Me moral përsoset njeriu dhe rregullohet bota

Njeriu, që për nga pamja e jashtme është një e panjohur e panjohshme, e shpërfaq identitetin e vet vetëm përmes karakterit, moralit dhe natyrës së vet. Për ta thënë ndryshe, aty ku forma dhe trajta mashtrojnë, karakteri i korrigjon të gjitha mashtrimet dhe bëhet interpretues i të fshehtave të brendisë së njeriut. Në të vërtetë, megjithëse kur themi “huluk” na vjen menjëherë ndërmend morali i mirë, disa njerëz, duke vlerësuar se si e mira, ashtu edhe e keqja mund të kthehet në zakon, bëjnë fjalë për ndarjen në “moral të mirë” dhe “moral të keq”. Sidoqoftë, me termin “huluk”, ne dëshirojmë të shprehim vetëm “moralin e mirë”.

Kriteri më i qëndrueshëm i tasavvufit është pikërisht ky moral i mirë. Shkëlqimi i jashtëm, pozitat e larta gjer në marramendje dhe aftësitë e jashtëzakonshme administruese, megjithëse mund të përbëjnë një truall për trëndafilin, për sythin, për frytin e karakterit të mirë, nëse nuk gjenden së bashku me moralin e mirë, nuk shprehin asnjë vlerë dhe as që ia vlen të ndalemi në to.

Morali, në kuptimin më të përgjithshëm, përfaqësohet me Kuranin. Në këtë kuptim, Kurani është një përbërës i kritereve universale të moralit. Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) shpreh mishërimin e kësaj. Kështu, Nëna jonë, Hz. Aishja, duke iu përgjigjur një pyetje që i drejtohet në lidhje me moralin e Profetit tonë (paqja qoftë mbi të!), thotë: “A nuk e lexoni Kuranin? Kurani ishte morali i tij.” Veç kësaj, edhe Kurani vetë, duke e ripohuar këtë të vërtetë, thotë: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë morali.” (Kalem, 4). Nëse njihemi me veprimtarinë e tij sipas asaj çka na mëson historia, shohim se morali i Profetit tonë Muhamed (paqja qoftë mbi të!) është vlerësuar lart e është admiruar edhe prej atyre që nuk i kanë besuar atij.

Sa e sa njerëz ka që duken me karakter të mirë, të butë e humanistë, ndërsa në jetën e tyre morali i mirë dhe zemërbutësia nuk përbëjnë veçse një gënjeshtër të plastifikuar që sakaq thyhet e bëhet copë e çikë si një enë kristali. Një zemërim i vogël, një dhunë e pakët, një ngacmim i lehtë mjaftojnë për të nxjerrë në pah fytyrën dhe mendimet e tyre të vërteta.

“Me moral përsoset njeriu, me moral rregullohet bota.”

Në literaturën islame, krahas fjalës “ahlak”, për karakterin e mirë dhe karakterin e keq përdoret edhe fjala “edeb” ose “adab” (edukatë, etikë) për sjelljen e mirë dhe respektimin e rregullave të të vepruarit gjatë ushqimit, pirjes, bisedës, udhëtimit dhe në veprimtari të ndryshme të jetës së përditshme, për sjelljet e mira e të denja dhe këshillat e shkurtra e plot urtësi dhe për veprat e organizuara sipas këtyre këshillave. Termi “edeb” është përdorur që në periudhat e hershme për fushat e sjelljes së veçantë, ndërsa termi “ahlak” është përdorur për të shprehur hapësirën e njohurive dhe të mendimit në drejtim të sigurimit të forcave morale e shpirtërore si burim i qëndrimeve dhe i sjelljeve, në drejtim të sigurimit të përsosjes shpirtërore të njeriut.

Ata që, sikurse njerëzit e Xhahilijetit, nuk i besojnë jetës së Ahiretit (En’am, 29; Ja Sin, 78; Xhathije, 24), kanë si qëllim të jetës së tyre përfitimin sa më shumë që të jetë e mundur prej ëndjeve dhe kënaqësive të kësaj bote. Kjo është arsyeja përse në poezinë e kohës së Xhahilijetit, si tema kryesore renditen gratë, dashuria, vera dhe luftërat fisnore. Poeti i famshëm i asaj periudhe, Tarafai, në një poezi të tijën të renditur mes “Mual’lakat Seb’a”, duke qenë se nuk mund të bëjë fjalë për përjetësinë, thotë se për njeriun gjëja më e mirë që mund të bëjë është që të shijojë këndelljen e jetës, duke shprehur, në këtë mënyrë, konceptin hedonist të moralit të asaj kohe. Pas të gjitha mirësive morale të kësaj periudhe qëndronin gjithmonë krenaria fisnore (fahr), nderi (mexhd), zemërimi (gadab), lartësimi i përkatësisë fisnore (hamijjet), kënaqja e epsheve; fisnikëria, bujaria dhe të fituarit e famës përmes guximit e burrërisë, respekti, zgjimi te njerëzit i ndjenjave të frikës e të admirimit.

Feja Islame, kundrejt traditave barbare e të egra që kishin lindur prej frymës fisnore, dhënies pas kënaqësive kalimtare të konkurrencës dhe të përçmimit të të tjerëve, vuri hilm-in dhe bamirësinë që duan të thonë balancim i egos njerëzore dhe mbrojtje e karakterit prej zemërimit dhe dhunës. Në këtë mënyrë, Islami i mësoi njeriut që gjithë atë energji të përdorur prej tij gjer në atë kohë në luftën kundrejt qenieve jashtë vetvetes ta kthente në luftë kundër prirjeve të këqija të egos së vet.

Burimi i moralit të Islamit janë Kurani dhe Suneti. Kurani Fisnik nuk është vetëm një libër morali. Ai në të njëjtën kohë është një libër lutjeje, një libër meditimi, një libër rregullash… Si i tillë, krahas çështjeve të tjera që trajton, edhe çështjet e moralit nuk i shtjellon si një libër morali, por duke i ndërthurur me temat e tjera, na sjell plot e plot parime teorike dhe rregulla praktike që formojnë një sistem morali që s’i mungon asgjë.

Në Islam nuk është e mundur që besimi (iman) të ndahet nga morali (ahlak), sepse pranimi me përulësi i të gjitha urdhëresave kuranore është domosdoshmëri e besimit. Duke i vënë në vend këto urdhëresa, gjithashtu, mbërrihen vlerat më të larta morale. Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ndër besimtarët, më i miri në çështje të besimit është ai që zotëron moralin më të mirë.”Në këto kushte, njeriu që nuk është në zotërim të një konceptimi të përsosur në pikëpamje të moralit, edhe në çështje të besimit nuk e ka mbërritur plotësinë.

Postime të ngashme