Ibrahimi (a.s.), Profeti që u hodh në zjarr

Errësira kishte përfshirë botën, njeriu sërish kishte rënë në kurthin e shejtanit dhe e kishte braktisur virtytin e adhurimin për Zotin e Vërtetë. Disa njerëz adhuronin idhujt që i bënin me duart e veta, disa yjet, disa mbanin për perëndi pemë të lashta shekullore, disa të tjerë Diellin a Hënën. Veprimet e të gjithëve ishin larg nga logjika, zemrat i kishte mbuluar terri, ndërgjegjet heshtnin.

Aq më tepër që atë kohë ishte në modë një tjetër mënyrë besimi. Të adhuronin mbretërit. Megjithëse shumë alogjike, njerëzit mbanin për perëndi, adhuronin e u bindeshin njerëzve që u prinin.

Mbretërit vetë e kërkonin me këmbëngulje këtë gjë, se në këtë mënyrë e kishin më të thjeshtë të komandonin popujt. Edhe Nemrudi, mbreti i Babilonisë, pretendonte se ishte perëndi. Kurse ata që i gjendeshin përreth, pak nga injoranca, pak nga interesat personale, nuk e kundërshtonin, por ia përforconin edhe më tepër këtë ide. Paria, që përbëhej nga të afërmit e Nemrudit, orakujt nëpër faltore, të pasurit e teologët, ishin të pashpirt me popullin, i robëronin e u thithnin gjakun njerëzve të thjeshtë, i përdornin ata si skllevër dhe i shtypnin pa mëshirë, duke qenë nën mbrojtjen e idhullit të tyre, Nemrudit. Nga çdo anë dëgjoheshin rënkimet e të vobektëve dhe të qarat e fëmijëve të tyre të uritur, ndërsa një pjesë e vogël jetonte mes luksit të paimagjinueshëm.

Njerëzia ishte shastisur. E mira dhe e liga ishin përzier keq. Rrugët ishin pa krye. Bota ishte zhytur në një terr spiritual që po e shkatërronte, ndaj kishte një nevojë urgjente për ndriçim, për një ndryshim që të ndryshonte ekuilibrin në të. Njerëzit kishin nevojë për një udhërrëfyes që do t’u tregonte të vërtetën, për një profet të madh që do t’iu printe drejt shpëtimit, për një lider të fuqishëm që do e ndante të mirën nga e liga dhe do të ndriçonte zemrat e jetët e tyre. Dhe Zoti, për këtë mision, sa të vështirë, aq edhe fisnik, zgjodhi Ibrahimin (a.s.).

Profeti Ibrahim ishte një dhuratë e mëshirës së Zotit (xh.sh.) për njeriun. Që fëmijë, Ibrahimi e kishte humbur të atin. Atë e kishte rritur xhaxhai i vet.

Ibrahimi (a.s.) e donte dhe e respektonte shumë xhaxhain e vet, e thërriste baba dhe e donte si babain e vërtetë. Ky baba ishte njëkohësisht një artist i madh dhe i njohur në vend; ai ishte skulptori më i shquar i kohës. Të gjithë njerëzit kishin një respekt dhe nderim të thellë për këtë artist që punonte idhujt e tyre nga guri dhe nga druri. Kështu, fëmijëria e Ibrahimit kaloi në një familje të tillë, të njohur dhe të nderuar. Ai ishte një fëmijë jashtëzakonisht i zgjuar. Mëshira Eterne e kishte pajisur më së miri mendjen e tij, zemrën ia kishte mbushur me dashuri e ndjenjë, karakterin ia kishte stolisur me vetitë më të mira njerëzore.

Ai çuditej ndërsa kudo që shkonte, në shtëpi, në treg, në shkollë, shihte lloj-lloj statujash, të cilat njerëzit i adhuronin sikur të ishin perëndi. Ai e kishte parë të atin se si i punonte e i gdhendte me kujdes ato statuja në shtëpi, ndaj një ditë e pyeti se ç’ishin këto forma. Kur ai i tha se ishin zota, Ibrahimi u habit. Thellë në shpirt e ndjeu se nuk mund të ishte ashtu! Por vetëm e mendoi një gjë të tillë, sepse po ta thoshte, njerëzit do mendonin se ai ishte një fëmijë i pasjellshëm.

Ndërsa rrinte në shtëpi, Ibrahimi nisi të luante me idhujt që punonte i ati, sikur ato të ishin kukulla. Kurse të mëdhenjve iu hipte në qafë a në shpinë dhe lozte si të ishin kuaj prej druri. Një ditë, i ati e pa Ibrahimin (a.s.) në shpinën e një statuje të madhe, që ata e konsideronin idhullin Merduh dhe u zemërua shumë me të. E porositi disa herë Ibrahimin që të mos e përsëriste më një gabim të tillë. Por Ibrahimi e pyeti i çuditur:

–     Po çfarë zoti është ky, baba! Shiko sa të mëdhenj i ka veshët.

–     Po ky është idhulli ynë më i madh, Ibrahim. Kurse veshët e tij të mëdhenj janë simbol i urtësisë dhe i diturisë së tij!

Ibrahimit i erdhi për të qeshur. Veshët e tij ishin si veshë gomari, si ishte e mundur që njerëzit ta adhuronin atë gjë?

Koha kalonte shpejt dhe Ibrahimi u rrit. Në fakt, ai i urrente tmerrësisht idhujt që gdhendte i ati, kishte neveri prej tyre. Si mund të adhuronin e t’i luteshin njerëzit ca gurëve e drurëve që i punonin vetë, si mund t’i faleshin atyre? Këto statuja as flisnin, as mendonin, madje po t’i shtynte dikush, përmbyseshin e thyheshin. Si mund t’i mbronin njerëzit ato gjëra pa shpirt?

Njerëzit besonin se gjithçka të mirë që kishin, ua kishin dhënë idhujt. Disa fëmijët, disa idhuj të tjerë,  pasurinë, apo dashurinë. Prandaj, ata u bënin idhujve dhurata e sakrifikime të panumërta dhe mundoheshin t’i merrnin me të mirë, se po të ndodhte e të zemëroheshin, do t’i ndëshkonin shumë ashpër ata. Ibrahimi mërzitej shumë kur shihte këta mendjelehtë. Si nuk dilte një i mençur t’i jepte fund kësaj loje! Gjithë të adhuruarit e tyre, nuk ishin veçse ca objekte të mjera pa shpirt. Si mund të kishin forcë krijuese? Jeta, toka, yjet, qiejt, ishin të gjitha tregues për një Krijues të mirëfilltë, të madh e të vetëm. Pse nuk e dallonin njerëzit këtë të vërtetë?

