Profeti Is’hak (a.s.), sihariq nga Allahu për Profetin Ibrahim (a.s.)
Dielli ishte mu në kulm të qiellit. Ishte kohë dreke dhe profeti Ibrahim, pas një ligjërate prekëse e të vlefshme, plot këshilla e urtësi për njerëzit, ishte ulur në prag të derës së vet e mendonte me mall djalin e tij të vetëm, Ismailin. Ai ishte tani shumë larg. Sa prova kishin kaluar së bashku, sa vështirësi! Në fillim e kishte lënë fillikat të vetëm me të ëmën në mes të shkretëtirës… Pastaj ëndrra… Pastaj dashi i ardhur nga xheneti… Festa…
Në shpirt kishte një dashuri të pamasë, respekt e besnikëri të pafund për Zotin. Megjithëse e kalonte gjithë natën me lutje, falje e meditim, kishte bindjen se nuk e shlyente asnjëherë mirënjohjen për Të. Krijuesi i kishte dhuruar atij të mira pafund, e kishte ndihmuar e mbështetur gjithmonë, në çdo moment të vështirë.
…Ndërkohë tre engjëj, me urdhrin e të Gjithëpushtetshmit, kishin zbritur në tokë me një detyrë të posaçme. Që të tre ishin në formë njeriu, të rinj, të bukur, mirësia e fisnikëria u lexohej qartë në fytyrë. Engjëjt Xhebrail, Israfil dhe Mikail kishin arritur në tokë të dërguar nga Zoti për të kryer një mision urgjent, më saktë dy.
Së pari do takonin profetin Ibrahim (a.s.), pastaj do shkatërronin vendin e mbrapshtë të profetit Lut.
Tre engjëjt ecën pa folur. Kur arritën pranë derës ku ishte ulur e po çlodhej profeti Ibrahim, u ndalën. Ai ngriti kokën e i pa. Nuk i njohu aspak ata tri fytyra të reja. E përshëndetën me respekt. Edhe profeti i përshëndeti duke u ngritur në këmbë me një buzëqeshje dashamirëse në fytyrë dhe i ftoi udhëtarët të hynin brenda në shtëpi. Se ç’kishte një mister në fytyrën e këtyre miqve, diçka të veçantë, magjepsëse.
Pasi u priu brenda dhe i ftoi të uleshin, profeti shkoi pranë Sarës së nderuar. Ajo ishte e moshuar tashmë, gjurmët e kohës ia kishin mbushur fytyrën me rrudha, flokët i ishin zbardhur e beli i ishte kërrusur. Vetëm sytë i kishte si gjithmonë, plot jetë e shkëlqim nga drita e shpirtit të saj, të mbushur me besim e përkushtim.
– Kemi tre miq sot në shtëpi, – i tha Ibrahimi.
– Mirë se kanë ardhur. Po nga janë, kush janë?
– Hera e parë që i shoh, nuk i njoh. Duhet të kenë ardhur nga larg.
Ibrahimi mendoi pak.
– Në fakt, as rrobat dhe as fytyrat e tyre nuk kanë gjurmë lodhjeje e udhëtimi… Nuk di ç’të them. A kemi ndonjë gjë për të ngrënë?
– Ka, ka. Kemi një gjysmë qengji të pjekur, – iu përgjigj Sara, që ishte e mësuar me miqtë e paparashikueshëm të bashkëshortit të saj.
– Gjysmë qengji? Nuk mjafton! Më mirë therim ndonjë viç të bëshëm e ua pjekim. Janë të huaj këta njerëz, kanë ardhur nga larg. As ushqim nuk kanë me vete e as kafshë që ta ngarkojnë. Ndoshta janë fukarenj që kanë mbetur në rrugë. Do jenë të lodhur e të uritur.
Profeti Ibrahim (a.s.) u ul me miqtë, kurse Sara përgatiti drekën. Pas pak, sofra ishte gati. Sara kishte përgatitur një sofër të mrekullueshme, në mes kishte vënë mishin e pjekur. Profeti Ibrahim iu priu miqve drejt sofrës dhe u ulën tok. Megjithëse i ftoi me insistim të hanin, miqtë nuk futën asgjë në gojë. Profeti Ibrahim u çudit shumë. Kush ishin këta njerëz që nuk pranonin kurrsesi të hanin në sofrën e tij? Nga vinin? Çfarë kërkonin? Mos kishin ardhur me qëllime të këqija? Çfarë nuk i shkoi nëpërmend!
