Roli i Sahabeve në formimin e shkencës së Fikh’ut
Hz. Omeri r.a transmeton një hadith të Profetit a.s, ku tregon formën se si duhet marrë shkenca e fikh’ut. Në këtë hadith ka tregues indirekt, që japin një manual të marrjes së shkencës së fikh’ut në formën e një zinxhiri transmetimi pa shkëputje, ashtu siç ekziston edhe në shkencat e tjera Islame.
“Profeti a.s u ngrit në këmbë, kështu si u ngrita dhe unë dhe tha: ‘Tregoni respekt ndaj sahabëve! Respektoni ata që do t’i pasojnë ata dhe ata që do të vijnë pas tyre! Sepse më vonë do të përhapet shumë gënjeshtra, aq sa, personi do të betohet edhe kur nuk i kërkohet diçka e tillë, do të dëshmojë, pa ju kërkuar dëshmia. Kush dëshiron një vend në mes të Xhenetit të ngjitet fort pas bashkësisë islame, sepse shejtani bashkohet me atë i cili rri vetëm…”[1]
Të njëjtin realitet kanë shpalosur dhe imamët e shkollave juridike islame. P.sh. Imam Ebu Hanife (v. 150/767) tregon se si e ka marrë dijen e tij, ku thotë: “Unë e kam marrë dijen me rrugë të Hamadit dhe Ibrahimit, nga Omeri, Aliu, Abdullah b. Mesudi dhe Abdullah b. Abasi.”[2] Muxhtehidi i Shamit Imam Euzaiu (v. 157/774) gjithashtu tregon: “Ky është mendimi që kanë pranuar njerëzit e dijes dhe praktika e imamëve të shkollave juridike.”[3] Kjo mënyrë e të shprehurit arriti deri në atë pikë, saqë Imam Ebu Jusufi (v. 182/798) kur jepte ndonjë gjykim për ndonjë çështje, nuk jepte më emra, se kujt i përkiste ky mendim, por shprehej; ‘Sipas mendimit të dijetarëve, të cilët ne kemi arritur të marrim mësim’; ‘Imamët tanë’; ‘Fakihët tanë’; ‘Gjëja më e drejtë që kemi dëgjuar është kjo…’ ose ‘Na është transmetuar nga të parët tanë’.[4] Po ashtu shprehet dhe Imam Malik b. Enesi (v.179/795) ‘Sipas gjykimit që është rënë në konsensus’; ‘Sipas gjykimit të praktikuar nga dijetarët që kemi arritur’.[5]
Midis sahabëve kishte nga ata të cilët shquheshin për dijen dhe aftësinë e tyre për të dhënë gjykime në çështje të ndryshme të fikh’ut, si në çështjet e adhurimit, po ashtu dhe në marrëdhëniet sociale. Disa prej tyre e kishin fituar të drejtën e dhënies së verdikteve fetare që në kohën kur Profeti a.s ishte akoma gjallë. Madje disa ishin të emëruar personalisht nga Profeti a.s.
Katade b. Diame ajetin kuranor: “Ata, të cilëve u është dhënë dituri, shohin se çka të është zbritur ty nga Zoti yt, ajo është e vërteta (Kur’ani), i cili të udhëzon në rrugën e të Plotëfuqishmit dhe të Falenderuarit.” [6] e komenton në këtë mënyrë, ku thotë që ‘ata të cilët u është dhënë dituri’ janë sahabët.[7] Kështu Profeti a.s tregon se Allahu e ka bërë të thotë të vërtetën Hz. Omeri r.a.[8] “…kur të përballeni me ndonjë mospajtim midis jush, ajo që duhet të bëni është të zbatoni traditën time dhe atë të halifëve të drejtë.”[9]
Profeti a.s e ka aprovuar këtë praktikë në shumë raste. Disa prej tyre janë; Momenti kur dërgon Muadh b. Xhebelin në Medine si mësues dhe gjykatës. Nëse ai nuk do të gjente ndonjë argument nga shpallja hyjnore dhe hadithet, atëherë ai do të jepte një gjykim sipas dijes dhe aftësisë së tij për të deduktuar një dispozitë.[10] Që në moshë të vogël Abdullah b. Mes’udi tregonte një performancë të shkëlqyer në mësimet e Profetit a.s dhe për të lavdëruar këtë cilësi të tij, Profeti a.s i thotë: “Allahu të mëshiroftë, ti me të vërtetë je një djalosh që mund të mësohet shumë prej teje.” [11]; ka lavdëruar Hz. Aliun r.a duke thënë: “Unë jam vendi i dijes, kurse Aliu është dera e saj.”