Në mes të qytetit ndodhej një faltore e mbushur me idhuj. Në një fron të madh, që ndodhej në vendin më të lartë të saj, ndodheshin statujat e idhujve të tyre më të rëndësishëm. Zotat ishin lloj-lloj, forma-forma, kategori-kategori… Që fëmijë, kur vinte me të atin për ceremonitë e rastit, Ibrahimit i vinte për të qeshur kur shihte njerëzit si përuleshin para atij pirgu druri e guri. E çudiste shumë trashësia e atyre njerëzve që nuk ngurronin të përkuleshin gjer në tokë sa hynin në faltore, të qanin e të bisedonin me idhujt, sikur ata i dëgjonin e që iu përgjëroheshin atyre për t’i ndihmuar. Por kjo gjendje komike, me kalimin e kohës filloi ta acaronte Ibrahimin. A nuk ishte i tmerrshëm mashtrimi i këtyre njerëzve?! A nuk ishte për t’u dhimbsur naiviteti i tyre? E më e keqja, babai i vet, pasi kishte vënë re mendjemprehtësinë e suksesin në shkollë të Ibrahimit, donte që ai të bëhej me çdo kusht teolog e t’i përkushtohej adhurimit në faltore. Pas ca kohësh, Ibrahimi (a.s.) e shprehte haptas nënvleftësimin e tij për statujat. I ati vazhdimisht i tërhiqte vëmendjen dhe e këshillonte të ishte më i sjellshëm me idhujt.

Një ditë, Ibrahimi ndodhej në faltore bashkë me të atin. Ishte festa e idhujve. Gjatë ceremonisë, kryeorakulli iu drejtua idhullit më të madh dhe nisi t’i lutej e t’i përgjërohej me shumë përdëllim. I kërkonte t’i falte, t’i ndihmonte e t’i jepte begati e të mira. Ibrahimi nuk po e mbante më veten. Vullkani që kishte brenda ishte gati të shpërthente.

Ndërsa orakulli lutej i larë në lotë, një zë i vendosur grisi qetësinë e sallës.

–     Nuk ju dëgjon dot, zotëri, mos ju lutni kot! Ai nuk dëgjon dot asgjë, a nuk e shihni?

Të gjithë automatikisht kthyen kokën për të parë nga erdhi zëri. Djaloshi ishte krejt i qetë, kurse orakulli ishte nxirë nga nervat. I ati i Ibrahimit ndërhyri menjëherë dhe kërkoi falje në emër të të birit duke u thënë se ishte i sëmurë dhe fliste përçart. Ibrahimi qeshi hidhur dhe heshti. I ati bashkë me të birin dolën nga faltorja dhe morën rrugën drejt shtëpisë. Gjatë gjithë rrugës nuk folën asnjë fjalë. I ati, pasi e la Ibrahimin në dhomën e vet, doli jashtë i zemëruar. Ai mundohej të gjente rrugën për t’u treguar njerëzve se sa pa lidhje ishte ajo që bënin. T’i mbushte mendjen se Krijues nuk mund të ishin idhujt që i prodhonin ata vetë, por vetëm dikush i Gjithëpushtetshëm, që kishte nën urdhrin e Vet qiejt, tokën e çdo gjallesë.

E vërteta qëndronte te Zoti. Vetëm kjo e vërtetë mund t’u hapte sytë dhe mund t’i shpëtonte njerëzit nga robëria ku ndodheshin. Vetëm me besim mund të rigjenin vlerat morale e njerëzore e lirinë që e kishin humbur me kohë. Dhoma ku ndodhej, po i dukej si burg Ibrahimit. U ngrit dhe doli jashtë. Mori rrugën drejt malit, jashtë qytetit. Ecte fillikat i vetëm nëpër errësirë. Shkoi në mal dhe u ndal pranë hyrjes së një shpelle. U mbështet atje dhe nisi të sodiste qiellin. Toka i jepte veç mundime e dhimbje. Shpresonte që bukuritë hyjnore të qiellit do të mund ta qetësonin pak. Toka ishte mbushur me krijesa që nuk njihnin Krijuesin e adhuronin krijesat e tjera. Në qiell hëna e zbehtë i dërgonte një dritë të plogësht që ia shtoi më fort trishtimin. Edhe hënën e adhuronin ata të mjerë! Sa i çuditshëm që ishte njeriu! Harronte Zotin e vërtetë dhe mbante shpresë në lloj-lloj objektesh në qiell e në tokë. Ja, e tillë ishte shoqëria në të cilën jetonte Ibrahimi (a.s.). Kush adhuronte krijesat e qiellit, kush të tokës. Kjo ishte dhe pikënisja e Ibrahimit për t’u treguar njerëzve të vërtetën. Zoti (xh.sh.) i kishte dhuruar atij një veti të mrekullueshme, logjikën e zgjuarsinë e profetëve, që është disa herë më e fortë se e njerëzve të tjerë. Duke e përdorur atë, ai mund të arrinte të bindte shumë njerëz të hiqnin dorë nga përrallat. Nisi të mendonte, cila do ishte rruga më e saktë për këtë? Si t’ua shpjegonte njerëzve se as yjet as hëna nuk mund të jenë Zoti? Më e mira ishte të sillej si një prej tyre dhe të arrinte t’u vinte parasysh gabimet e ideve të tyre. Menjëherë nisi veprimin.

Pa një yll që shndriste gjithë dritë në qiell.

–     A mund të jetë ky yll Zoti im? – pyeti veten.

E ndoqi me sy yllin gjersa ai perëndoi.

–     Ja, perëndoi. Humbi. Si mund të lidhet zemra ime me gjëra që perëndojnë?

Si mund të jetë Zoti diçka që herë duket, herë zhduket?

Këto fjalë kishin rënë si rrufe në mendjet e njerëzve.

Pastaj lindi hëna. Një hënë e bukur që lau me dritën e saj të argjendtë pemët e malet.

–     Po hëna, a mund të jetë Zoti i gjithësisë?

E ndoqi me sy. Edhe hëna pas një farë kohe perëndoi. As ajo s’mund të ishte Zot! U bë mëngjes dhe lindi dielli.

–     Ja, ky është më i madh, më i ndritshëm se yjet e mbrëmshëm, – tha Ibrahimi. A mund të jetë Zot?

Ibrahimi (a.s.) i mprehu sytë e mendjes për të vështruar tej hënës, yjeve e diellit. Një ndjenjë e papërshkrueshme, e pandier më parë i mbushi shpirtin, duke i treguar Forcën që është pas gjithë forcave. Shpirti i tij e kishte gjetur Zotin e vërtetë, mendimet dhe veprimet e tij ishin përkrahur nga Zoti dhe Ai vetë e kishte ndihmuar edhe më shumë për ta gjetur të Gjithëpushtetshmin. Ndjeu zemrën që iu mbush me qetësi dhe një dallgë drite që e pushtoi të tërin. Mendja, trupi, zemra i ishin mbushur me dritë, Mëshira Hyjnore e kishte mbështjellë të tërin. I Gjithëpushtetshmi po i drejtohej Ibrahimit.