Ndërkohë engjëjt i lexonin gjithë ato që mendonte Ibrahimi. Duke buzëqeshur i thanë:
“Mos u shqetëso, o profet i lartë! Ne jemi engjëj, nuk kemi si të hamë! Ne jemi të dërguar nga i Gjithëpushtetshmi të të sjellim një sihariq. Do të bëhesh me djalë. Do ta quani Is’hak. Edhe ai do të jetë një profet. Në të ardhmen edhe atij do i falë Zoti një djalë, do ta quajnë Jakub. Jakubi, gjithashtu do jetë një profet.”
Kur dëgjoi këto fjalë, e nderuara Sara u çudit aq shumë sa nuk dinte ç’të bënte nga gëzimi e habia. E shastisur, kapi faqet me duar:
“O Zoti im! Në këtë moshë unë të lind? Unë jam kaq e vjetër! Im shoq po ashtu!”
“Ky është urdhër i Zotit, mos u çudit! Mëshira e bujaria e Zotit qofshin mbi ju!”
Ky fëmijë ishte një dhuratë e shpërblim i Zotit për besimin, durimin e besnikërinë e Sarës. Një jetë që do i shuante mallin e saj të hershëm për fëmijë, një engjëll që do i sillte gjallëri në shtëpi. Sa shumë kishte ëndërruar gjatë gjithë jetës t’i dhuronte një fëmijë të shoqit! Për t’ia shuar mallin e dëshirën e madhe për fëmijë profetit Ibrahim, Sara vetë e kishte martuar atë me ndihmësen e saj, Haxherin, të cilën e donte shumë. Nga kjo martesë kishte lindur Ismaili. Edhe Ismailin e vogël, Sara e donte shumë, përkujdesej e i kushtohej atij si të ishte i biri. Koha që kalonte me Ismailin e dashuria e tij ia shuante disi Sarës dëshirën e zjarrtë për fëmijë. Pa kaluar shumë kohë bashkë, Ismaili bashkë me Haxherin kishin ikur larg, Sara kishte mbetur sërish vetëm me mallin e saj, e durueshme dhe e bindur për të përballuar fatin e saj me besim e përkushtim, pa u ankuar asnjëherë e pa lëshuar lutjen e përmendjen e Zotit nga goja. Dhe ja, më në fund, Zoti i kishte dhënë asaj lajmin më të mirë, mrekullinë e lindjes së Is’hakut.
Is’haku u rrit në duart e të atit, profetit Ibrahim (a.s.), në atmosferën e mrekullueshme të shpalljes, nën flladet e vizitave të engjëjve e bekimeve të tyre. Dituria hyjnore, logjika e gjykimi i saktë ishin formuar më së miri te ai që në moshë të vogël. Edukata e përsosur që kishte dhënë i ati e kishin formuar më së miri karakterin e tij të mrekullueshëm. Kur Is’haku u rrit e u formua mjaftueshëm dhe niveli i tij ishte tashmë i aftë për të përballuar këtë mision aq sublim, edhe atij iu dha detyra e shenjtë e profetit.
Gjatë gjithë jetës së tij, Is’haku (a.s.) pa u lodhur, pa u zmbrapsur e pa pushuar kurrë, shpjegoi fjalën e Zotit e rrugën e Tij, ftoi njerëzit drejt mirësisë e besimit. Eci i bindur në rrugën e të atit e të vëllait, duke zënë kështu vendin e tij të nderuar në yllnajën e profetëve.
Si shpërblim të jetës së devotshme, Zoti i fali Is’hakut një fëmijë shumë të nderuar, një fëmijë që në të ardhmen do ishte paraprijësi i shumë ndryshimeve në historinë e njerëzimit. Që pa lindur ende Is’haku, engjëjt ia kishin njoftuar Ibrahimit edhe lindjen e Jakubit, i cili do ishte gjithashtu një pasardhës i nderuar i rrugës së tyre. Shumë profetë të njohur e të nderuar, Musai, Isai, Jahja e Zekerija, do ishin pikërisht pasardhës të Is’hakut, trashëgimtarë të gjakut e të misionit të tij të shenjtë.