[12] ; ka veçuar midis sahabëve dy prej tyre ku thotë:“Personi që e di më mirë ligjin e ndarjes së pasurisë është Zejdi, kurse ai i cili di gjykimet e të lejuarave dhe të të ndaluarave është Muadhi.”[13] Në një transmetim tjetër përmend emrat e sahabëve të cilët shquheshin për dituri: “Mësojeni Kuranin nga këta katër persona, nga Abdullah b. Mes’udi, Salimi, Ubej b. Ka’bi dhe Muadh b. Xhebeli.”[14]
Për këtë realitet është i vetëdijshëm dhe vetë brezi i sahabëve, këtë e shohim në fjalët e Sehl b. Ebi Hasme i cili thotë se personat si Hz. Omeri, Osmani, Aliu, Ubej b. Ka’bi, Muadh b. Xhebeli dhe Zejd b. Thabiti r.a kishin marrë të drejtën të jepnin fetva që në kohën kur Profeti a.s ishte gjallë. Po ashtu dhe një sahabi tjetër Abdurrahman b. Aufi, jep dhe disa informacione shtesë në lidhje me sahabët e dalluar në dituri, ku thotë; “sipas transmetimeve të ardhura Hz. Aliu r.a veçohej në fushën legjislative, Hz. Zejd b. Thabit në çështjet e ndarjes së pasurisë, në temat e të ndaluarave dhe të lejuarave ishte Muadh b. Xhebeli dhe për Kuran veçohej Ubej b. Ka’bi.”[15]
Pas vdekjes së Profetit a.s në listën e personave që kishin aftësinë e dhënies së fetvave u shtuan dhe emra të tjerë si Hz. Ebu Bekri, Aishja, Abdullah b. Omeri, Abdullah b. Abasi, Ebu Musa el-Eshariu, Ubade b. Samit, Ebu’d – Derda, Hudhejfe b. Jeman, Ammar b. Jasir, Zubejr b. Avam dhe Abdullah b. Amr. Në librin e tij Ibn Hazim i cili përmbledh fetvatë e dhëna nga sahabët, tregon se numri i sahabëve të cilët kishin arritur gradën e dhënies së fetvasë ishte 162 ku 20 prej tyre ishin sahabe femra.[16] Midis këtyre ishin edhe shtatë fakihët (el-fukahau’s-seb’a mine’s-sahâbe), Hz. Omeri, Aliu, Abdullah b. Mes’ûdi, Abdullah b. Abasi, Abdullah b. Omeri, Zejd b. Thabiti dhe Hz. Aishja (r.a.). nëpër burime të ndryshme transmetohet se fetvatë e dhëna nga këta shtatë fakihët arrijnë masën e librave me vëllime të tëra.[17]
Prania e këtyre sahabëve fakih në zinxhirin e diturisë së Imamëve të katër medh’hebeve është një pasuri dhe një tregues i aftësisë për të nxjerrë gjykime në fusha të ndryshme. Konstatimi i disa prej tabiunëve si Ata b. Ebi Rebah, Shabi dhe Mesruk b. el-Exhda është shumë interesant: “ Kam parë se dija e Profetit a.s është mbledhur te këta gjashtë sahabe, Ali b. Ebi Talib, Abdullah b. Mes’ud, Omer b. Hatab, Zejd b. Thabit, Ebu’d-Derda dhe Ubej b. Ka’b. dhe dija e këtyre të gjashtëve është mbledhur tek Hz. Aliu dhe Abdullah b. Mes’udi.”[18]
Të gjithë sahabët dhe veçanërisht emrat të cilët shquheshin për diturinë e tyre kishin një qëndrim dhe një qasje të ndryshme nga njëri tjetri në vlerësimin dhe deduktimin e dispozitave fetare. Sahabe si Hz. Omeri, Aliu, Abdullah b. Mes’udi, Abdullah b. Abasi r.a përveç Kuranit dhe hadithit, përdornin dhe logjikën, racionalen, analogjinë dhe rrugë të tjera të ixhtihadit në vlerësimin e çështjeve, por nëse do t’i hidhej një sy sahabe të tjerë si Abdullah b. Omeri, Abdullah b. Amri, Ebu Said el-Hudriu ve Zejd b. Thabiti r.a do të vërehej se ata mjaftoheshin vetëm me transmetimet që kishin dhe mundoheshin të qëndronin sa më larg racionales.