–     Ibrahim!

–     Urdhëro, Zot i gjithësisë!

–     Më beso Mua dhe ma dorëzo shpirtin Mua!

Ibrahimi u përkul dhe mes lotëve që vadisnin tokën, tha:

–     Të besoj dhe të jam dorëzuar, o Zot i botëve!

Zemra e Ibrahimit gufonte me emocion, gëzim dhe entuziazëm. Ai ndenji aty i përkulur, duke u lutur e duke u falur gjersa u bë natë. Pastaj u kthye në shtëpi. Një etapë e re kishte nisur në jetën e tij, tashmë Zoti e kishte zgjedhur si profet dhe misioni i tij ishte t’u tregonte gjithë njerëzve rrugën e drejtë, të vërtetën.

Të nesërmen, zëri i Ibrahimit (a.s.) ushtonte nëpër rrugët e Babilonisë:

–     O njerëz! Adhuroni Zotin e vërtetë të gjithësisë! Nuk ka zot tjetër veç Tij!

Kjo shënonte dhe fillimin e betejës së Ibrahimit. Një mbretëri e tërë ishin kundër tij. Mijëra njerëz, që nga administratorët, orakujt, teologët e poetët, deri te njerëzit e thjeshtë. Ishte si të voziste kundër rrymës, po ai ishte i guximshëm, i fortë. Zoti i Gjithëdijshëm e dinte më së miri se kush mund ta përballonte një mision të tillë.

–     O njerëzit e mi, a mund të ma shpjegoni se pse i adhuroni këta gurë e drurë, që as ju dëmtojnë, as ju ndihmojnë? – i pyeste.

–     Kështu na kanë mësuar të parët tanë, – i përgjigjeshin ata.

Nuk gjenin ndonjë gjë tjetër për të thënë, se e shihnin dhe vetë se kjo gjë nuk kishte logjikë.

–     E vërteta është se edhe ju, edhe të parët tuaj, gaboni rëndë.

Por ata nuk e besuan. Kjo ishte diçka e padëgjuar për ta. Ata ishin të vendosur të ndiqnin rrugën e të parëve të tyre, pa e vrarë shumë mendjen.

–     Mos po tallesh me ne, ti, Ibrahim? – e pyetën një ditë.

E si mund të tallej Ibrahimi në një temë të tillë?

–     Zoti ynë i vërtetë është Zoti i qiellit e i tokës, Ai që ka krijuar gjithçka. Vetëm duke besuar e adhuruar Atë, do të gjeni shpëtim si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër.

Për Ibrahimin kishin nisur ditë të vështira e të mundimshme. Më tepër se kushdo, me këtë sjellje të Ibrahimit ishte mërzitur xhaxhai i tij, njeriu që e kishte rritur e që e ai thërriste baba. Mes tyre kishin nisur diskutime të gjata e replika. Babai adhuronte idhujt, djali Zotin. Vlerat dhe parimet e tyre ishin krejtësisht të ndryshme.

–     Kurrë nuk e prisja diçka të tillë prej teje, – i bërtiti i ati. Më ke zhgënjyer, më ke lënë në rrugë të madhe. Sjellja jote më ka dëmtuar shumë. Për fajin tënd nuk i shoh dot njerëzit në sy. Edhe teologët, edhe administratorët ma tërhoqën vëmendjen.

Ibrahimi (a.s.) e donte jashtë mase të atin. Dëshira e tij më e madhe ishte që edhe i ati të bëhej mysliman e të besonte si ai.

–     Baba, po si mund t’i adhurosh ca gjëra që as të shohin, as të dëgjojnë? Më dëgjo mua, baba, dëgjoji këto fjalë që m’i ka mësuar Zoti i botëve. Dëshmo besimin tënd te Zoti i vërtetë dhe hape derën e shpëtimit për veten. Dëgjoji fjalët që të them dhe eja në një rrugë të drejtë. Mos u bëj lodër e shejtanit, ai të mëson për keq, është armiku yt. Kam frikë se mos bëhesh mik me shejtanin, se mos dënohesh për këtë. Eja në rrugë të drejtë, baba, – iu lut Ibrahimi.

I ati dridhej nga zemërimi.

–     Si guxon të mohosh perënditë tona ti? Po vazhdove kështu, do të të dëboj prej shtëpisë sime. Do të të vras për fare. Si guxon t’i ngresh krye perëndive tona? Ik, zhduku që këtu dhe mos guxo më të shkelësh në shtëpinë time. Nuk dua të ta shoh më fytyrën!

Kështu e përzuri Ibrahimin nga shtëpia. Ibrahimit (a.s.), zemra iu bë copë. I ati ishte verbuar nga rruga e shtrembër, nuk donte ta shihte kurrsesi të vërtetën. Prapëseprapë Ibrahimi ishte njeri i jashtëzakonshëm, aq më shumë, një profet i madh, ndaj sërish foli me edukatë.

–     Nuk kam ç’të them… Ti po më sillesh ashpër, po më fajëson shumë, por ti je njeriu që më ke rritur. Kurrë nuk të vjen e keqe prej meje! Të përshëndes e të falenderoj për gjithçka. Do i lutem Zotit tim për ty!

Kështu Ibrahimi u nda nga shtëpia e të atit. Tashmë nuk kishte asnjë vend ku të fuste kokën. Ushqehej me ç’të gjente, etjen e shuante krojeve, çlodhej e pushonte mbi gjelbërim dhe lutej e adhuronte gjithë kohën. Ishte pikërisht kjo që e bënte të ndihej njeriu më i pasur në botë.

Ishte ditë feste. Këtë ditë njerëzit i luteshin e i këndonin këngë idhujve dhe i çonin atyre flijime e dhurata të ndryshme. Ceremonitë bëheshin në bregun tjetër të lumit, ndaj qyteti ishte i zbrazët, të gjithë kishin shkuar atje. Pasi të thereshin kafshët që do flijoheshin, njerëzit do vinin në faltore.

Asgjë veç erës nuk pipëtinte në rrugët e zbrazëta të qytetit. Pas pak, një djalë i ri u duk në sheshin para faltores. Sytë i shndrisnin, në dorë kishte një sëpatë të madhe. Ibrahimi kishte vendosur të niste një revolucion në mendjet e njerëzve. Do t’i trondiste që nga themeli idetë e tyre të gabuara. Me hapa të vendosur hyri në sallën e madhe. Në atmosferën e zymtë të faltores ndrisnin veç sytë e tij dhe sëpata që kishte në dorë. Aq i fortë ishte vështrimi i tij, sa po të kishin shpirt idhujt e rreshtuar atje, do të tmerroheshin e do iknin me vrap.

I mati statujat me sy. Para tyre qëndronin lloj-lloj ushqimesh.

