Profeti Ynë (25) – Rrugë që shkon kah bashkëshortësia
Hatixhja ishte martuar dy herë gjer atëherë, dhe as që e çonte nëpërmend që të martohej edhe njëherë. Sipas saj tashmë kishte arritur moshën e pjekurisë, si dhe nuk kishte nevojë për ekzistencën e një tjetri për t’u mbështetur karshi dallgëve të jetës. Me fjalët të tjera, ajo kishte një pasuri aq të madhe, saqë ishte e pamundur që të mund t’ia përcaktoje. Rrethi gjeografik i prejardhjeve të vartësve të saj ishte jashtëzakonisht i gjerë. Ashtu siç kishte punëtorë nga Bizanti, nga Iraku dhe Gasasina, ajo kishte punësuar edhe njerëz nga vendet e afërta si Siria dhe Hira.
Ishte tejet e pasur, dhe ishte përherë në qendër të vëmendjes së njerëzve të mençur, të bukur dhe të pjekur. Deri më atëherë, as që i kishte shkuar ndërmend që të martohej, ndoshta edhe nga një mendim për të mos ndotur martesat e mëparshme, ajo i refuzonte të gjitha kërkesat që i vinin nga njerëzit përreth. Tanimë, ishte e një tjetër mendjeje, veçse nuk dinte se si ta hapte një mendim të këtillë, andaj ishte zhytur në mendime të thella.
Ajo që e vuri re e para këtë ndryshim te Hatixhja, ishte Nefisja, e bija e Munjes, derisa iu afrua një ditë prej ditësh, për ta pyetur:
Ç’po ndodh kështu me ty, o Hatixhe? A e ke parë se sa shumë ke ndryshuar? Tërë jetën kam qëndruar pranë teje, por nuk të kam parë asnjëherë kaq të menduar!
Fillimisht ajo u lëkund nëse duhej apo jo ta fliste këtë çështje me Nefisen, andaj për disa çaste ndenji ashtu e heshtur. Edhe pa bërë asnjë lëvizje, nuk mendohej se e mira do të vinte e do t’i trokiste vetë në portë. Ajo vendosi që ta ndante këtë ngulç me mikeshën e saj të ngushtë.
Nefise, as që nuk kam më dyshime, se unë shoh te Muhamedi, i biri i Abdullahut, virtyte që nuk i kam parë tek asnjë njeri tjetër. Ai është shumë i drejtë, besnik dhe i sigurt; vjen nga një familje e sojshme, dhe e ke parë se sa i fisshëm që është. Ndoshta është njeriu më i hairit që mund të rastisësh. Mbi të gjitha, për të ka shumë sihariqe të mahnitshme! Një gjendje shumë e çuditshme… Kur dëgjon ato që rrëfeu Mejserja… Kur bëhesh dëshmitar i rrëfenjave të murgut Nastura dhe popullit të Mekës… Apo ndoshta kur sheh renë që e ndiqte përgjatë gjithë rrugëtimit të Sirisë, ta bëjnë të gjitha zemrën të të fluturojë prej vendit. Kam besim se Profeti i shumëpritur prej të gjithëve nuk është askush tjetër, pos Tij!
Mirë, po çfarë lidhje ka kjo tani me këtë zverdhje të çehres sate, apo me qëndrimin tënd kaq të mendueshëm? – ia ktheu Nefisja, e cila të thuash të drejtën, nuk po kuptonte asgjë prej gjëje.
Mesa dukej, ajo duhet të fliste pak më hapur. Andaj, pa humbur kohë, Hatixhja u kthye kah Nefisja:
Shpresoj se mund ta bashkoj fatin tim e të martohem me atë njeri, mirëpo nuk di si do t’ia arrij diçkaje të tillë?
Kësaj here çdo gjë ishte e qartë. Nefisja, e cila kishte kuptuar thuajse çdo gjë nga mimika e Hatixhes, e kënaqur se mund ta ndihmonte sadopak, i tha:
Nëse dëshiron, unë mund të shkoj e t’ua mas paksa pulsin njerëzve!
Ky ishte pikërisht edhe reagimi që po priste Hatixhja, andaj ashtu e ngazëllyer, iu kthye Nefises:
Nëse e bën dot diçka të këtillë, ta dish se duhet ta bësh sa më shpejt!
Nefisja, e bija e Munjes, u nis menjëherë. Pa humbur shumë kohë, filloi të pyeste se si mund ta gjente adresën e Muhamed bin Abdullahut. Pas pak kohësh e gjeti veten pranë Të Dërguarit të Allahut sal’lallahu alejhi ue sel’lem.
O Muhamed! – i foli ajo.
Muhamedi i nderuar u kthye i tëri kah ajo, e po e dëgjonte me vëmendje.
Çfarë të pengon që nuk martohesh? Pse nuk martohesh? – e pyeti ajo.
