që kishin arabët ndaj kishës.
وَأَرْسَلَ عَلَيْهِمْ طَيْرًا أَبَابِيلَ
- Dhe dërgoi kundër tyre tufa zogjsh!
طَيْر është shumësi i fjalës طاَئر që ka kuptimin e zogut fluturues. طَيْرًا në formën e papërcaktuar, tregon që këta zogj ishin të veçantë, zogj që nuk ishin të njohur. Transmetohet që ata ishin prej zogjve që nuk ishin parë në ato anë deri në atë kohë. Zogj të mëdhenj, të vegjël, të zinj, të gjelbër, të bardhë e tufa-tufa, zogj të çuditshëm.
Në transmetime përmendet se erdhën nga kahu i Jemenit dhe detit, erdhën si një furtunë e shpejtë dhe sulmuan si një makth i vërtetë armiqtë.
أَبَابِيلَ është emër në shumës që nuk ka njëjës. Ka kuptimin që vijnë në turma njëra pas tjetrës, vijnë në grupe të një pas njëshme, njëri pas tjetrit. Tajrran Ebebil, ka kuptimin e zogjve që vijnë njëri pas tjetrit, në rreshta, në grupe e në tufa të një pas njëshme.
تَرْمِيهِم بِحِجَارَةٍ مِّن سِجِّيلٍ
- Dhe i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar!
Zogjtë i godisnin ata (poseduesit e elefantëve) me gurë prej sixhili.
سِجِّيلٍ ka kuptimin e baltës së forcuar në gurë si qeramikë. Ibn Abas (r.a) thotë që kjo fjalë në origjinal është nga persishtja. Me kuptimin e gurit të bërë prej balte dhe forcimit të saj duke e pjekur.
Në transmetime thuhet që, zogjtë mbanin nga tre prej këtyre gurëve të vegjël sa një kokërr thjerrëze apo qiqre, ose sa jashtëqitjet e deleve, në sqep e në këmbë. Atë që e qëllonte ky gurë i hynte në kokë dhe i dilte nga ana tjetër. Dhe kështu, e bënte copë e çikë. Është e lehtë për të menduar gjendjen e një ushtrie të tillë në qiell të hapur, që bombardohej nga sipër, nga zogjtë që vinin tufa-tufa si avion të pajisur mirë me municione. Për rrjedhojë, përfundimi ishte i tillë:
فَجَعَلَهُمْ كَعَصْفٍ مَّأْكُولٍ
- Dhe i bëri ata si gjeth i grimcuar (i përtypur)!
Dhe, në çast i bëri ata (poseduesit e elefantëve) si gjethe të përtypura. مَّأْكُولٍ Ka kuptimin e ngrënë, e përtypur. Interpretuesit duke thënë se عَصْفٍ ka kuptimin e gjetheve të të mbjellave, ata kanë përmendur disa variante:
- Mbetjet e gjetheve që mbesin në arë pas korrjes së të mbjellave që i vërtit era sa andej këndej dhe që teprojnë pas ngrënies së kafshëve.
- Kashta e copëtuar që e vërtit era.
- Gjethe që kanë rënë nga ngrënia e krimbave apo burrecëve, dhe janë bërë vrima-vrima. Kjo tregon që, ushtria e Ebrehe’së u bë copë-copë pas sulmit të zogjve.
Pra, Allahu i Lartë, i shndërroi në çast poseduesit e elefantëve në “gjethe të grimcuara” në një mënyre çuditëse e të paparashikueshme. Një ushtri e tillë, që duke mos parë një fuqi që t’i dilte përballë, duke i besuar elefantëve dhe ushtrisë së tyre u nisën për të shkatërruar Qaben, u shkatërroi prej një fatkeqësi qiellore dhe u bë si gjethe (përtypur) të mbjellash. Allahu, që e bëri këtë në çast, nuk ka asnjë fije dyshimi që edhe të tjerët mund t’i shkatërrojë me forma të tilla të paparamenduara, dhe grupin e atyre “që tallen e që përqeshin” do ta flakë në xhehenem.
Për të tërhequr vëmendjen në ndihmën e Zotit për personin që do të vinte në jetë për të lartësuar dhe njoftuar njëshmërinë e Allahut me urdhrin “pastroje Shtëpinë Time për ata që e vizitojnë, që rrinë aty dhe që falin namaz”(Surja Haxh, 26), dhe për të lartësuar famën e Tij, në fillim të sures أَلَمْ تَرَ كَيْفَ فَعَلَ رَبُّكَم بِأَصْحَابِ الْفِيل nuk thotë ” A nuk e keni parë si veproi Zoti juaj me poseduesit (ushtrinë) e elefantit?” por thotë رَبُّكَ “Zoti yt”. Pra, kjo sure është dhuratë për Profetin Muhamed (s.a.s), sihariq për besimtarët, dhe qortim për mohuesit, veçanërisht për mohuesit Kurejsh që nuk ia dinin vlerën asaj mrekullie të ndodhur.