–     Pse s’ha ti, të është ftohur gjella, – iu afrua njërit me tallje.

Asnjë zë.

–     Epo flisni, pse nuk përgjigjeni? – oshtiu zëri i tij nëpër sallë.

Pastaj ngriti sëpatën dhe me gjithë fuqinë goditi statujën. Ajo u bë copë e thërrime.

Vazhdoi me radhë. Salla u mbush me statuja të thyera e me ciflat e tyre të shpërndara. Asnjëri nuk e kishte mbrojtur dot veten! I erdhi radha më të madhit. Atë e ruajti për goditjen finale, por jo me sëpatë, me zgjuarsi.

Duke qeshur, vendosi sëpatën në krah të statujës dhe u kthye e doli jashtë. Ishte betuar t’u tregonte njerëzve se sa pa kuptim ishte besimi i tyre dhe tani po e bënte.

Ceremonia në breg të lumit mbaroi dhe njerëzit u kthyen në qytet për të kryer ritet në faltore. Grupi i parë i njerëzve që hyri aty, shpërtheu në britma habie e frike. Të gjithë vrapuan brenda. Pamja që i priste i tmerroi. Në faltore ngjante sikur kishte ndodhur ndonjë betejë e vërtetë. Një betejë që e kishin humbur statujat, me sa dukej. Përveç statujës së madhe, gjithë perënditë e tjera ishin copë-copë. Kush ta kishte bërë këtë katrahurë?

I pari që u erdhi ndërmend ishte pa dyshim Ibrahimi.

–     Ibrahimi e ka bërë patjetër. Ai sillej keq me zotat tanë, ai është fajtor.

–     Silleni këtu menjëherë! Të japë llogari për çka bërë!

Ibrahimin e sollën menjëherë.

–     Ti e ke bërë këtë gjë, apo jo, Ibrahim?

Ibrahimi qeshi me ironi. Duke treguar me kokë nga statuja e madhe, me sëpatë në krahë, u tha.

–     Ai e ka bërë… Ai, i pari i tyre. Po deshët pyetini, t’ju tregojnë vetë!

–     Për kë e ke fjalën? – e pyetën orakujt. Kë të pyesim?

–     Ata. Perënditë tuaja!

–     Po ti e di shumë mirë se ata nuk flasin dot!

–     Nuk flasin dot? Nuk janë në gjendje as të flasin? Po ju, si i adhuroni këta objekte që nuk janë në gjendje të flasin? A mendoni ndopak, a e futni ndopak trurin në punë? Shikoni, gjithë perënditë tuaja u copëtuan para syve të idhullit tuaj më të rëndësishëm dhe ai nuk qe në gjendje të bënte asgjë! Ata nuk e mbrojtën dot veten! Le më t’ju mbrojnë ju! Gjithato flijime, gjithato dhurata që i bëni, kot paskan qenë! Ia lashë sëpatën në dorë kësaj statujës së madhe dhe as që reagoi ndopak, as foli asgjë! E pse? Sepse është një copë gur pa shpirt! As flet, as shikon, as dëgjon… As bën dot dëm, as dobi! Si mund të jetë Zoti një copë gur, pse nuk e vrisni mendjen pak?

Orakujt ishin bërë si të çmendur!

–     Arrestojeni menjëherë këtë djalë! Hidheni në birucë! Tregojuni zotave tanë se ne jemi me ta! Mos e lini të lirë këtë tradhtar!

Këto fjalë e ekzaltuan turmën dhe të gjithë u hodhën mbi Ibrahimin, e kapën dhe e futën në burg. Pastaj u formua një trup gjykues për të, të cilin e kryesonte mbreti Nemrud. Kjo çështje që kishte marrë përsipër Ibrahimi (a.s.) duhet të merrte fund pa marrë fjala dhenë. Përndryshe mund të ishte shumë e rrezikshme për mbretërinë, se djali ishte i zgjuar e i vendosur ta zgjonte popullin nga gjumi! Nemrudi pretendonte se ishte vetë perëndi. Të gjithë që kishte përreth e adhuronin me përulje atë.

Gjithë populli u lajmërua për gjyqin dhe në sheshin e madh para faltores erdhën mijëra vetë për të ndjekur ç’do ndodhte. Nemrudi donte t’i tregonte njerëzve se Ibrahimi nuk kishte të drejtë dhe do të dënohej si rebel.

Sheshi ishte plot e përplot. Të gjithë ishin kureshtarë të shihnin atë djaloshin që injoronte idhujt. Pas pak, ushtarët sollën Ibrahimin (a.s.) të lidhur me zinxhirë, me pranga në duar e me vargonj në këmbë. Megjithatë, që larg, në ecjen dhe qëndrimin e tij dallohej një qetësi mahnitëse. Sytë i ndritnin, në fytyrë i lexohej serioziteti dhe krenaria që i jepte besimi.

Në shesh kishin vendosur një fron për Nemrudin dhe përreth i rrinin me përulje orakujt, ministrat, këshilltarët, rojet dhe shërbëtorët që i bënin fresk me freskore të mëdha. Të gjithë dridheshin prej Nemrudit, ai ishte shumë i egër dhe mizor.

–     Kam dëgjuar se ke nisur t’i ftosh njerëzit për t’i besuar një perëndie të re, – nisi fjalën Nemrudi.

–     Nuk ka perëndi të re e të vjetra. Zoti është Një, i Vetëm. Allahu është Krijuesi i botës dhe Ai është pa fillim, pa fund… – u përgjigj Ibrahimi me qetësi.

–     Edhe unë jam zot, – tha Nemrudi me fodullëk. Unë jam i zoti të bëj gjithçka bën Zoti yt.

Nemrudi ishte shumë fodull dhe mendjemadh. Pushteti, forca dhe pasuria ia kishin marrë mendjen fare. Në fakt, Ibrahimi kishte gjetur atë rast që i voliste! Menjëherë mund t’i trondiste themelet e gjithë bestytnive të Babilonisë. Më parë kishte thyer idhujt pa shpirt, tani ishte momenti të shkatërronte një idhull me shpirt. Pa e humbur gjakftohtësinë, Ibrahimi iu përgjigj:

–     Zoti im është Ai që jep jetë e që merr jetë! Ai të vdes dhe të ringjall!

–     Edhe unë jap e marr jetë!

Ibrahimi (a.s.) as që ia vari ndopak fjalëve të Nemrudit. Ishte e qartë se fliste përcart, se kush tjetër veç Zotit mund të jepte jetën e vdekjen? Ai ishte Zot i vërtetë i çdo gjallese! Kur e pa se Ibrahimi nuk u ndikua aspak nga fjalët e tij, Nemrudi vazhdoi:

–     Unë thërras një njeri nga rruga dhe urdhëroj ta varin, gjithashtu një të dënuar me vdekje, e fal. Kështu ia fal jetën. A nuk është dhe kjo të vdesësh e të ringjallësh?

