Shërbimi ndaj njerëzimit
Ndihma ndaj të tjerëve është një prej principeve themelore të fesë islame. Ajo konsiderohet si një prej mënyrave më madhështore, për të treguar devocionin tonë ndaj Zotit të Madhëruar. Sipas Islamit, ndihmë ndaj të tjerëve do të thotë zgjidhje e problemeve të tyre dhe kjo nuk është vetëm një virtyt i rëndësishëm, por edhe një akt adhurimi.
Shërbimi ndaj njerëzve është mjet për arritjen e virtytshmërisë, promovon paqen e dashurinë dhe na mundëson të fitojmë shpërblimin e Zotit në ahiret. Ky veprim mund të bëhet shkak edhe për faljen e mëkateve të një personi.
Ndihma që i ofrojmë të tjerëve mund të jetë edhe diçka simbolike, siç është heqja e një pengese nga rruga. Ebu Hurejra (r.a) transmeton nga Profeti (a.s), se ai kishte parë një njeri të shëtiste në Xhennet, si shkak i heqjes së një pengese nga rruga, e cila i shqetësonte kalimtarët.
Dijetarët kanë nxjerrë mësime të shumta prej këtij hadithi, duke e quajtur virtyt çdo vepër, e cila lehtëson një shqetësim të të tjerëve, në çdo lloj forme. Ata kanë theksuar se namazi dhe adhurimet e tjera, janë të pafrytshme, përsa kohë ne nuk angazhohemi me shërbimin ndaj të tjerëve.