Hilet e shejtanit!
Shkaktari i të gjitha punëve të shëmtuara, dhe shkatërruesi i të gjitha veprimeve të vyera është djalli. Siç pohohet edhe në Kuranin Fisnik, “Shejtani ua tregoi atyre të stolisura punët e pavlera.” (Nahl, 63), apo “Shejtani i futi ata në dyshime të njëpasnjëshme” (A’raf, 20), gjithçka e ligë apo e pahijshme ka si burim djallin.
Nga ana tjetër, e shohim se Kurani Famëlartë e përmend atë me cilësorin “garur – 1. me krenari të tepruar; 2. që të bën të harrosh Allahun. ” Për shembull, Allahu (xh.xh.), në një ajet fisnik shprehet kështu: “Shejtani hileqar të mos ju mashtrojë për Allahun (me dije, besime dhe qasje të rreme)” (Lokman, 33). Ngase epiteti “garur” është në shkallën sipërore, në të vërtetë mbart kuptimin “gënjen shumë”.
Me një fjalë, kjo e shejtanit qenka një gënjeshtër e madhe. Ai vazhdimisht zhytet në thellësi të qëllimeve dhe mendimeve të qenies njerëzore, për t’u munduar mandej me mish e me shpirt, si e si ta nxjerrë atë prej rrugës së drejtë, me intrigat e tij të panumërta dhe me përpjekjet e tij që nuk dinë të mbaruar.
Në një tjetër ajet fisnik fjala shejtan cilësohet me fjalën “hannas”. Sepse shejtani është shumë dinak, tërhiqet mënjanë për të gjetur rastin, që me t’i ardhur në dorë një mundësi e mirë, të mund të vërsulet menjëherë, drejt e në sulm. Vazhdimisht fshihet pas një veli gjoja të së drejtës, i afrohet njeriut nga mendimet e tij më të mira, e ia tregon punët që mund të jenë më të shëmtuarat dhe më të papëlqyeshmet si të hijshme, duke e nxitur kësisoj si e si, që ai të ecë në një shteg ku ta ketë të pamundur ruajtjen nga të rrëshqiturit rrokapjekthi.
Me pak fjalë, është një krijesë mëse dinake, së cilës nuk mund t’i zihet kurrsesi besë. Siç shprehet edhe Bediuzaman Said Nursi, një prej mashtrimeve më të rënda të djallit është t’ia bëjë njeriut të harrueshme ekzistencën e tij. Asisoj që njeriu hyn në një gjendje të atillë që megjithëse hyn kryekreje nën sundimin e tij, duke vepruar me armët e tij më përfaqësuese, por sakaq fillon të mendojë me pohime të tilla si, “këtë e mendova unë, unë vendosa për të, unë e pata planifikuar, unë e realizova.” Me pak fjalë, ai fillon ta shohë veten si arkitektin dhe ndërtuesin e çdo gjëje.
Edhe egoja që i është dhënë strukturës së njeriut, kryen një detyrë prej centrali për djallin. Me gjuhën e Kuranit ajo është egoja urdhëruese, e cila nuk e lë asnjëherë të qetë njeriun, pasi vazhdimisht i rri e pëshpërit në rrëzë të veshit, si e si, vetëm për të këqija. Nëse do të na duhej ta ilustronim me një shembull, djalli vepron me trupin e njeriut sikur nëpërmjet një kodi mors, që i dërgon vazhdimisht atij sinjale nga më të ndryshmet. Edhe egoja mundohet t’i dekodojë këto mesazhe, për t’ia diktuar ato mandej njeriut. Ndërkohë që njeriu, fillon t’i përgjigjet ngacmimeve dhe urdhrave të ardhura nga shejtani dhe egoja urdhëruese, duke u bërë njësh me to, madje edhe duke kryer çfarëdolloj prapësie nën urdhrat e tyre.