Ibrahimit i erdhi për të qeshur me logjikën e cekët të Nemrudit dhe ndjeu keqardhje për këtë qyqar që e mbante veten për perëndi. Të gjithë kishin heshtur dhe dëgjonin me vëmendje dialogun mes Nemrudit dhe Ibrahimit.

Ibrahimi ishte i vendosur t’ia bënte të qartë Nemrudit se ishte e pamendueshme dhe shumë e gabuar të matej me Zotin.

Zoti im e lind diellin nga lindja. Po munde, ti linde nga perëndimi! Nemrudi u step. U shokua dhe nuk po gjente ç’të thoshte! Edhe njerëzit u shtangën. Orakujt, ushtarët, komandantët, mbetën pa fjalë. Kjo do të thoshte se Nemrudi ia fuste kot, se Zoti i Ibrahimit ishte vërtet i Gjithëpushtetshmi, se Nemrudi as që mund të matej me Të! Zoti e bënte çdo ditë diellin të lindte nga lindja. Nemrudi, po te ishte aq i zoti, le ta bënte të lindte nga kahu i kundërt, të paktën për një herë të vetme! Po ligjet me të cilat Mbreti i Vërtetë i gjithësisë administronte ekzistencën, ishin të vendosura nga Ai dhe askush nuk mund t’i ndryshonte! E në qoftë se një mbret i përkohshëm pretendonte se ishte perëndi, le të lëvizte sadopak me këto ligje.

Asnjëherë në jetën e vet Nemrudi nuk ishte ndjerë kaq i dobët dhe pa zgjidhje. Pa ditur se ç’të thoshte e si të vepronte, kishte mbetur i shtangur në qoshen e vet. Hodhi sytë nga orakujt e teologët që kishte përreth se mos kishin ata ndonjë ide për t’i dhënë, por asnjë s’bëzajti. Zemërimi po i hipte në kokë, u bë si i tërbuar. Si ishte e mundur që një njeri i vetëm po e ulte atë para të gjithëve dhe askush nuk gjente se si t’ia mbyllte gojën?

U ngrit në këmbë gjithë vrull dhe duke shtrënguar grushtet, tha:

–     Menjëherë hidheni në zjarr këtë djalë që guxon të tallet me perënditë tuaja! Kthejeni në hi trupin e tij! Pastaj hirin hidheni ta marrë era!

Në fakt, njerëzit kishin nisur të ngroheshin me Ibrahimin paksa. Por fjalët e Nemrudit bënë që ata të merrnin vrull sërish e të ngriheshin kundër tij.

Ushtarët e morën dhe një herë profetin e lidhur dhe e çuan në qeli. Gjyqi kishte mbaruar, vendimi ishte marrë. Ibrahimi (a.s.) do digjej i gjallë në turrën e druve. Me dhunë e mizori, ligësia kërkonte të mbante pushtetin e vet me çdo kusht.

Pa kaluar shumë kohë, ngjarja mori dhenë. Të gjithë flisnin për djaloshin që pasi kishte thyer statujat e perëndive e ishte tallur me orakujt, kishte mundur me fjalë edhe Nemrudin. Tani ai do hidhej në turrën e druve, ndaj, i madh e i vogël, mori rrugën drejt qytetit për të parë dënimin e tij.

Ushtarët e Nemrudit, hapën një gropë gjigante në të dalë të qytetit dhe e mbushën me dru e me gurë. Pastaj ndezën një zjarr vigan. Nxehtësia e zjarrit e bënte të pamundur afrimin, prandaj ndërtuan një vend, nga ku do e hidhnin Ibrahimin në zjarr me katapultë. Ia lidhën duart dhe këmbët për litarin e katapultës, në mënyrë të tillë, që kur të tërhiqnin degën që e mbante, e pasi të tendosej ta lëshonin, ai të fluturonte drejt zjarrit. Flaka e zjarrit të madh lëpinte qiellin. Njerëzit rrinin qindra metra larg, që të mos digjeshin, aq i madh e përvëlues ishte!

Në fytyrën e Ibrahimit kishte rënë një nur i paparë. Ishte shumë i qetë, gjithçka ia kishte lënë në dorë Zotit (xh.sh.) dhe me forcën e një besimi dhe përkushtimi të pashembullt, nuk ndiente asnjë pikë frike. Askush veç Zotit nuk mund ta ndihmonte, asgjë veç dashurisë së Tij nuk e shpëtonte dot! Edhe në ato momente aq të vështira, Ibrahimi mundohej t’i ndikonte njerëzit me sjelljen e tij. Pastaj vdekja nuk ishte diçka e tmerrshme për të, madje ishte shpëtim nga vuajtjet në këtë botë dhe takim me Dashurinë e tij të vërtetë! Punë e madhe se po e digjnin! Ia vlente! Ai për atë ideal jetonte, ku e gjente të vdiste për Të!

Pikërisht në ato momente meditimi të thellë, pranë Ibrahimit erdhi engjëlli Xhebrail.

–     O Ibrahim, çfarë urdhëron të bëj për ty? Po deshe bëj që të bjerë shi i madh e ta shuajë zjarrin. Apo të përplas krahun e për një çast ky vend të bëhet një me tokën? Të mos mbesë frymë njeriu mbi të! Ti veç hap gojën!

Përgjigjja e Ibrahimit ishte e shkurtër dhe e thjeshtë!

–     Zoti po më sheh! Ai e di më së miri gjendjen time. Zoti më mjafton!

Këto fjalë krodhën në heshtje gjithë krijesat e gjithësisë. Engjëjt përqendruan vëmendjen, banorët e qiejve lanë çdo punë e u kthyen drejt tokës. Mijëra njerëz që ndodheshin për të parë ngjarjen, heshtën dhe po prisnin gjithë ankth fjalën e Nemrudit. Dhe Nemrudi thirri:

–     Hidheni atë rebel në zjarr!

Dega mori flakë dhe pastaj e fluturoi Ibrahimin në mes të flakëve.

Atë çast… Zoti urdhëroi zjarrin:

“O zjarr! Bëhu i freskët dhe i sigurt për Ibrahimin!”

Dhe zjarri menjëherë zbatoi urdhrin hyjnor. Flaka përvëluese nuk e dogji aspak Ibrahimin. Përkundrazi, Ibrahimi ndiente një fllad rehatues që i përkëdhelte trupin. Dalëngadalë flakët gjigante po ktheheshin në një kopsht të mrekullueshëm dhe të freskët. E vetmja gjë që dogji zjarri, ishin litarët që kishte Ibrahimi në duar e këmbë. I ulur në mes të zjarrit, Ibrahimi, me qetësinë e gjakftohtësinë më të madhe, përmendte me gjithë shpirt Zotin e vet.