Kjo ishte një pyetje surprizë, të cilën Mbreti i mbretërve as që e kishte çuar nëpërmend se mund t’i pyetej.
Nuk është se kam ndonjë mundësi të tillë, – ia ktheu Ai. Dhe vërtet, Ai nuk i kishte mundësitë ekonomike për t’u martuar. Të paktën, Ai duhet të kishte një njeri mbështetës që ta merrte përsipër e të kujdesej për martesën e Tij.
Nefisja do të mundohej me gjithë shpirt që t’i tregonte se kjo në fakt nuk përbënte asnjë problem. A nuk ishin të gjitha, pasuria, malli dhe paraja veç një lojë kalimtare? E cilësitë e mira, si qetësia, besnikëria dhe karakteri i pastër, nuk ishin ndonjë pasuri e vogël që mund të gjendej kudo! Përderisa porta ishte hapur kaq shumë, duhej të mos mbyllej.
Nëse nuk do të kishe këtë problem që përmende, e të të dilte përpara një grua e pastër, e bukur, e pasur dhe me karakter të lartë, a nuk do të martoheshe? – e pyeti ajo.
Fjalët tregonin se në fakt ekzistonte një njeri me këto cilësi. Dhe Mbreti i Fjalës vendosi që ta pyeste:
Kush na qenka kjo, oj Nefise?
Hatixhja, – ia ktheu Nefisja.
Ishte e pamundur të mos e njihte Hatixhen, të bijën e Huvejlidit; vetëm pak ditë më parë kishte qenë ai që e kishte shpënë karvanin e saj në Siri, duke ia dorëzuar përsëri pas një tregtie vërtet të majme. Vetëm se martesa nuk ishte aq e lehtë sa tregtia. Andaj, ai e pyeti:
E si mund të ndodhë diçka e këtillë?
Halli i Nefises nuk ishte se si mund të ishte e mundur diçka e këtillë, por mezi priste që të merrte një “Bëhet!”. Ja, edhe kjo fjali ishte në njëfarë mënyre një pohim, dhe me të dëgjuar këto fjalë nga goja e Mbretit të mbretërve, ajo zuri të merrte frymë thellë. Sepse kjo donte të thoshte: “Për mua nuk përbën asnjë pengesë.” Këndej e tutje, edhe për Nefisen ishte disi më e lehtë.
Ti lërma mua se si mund të realizohet. Atë e zgjidh unë, – i tha ajo.
Heshtja ishte pohim deri diku, andaj Nefisja u nis menjëherë për te Hatixhja që t’i jepte sihariqin. Donte të ishte pikërisht ajo e para që ia thoshte këto fjalë. Rendi me një frymë, e zuri t’ia rrëfente një e nga një të gjitha. Lajmi që Nefisja i pruri, e bëri Hatixhen të merrte frymë më lehtë. Dhe me të mësuar se Ai nuk ishte kundër diçkaje të këtillë, ajo i nisi Atij menjëherë kërkesën dhe pëlqimin e saj për t’u martuar me Profetin e përmalluar. Ja, kërkesa niste me këto fjalë:
O i afërmi im! S’ka dyshim se unë nga afrimiteti që kemi midis familjeve tona, si dhe nga karakteri dhe sjelljet e tua të përsosura, nga fjala e drejtë që nuk ndahet kurrë prej gojës sate, dhe nga besnikëria e pashoqe që të karakterizon, po të them se dua të martohem me Ty. Thuaja këto edhe xhaxhallarëve të Tu, që të bëjnë përgatitjet e nevojshme!
Dukej qartë se të gjitha këto nuk ishin gjë tjetër veçse shprehje të kujdesshme që shprehnin dashurinë dhe lidhjen shpirtërore që kjo grua kishte karshi të Dërguarit të Allahu paqja qoftë mbi Të! Mirëpo edhe Muhamedi i nderuar nuk donte të vepronte nxituar, pa u këshilluar më parë me më të mëdhenjtë e Tij. Me të marrë këtë kërkesë, Ai shkoi menjëherë pranë xhaxhait të Tij, Ebu Talibit, për t’i treguar një për një të gjitha ato që ishin folur mes Tij dhe Hatixhes.
Po, nipi i tij ishte shumë i rëndësishëm për xhaxha Ebu Talibin. Askush nuk e kishte vlerën e Tij në sytë e Ebu Talibit. Edhe Hatixhja nuk ishte një femër që mund të mos vlerësohej nga çdokush. Të gjithë e dinë që ajo bënte një jetë në ndershme për t’u krenuar. Ishte e sojshme dhe tejet e fisshme. E kuptoi edhe prej të nipit që nuk është se nuk i pëlqente, andaj mendoi, “Pse të mos bëhet?”, derisa më në fund e uroi i pari të nipin.