–     Zoti është miku im më i mirë, Ai mua më mjafton.

As nuk kishte ndjerë frikë dhe as ishte tronditur. Një zemër e mbushur me besim te Zoti nuk ka pse trembet, sepse e di më së miri se çdo shkak e çdo përfundim është në vullnetin e Tij. Pa lejen e Zotit, askush nuk mund ta rrezikojë e as ta dëmtojë atë.

Ndërsa Ibrahimi (a.s.) hidhej mizorisht drejt zjarrit vigan, nga turma lartësoheshin britmat plot zemërim të njerëzve. Por pas pak të gjithë kishin mbetur të stepur e të lemerisur nga ajo që po shihnin. Sytë u ishin zgurdulluar e zëri u ishte mekur të gjithëve. Ibrahimi po dilte me këmbët e veta nga gropa e zjarrit, ashtu siç kishte hyrë. Buzëqeshte dhe një dritë e mrekullueshme ia ndriçonte gjithë fytyrën. Rrobat nuk i ishin djegur aspak, madje as shenja tymi a zjarri nuk kishin fare!

Ai po dilte nga zjarri sikur dilte nga një kopsht xheneti. Tashmë nga turma nisën të dëgjoheshin britma habie. Zjarri nuk e kishte prekur Ibrahimin.

Nemrudi u tremb, orakujt po dridheshin. Ibrahimin e kishin përballë duke u buzëqeshur i qetë. Të gjitha planet e tyre kishin dështuar. Kishin dështuar edhe perënditë e tyre. Nuk u kishte mbetur asnjë fjalë për të thënë. Po pse, besuan? Aspak! Inati dhe ligësia e kishin përfshirë aq shumë karakterin e tyre, sa nuk i lejonin më ta shihnin të vërtetën në sy. Menjëherë orakujt i thanë popullit se e kishin kuptuar të fshehtën e Ibrahimit, ai ishte magjistar! Kurse Nemrudi, i frikësuar për rrjedhën që mund të merrnin ngjarjet, shkoi pranë Ibrahimit dhe i tha se mund të jetonte i lirë në mbretërinë e tij.

Mrekullia e Ibrahimit u përhap si era në çdo anë, në male, në fusha e në shkretëtira. Njerëzit i pushtoi kureshtja dhe u nisën me karvanë drejt kryeqytetit për ta marrë vesh situatën më nga afër. Të gjithë thoshin se Ibrahimin e kishte shpëtuar nga zjarri Zoti i tij.

Por shejtani nuk kishte si të mos ndërhynte në një rast të tillë. Orakujt nga çdo anë përhapnin fjalën se Ibrahimi (a.s.) ishte magjistar dhe i gënjente njerëzit me iluzionet e veta. Për ta ishte shumë e vështirë të rrezikonin pozitën ku ndodheshin në sajë të idhujtarisë, me fjalët e Ibrahimit, të vërteta apo të gënjeshtërta qofshin! Për të qenë më të sigurt, ata i trembnin njerëzit duke u thënë se kush besonte Ibrahimin, do të dënohej me vdekje. Por shumë pak njerëz mund të kishin menduar seriozisht për besimin e Ibrahimit, sepse edhe për ta nuk ishte aq e volitshme të ktheheshin në fenë e të parëve.

Ibrahimi (a.s.) pa përtesë, natën e ditën, u mbante ligjërata këtyre njerëzve. U tregoi mijëra dëshmi të ekzistencës së Zotit dhe u shpjegoi vlerat e besimit. Vetëm se ata nuk donin të bindeshin aspak. Fjalëve të tij plot dashuri, iu përgjigjën me inat e urrejtje, veprat e tij të mira, preferuan të mos i vinin re. Në gjithë Babiloninë askush nuk i besoi, veç një djaloshi e një gruaje të re.

Gruaja ishte Sara. Më vonë, profeti Ibrahim do të martohej me të. Kurse djali ishte Luti, që në të ardhmen do të nderohej me misionin e profetit.

Kur e pa se asnjë nuk po i dëgjonte fjalët e tij, Ibrahimi (a.s.) vendosi të mërgonte. Para se të nisej për rrugë, shkoi edhe një herë te i ati. Ndoshta e besonte, bëhej mysliman, i kthehej rrugës së drejtë, kushedi?! Pastaj Ibrahimi ishte i bindur ta kryente detyrën e vet gjer në fund. Por i ati ishte një armik i betuar i Zotit dhe nuk donte kurrsesi të besonte.

Sikur në historinë e Nuhut, që djali nuk kishte besuar babain, në historinë e Ibrahimit ishte babai ai që nuk besonte djalin. Megjithëse nga më të afërmit e profetëve, ata nuk kishin dashur të merrnin pjesë në rrugën e dritës në të cilën i çonte besimi dhe kishin zgjedhur errësirën. Besimtarët e devotshëm u bënë më të afërt për profetët dhe i dolën më për zot rrugës së tyre, se çdo i afërm tjetër, si për të dashur të vërtetonin se lidhja mes besimtarëve është më e fortë se gjithçka.

Mbretëria e Babilonisë kishte mbetur pas. Për Ibrahimin kishte nisur jeta e mërgimit. Ai kishte vendosur të shëtiste vend më vend e t’i ftonte njerëzit në besimin e vërtetë. Së pari shkoi në Or, pastaj në Harran dhe më pas, bashkë me Sarën e me Lutin, shkuan në Palestinë. Pas njëfarë kohe kaluan në Egjipt. Kudo nga kaloi, i ftoi njerëzit në besim, ndihmoi të varfrit dhe gjithë ata që kishin nevojë, hapi derën dhe zemrën me dashuri për çdo njeri dhe këshilloi veç për mirë e për durim.

Kështu kaluan shumë vite. Gjithë jetën Ibrahimi (a.s.) e kishte kaluar në shërbim të njerëzimit, duke i ndihmuar njerëzit për këtë botë e për botën tjetër. Tani nuk ishte më i ri, thinjat kishin filluar t’i dukeshin nëpër flokë dhe nuk kishte më energjinë e dikurshme. Edhe Sara, nuk ishte më e re. Koha kalonte dhe vitet bënin punën e vet. Ata nuk kishin fëmijë dhe Sara e vuante shumë këtë. Më tepër se për vete, ajo mërzitej për të shoqin, sepse një fëmijë do ta kishte inkurajuar edhe më tepër në rrugën e tij dhe do t’ia kishte ndritur shtëpinë. Sara kishte një shërbëtore besnike, të cilën ia kishte bërë dhuratë mbreti i Egjiptit. Quhej Haxher dhe ishte shumë e bindur dhe shumë e urtë. Sara vendosi që ta martonte Ibrahimin me Haxherin, sepse kështu ndoshta mund të bëhej me fëmijë. Sara e dinte se vetë nuk lindte dot.

Pas ca kohësh, Haxheri lindi një djalë, të cilin Ibrahimi e quajti Ismail.

Zoti e nderoi Ibrahimin me epitetin “Halil”, që do të thotë miku më i afërt dhe më i dashur i Zotit. Ibrahimi (a.s.) e kalonte shumicën e kohës me adhurim e lutje. Kishte raste që nuk flinte gjithë natën, vetëm falej e përmendte Zotin me dashuri. Çdo çast të jetës së tij e kalonte me mendimin si ta falenderonte dhe më tepër Zotin, si ta adhuronte dhe më tepër Atë, si t’i afrohej më shumë Atij?

Duke parë përkushtimin e dëlirësinë e besimit të Ibrahimit, Zoti (xh.sh.) ia plotësonte çdo lutje.

Megjithëse ishte i bindur në jetën pas vdekjes dhe e besonte me gjithë shpirt atë, Ibrahimi kishte shumë kureshtje të dinte se si do ringjalleshin të vdekurit.

–     E besoj, o Zoti im, po a mund ta shoh këtë gjë konkretisht?

E besonte, por mendja nuk ia konceptonte dot këtë mrekulli.

–     Jam plotësisht i bindur dhe besoj te forca Jote, Ti e di më mirë këtë o Zoti im, po dua ta mbush edhe më fort me besim zemrën dhe dua ta qartësoj dhe më tepër mendjen time.

Zoti (xh.sh.) e pranoi kërkesën e Ibrahimit dhe i tha atij të merrte katër zogj, t’i therte, t’i çonte copat e tyre në male të ndryshëm dhe pastaj t’i thërriste. Ibrahimi e plotësoi pikë për pikë këtë urdhër. Mrekullia hyjnore ndodhi mu para syve të tij. Copat e zogjve të ngordhur bashkoheshin dhe visheshin me jetë sikur të mos kishin ngordhur asnjëherë dhe me fluturim mbërrinin te Ibrahimi.

Një ditë, në mëngjes herët, Ibrahimi (a.s.) shkoi pranë Haxherit dhe i tha të përgatitej menjëherë për rrugë. Pas pak ai, Haxheri dhe Ismaili i vogël kishin nisur udhëtimin. Zoti e kishte urdhëruar Ibrahimin që t’i çonte Haxherin dhe Ismailin në Arabi dhe Ibrahimi iu bind menjëherë urdhrit të të Gjithëdijshmit. Kjo gjë kishte një arsye shumë të fortë, sepse në të ardhmen, Ismaili do bëhej një profet në gadishullin arabik, pastaj Ismaili bashkë me Ibrahimin do urdhëroheshin të ndërtonin Qaben. Aq më tepër që edhe Profeti i Fundmë, Muhamedi (a.s) do lindte nga fisi i Ismailit.

Udhëtimin e nisën mes lëndinave të gjelbra e pemëve të larta. Pastaj kapërcyen shkretëtirat, malet, fushat, që pasonin njëra-tjetrën. Më në fund arritën në një luginë të thatë pa jetë në mes të shkretëtirës. Asnjë gjurmë jete nuk dukej në luginë. Ibrahimi zbriti nga kali, pastaj zbriti dhe gruan e fëmijën. Atyre iu dha një torbë me pak ushqim dhe ujë për dy ditë. Pastaj u largua, pa kthyer as kokën nga pas.

Haxheri vrapoi pas tij.

–     Ibrahim, ku po shkon? Si po na lë vetëm në këtë shkretëtirë të vdekur?

Haxheri qante me dënesë, kurse Ibrahimi as që reagonte ndopak. Haxheri e pyeti sërish, sërish, kurse ai vetëm heshte. Haxheri nuk po kuptonte asgjë. Si ishte e mundur që Ibrahimi, ai njeri aq i dashur e aq i ëmbël, t’i braktiste kështu në mes të shkretëtirës? Cili ishte qëllimi i tij?

Haxheri u mendua pak.

–     Ibrahim, a është ky një urdhër i Zotit?

–     Po…

Haxheri e kishte zemrën plot me besim.

–     Në qoftë se është urdhër i Zotit, atëherë Ai është me ne! Patjetër do na ndihmojë. Ti shko rehat se ne nuk shkatërrohemi këtu, Zoti do të na ndihmojë!

Ibrahimi (a.s.) i kishte sytë e përlotur ndërsa largohej nëpër shkretëtirë, derisa humbi nga sytë. Kur ishte larguar goxha, u ndal dhe nisi të lutej:

–     O Zoti im, më i Larti i të lartëve! Ti që je mbrojtësi më i mirë për këdo! E lashë familjen time në mes të shkretëtirës, ku as edhe një gjethe nuk dukej gjëkundi. I lashë pranë Teje. Pa dyshim që Mbrojtësi i tyre je Ti, o Zoti im!

Ismaili ishte ende foshnjë atë kohë. Por një ditë bashkë me të atin do të ndërtonte në atë vend shtëpinë e parë të Zotit mbi tokë, Qaben. Ai vend i shkretë, do bëhej qendra më e nderuar e njerëzimit dhe drejtimi që do i ktheheshin të gjithë njerëzit që faleshin.

Pasi i kishte lënë Haxherin me të birin mu në mes të shkretëtirës, Ibrahimi ishte kthyer sërish mes njerëzve për të vazhduar misionin e tij të shenjtë.

Dielli ishte mu në zenit dhe digjte aq fort, sa njeriun e thante etja. Brenda dy ditëve uji u mbaroi. Me mbarimin e ujit, nga thatësira, Haxherit iu ndërpre qumështi. Nënë e bir ishin të etur së tepërmi. Edhe ushqimi u kishte mbaruar. Ishin në gjendje shumë të vështirë. Ismaili i vogël nuk e duronte më etjen dhe nisi të qante me të madhe. Nëna e re e la fëmijën aty dhe doli të kërkonte ujë përreth. Eci dhe eci gjer në një majë të quajtur Safa. U ngjit gjer në majë, vuri dorën si strehë mbi sy dhe ia nguli sytë me vëmendje hapësirës pa anë. Kishte shpresë mos shihte ndonjë pus a oaz, a ndonjë karvan që kalonte, a mos dëgjonte ndonjë zë. Përveç të nxehtit përvëlues asgjë tjetër nuk vihej re.

Pa humbur kohë zbriti që andej dhe me vullnetin e njeriut të rraskapitur, nisi të vraponte nëpër luginë. Donte të arrinte majën përballë. Hipi gjer në majën Merve dhe vështroi me vëmendje që aty. Asgjë nuk dukej. Sytë i mbetën në zbrazëtirë.

Pa dyshim që Mëshira Hyjnore që mbështjell gjithësinë, nuk i kishte braktisur nënë e bir në atë vend të vdekur. Vullneti hyjnor realizon edhe më të pamundurën!

Ismaili goditi me këmbë rërën përvëluese të shkretëtirës dhe uji i pastër e i kulluar gurgulloi mu atje…

Nga toka e vdekur buroi jeta!

Ja, kështu buroi së pari uji i Zemzemit.

Uji rridhte pa ndërprerje, me gjithë fuqinë.

Nënë e bir shuan etjen e u freskuan me atë ujë të shenjtë e bashkë me ta shoi etjen edhe toka e zhuritur. Nëna e lumtur merrte ujin në grushte, i jepte për të pirë të birit, pinte vetë dhe falënderonte të Gjithëmëshirshmin që i kishte shpëtuar me atë mrekulli.

Me ujin bashkë në luginë erdhi dhe gjallëria. Nisi një jetë e re.

Uji i tërhoqi shpejt njerëzit në atë zonë. Me vargje të tëra njerëzish erdhën dhe u vendosën pranë ujit. Kështu, dalëngadalë, po hidheshin themelet e një qytetërimi të ri. Edhe Ismaili po rritej.

Përditë Zoti (xh.sh.) i mësonte atij moralin e profetëve, e përgatiste atë për misionin që e priste. Pas disa kohësh erdhi t’i vizitonte edhe Ibrahimi. Ai e donte jashtëzakonisht të birin. Ndërkohë, Zoti do e provonte Ibrahimin dhe Ismailin me një sprovë shumë të vështirë.

Ibrahimi (a.s.) pa në ëndërr sikur po therte të birin, Ismailin, për t’ia bërë fli Zotit. Shpesh, shpalljet dhe urdhëresat e Zotit, profetëve u vijnë në formë ëndrrash, sepse ëndrrat e profetëve janë të vërteta, të ndryshme nga ëndrrat e të tjerëve. Urdhri ishte shumë i qartë: Ibrahimi do të flijonte birin e tij të vetëm, qe e donte më fort se shpirtin.

–     Biri im, kam parë në ëndërr sikur po të flijoja. Ti ç’thua për këtë?

Djali, që kishte një edukatë e formim të mrekullueshëm, iu përgjigj:

–     Baba, duhet të bësh atë që të është urdhëruar. Me lejen e Zotit, unë do të kem durim…

Ja, kështu, biri të atit, babai Zotit, jepnin shembujt më të lartë të bindjes. Të gatshëm dhe të përgatitur, i hynë një provimi shumë të vështirë.

Duke ecur, arritën në vendin ku babai do therte djalin. Ismaili u shtri dhe Ibrahimi nxori thikën. Po sapo e ciku qafën e Ismailit, Zoti e urdhëroi të ndalonte. Në vend të të birit, i solli Ibrahimit për flijim një dash të madh nga xheneti.

Zoti (xh.sh.) ishte i kënaqur prej tyre, prandaj dhe i kishte nderuar dhe i kishte mbuluar me mëshirën e Vet. Bashkë me këtë, atë ditë të shenjtë kur babë e bir kishin dhënë provën e një besnikërie të pashoqe, e kishte shpallur festë për gjithë besimtarët. Atë ditë, myslimanët presin kurbane dhe përkujtojnë me nderim historinë e dy profetëve të mëdhenj që u bënë shembull për njerëzimin me bindjen e adhurimin e tyre.

Atë kohë në tokë nuk kishte një faltore të mirëfilltë. Ishin ca faltore andej-këndej, por ishin të mbushura me idhuj e me statuja. Ndoshta ishin të ndërtuara shumë bukur, por nuk kishin shpirt aspak. Prandaj dhe Ibrahimi mendonte të ndërtonte një faltore ku njerëzit të adhuronin Zotin e vërtetë, të cilën do e quante shtëpia e Zotit.

Dhe kështu, Zoti (xh.sh.) një ditë urdhëroi Ibrahimin e Ismailin të ndërtonin shtëpinë e Zotit në tokë, Qaben. Ajo do të bëhej drejtimi i gjithë atyre që faleshin e i luteshin Zotit anekënd botës. Menjëherë, babë e bir, nisën ndërtimin. Së pari sollën shkëmbinj e gurë nga malet e afërt e të largët, pastaj hapën themelet dhe vendosën gurin e parë.

Ditë pas dite, muaj pas muaji, muret e ndërtesës u lartësuan dhe Qabja e shenjtë e njerëzimit përfundoi. Ishte faltorja e parë mbi dhé, vendi më i shenjtë e i nderuar i tokës. Pas përfundimit të saj, Ibrahimi mendoi për një pikënisje për pelegrinët që do i silleshin Qabes dhe vendosi të përdorte një gur të ndryshëm nga ata që ishin përdorur në ndërtim.

Kështu, engjëjt i sollën Ibrahimit nga xheneti një gur të madh, të quajtur “haxherul esved”. Ibrahimi e puthi atë gur me nderim dhe e vendosi në një prej mureve të jashtëm të Qabes.

Edhe Zoti (xh.sh.) i dha një vlerë shumë të veçantë Qabes, duke i urdhëruar njerëzit që në falje t’i drejtohen asaj, ta vizitojnë atë e gjatë vizitës të luten për mëshirë. Ndërsa Ismaili me Ibrahimin ndërtonin Qaben, luteshin me gjithë shpirt:

“O Zoti ynë! Pranoji veprat tona për Ty! Ti di dhe dëgjon gjithçka! Bëj që ne të të dorëzohemi krejtësisht Ty! Gjithashtu edhe prej bijve tanë, nxirr një popull besimtar, mysliman, që të të falet Ty!”

Zoti i Lartë e pranoi menjëherë lutjen e atyre dy njerëzve të mëdhenj. I pari që përdori termin mysliman, profeti Ibrahim ishte. Edhe kur vdiq, ai njeri i madh la pas dy djem profetë, udhërrëfyes të njerëzimit, Ismailin dhe Is’hakun. Profeti ynë i madh, Muhamedi (a.s.) ka ardhur nga gjaku i Ibrahimit dhe i Ismailit. Po ashtu, edhe nga gjaku i Is’hakut lindën gjithato profetë. Biri i tij Jakubi, Jusufi, Musai, Zekerija, Jahja, Isai…

Për këtë arsye, historia e përmendi atë gjithnjë me emrin, babai i profetëve. Një tjetër emër i tiji ishte Halilu Rrahman, Miku i vërtetë i Zotit. Sepse Zoti e donte fort Ibrahimin. Gjithashtu, gjithë njerëzit besimtarë në botë, të çfarëdo vendi e kohe qofshin, e deshën dhe e nderuan shumë Ibrahimin. Kurse Drita e Njerëzimit, Muhamedi (a.s), e desh edhe më veçantë se të tjerët, duke e përmendur me respekt e duke u ndjerë i lumtur sa herë i përngjasonte Ibrahimit.

Postime të ngashme