Këto shembuj do ta bëjnë më të dukshëm dhe të kuptueshëm ndryshimin në qasjet e ndryshme që kishin këta sahabë:
Ebu Said el-Hudriu pasi kishte ndjerë që vdekja po i afrohej, kërkon një rrobë të re nga personat që kishte pranë tij, dhe pasi e vesh rrobën e marrë, ai thotë; “Unë e kam dëgjuar Profetin a.s të thotë: “Personi ringjallet me atë rrobë me të cilën ka vdekur.” duke treguar arsyen e kërkesës së tij. Por Hz. Aishja r.a e cila kishte arritur të kuptonte qëllimin e vërtetë të thënies së kësaj fjale thotë; “Allahu e mëshiroftë Ebu Saidin, por kuptimi i vërtetë i kësaj thënie është vepra dhe puna e personit.”[19] Duke treguar kështu kuptimin e vërtetë të fjalës.
Abdullah b. Omeri r.a i cili hadithin e Profetit a.s “Për sa kohë blerësi dhe shitësi nuk janë ndarë nga vendi i shitjes kanë të drejtë të heqin dorë nga akti.”[20] e merrte në kuptimin parësor të ndarjesh dhe largimit nga ai vend, sapo kryente një akt tregtie ngrihej menjëherë në këmbë, për ta përfunduar kështu aktin me mendimin se lëvizja prej aty pas kryerjes së aktit ishte sunet.[21]
Në një hadith të Profetit a.s ku thotë: “Të mos e shesë askush një lëndë ushqimore të cilën e ka blerë, pa e shpënë atë në dorë më parë.”[22] Zejd b. Thabiti dhe Abdullah b. Omeri r.a fjalën ‘pa e shpënë në dorë’ e kanë kuptuar si ngarkimin e mallit në mjetin transportues dhe dërgimin në një vend tjetër, kurse Abdullah b. Abasi e ka marrë në kuptimin e pronësimit të mallit ose kalimit në pronësinë e personit.[23]
Ky ndryshim në qasjen e tyre ndaj Kuranit dhe hadithit duke futur këtu si faktor ndikues edhe pozitën gjeografike nga e cila ata vinin, i hapi një rrugë zhvillimit të mendimeve të ndryshme në sistemin e mendimit islam, qoftë kjo jurispundeciale, qoftë sociale.
Përktheu: Marius Tafani
[1] Shafi, er-Risale, (bot. A. M. Shakir), Kairo 1979, fq. 473-474; Tirmidhi, “Fiten”, 7.
[2] Sajmeri, Ahbaru Ebi Hanife ve ashabih, Hajdarabad 1974, s. 58-59.
[3] Ebu Jusuf, er-Red ala Sijeri’l-Euzai, Bejrut, fq. 41.
[4] Kitabu’l-Haraxh, Kairo 1382, fq. 21, 51, 62, 162, 180, 200; er-Red ala Siyeri’l-Euzai, fq. 21.
[5] Disa shembuj nga Muvata, “zekat”, 34; “sijam”, 55.
[6] Surja Sebe, 6.
[7] Haxhui, el-Fikru’s-sami fi tarihi’l-fıkhi’l-İslami, Bejrut 1995, I-II, 232; İbn Abas dhe Katade janë të mendimit se përfshihen të gjithë sahabët.
[8] Tirmidhi, “Menakib”, 17; İbn Maxhe, “Mukadime”, 11; Musned, II, 53, 95.
[9] Ebu Davud, “Sunne”, 5; Tirmidhî, “İlm”, 16; İbn Maxhe, “Mukadime”, 6; Musned, IV, 126, 127.
[10] Ebu Davud, “Akdije”, 11; Tirmidhi, “Ahkam”, 3.
[11] Musned, I, 379; Bejhaki, Delâilu’n-nubuvve, Bejrut-Kairo, 1988, II, 172.
[12] Tirmidhi, “Menakib”, 20.
[13] Tirmidhi, Menakib”, 32; İbn Maxhe, “Mukadime” 11.
[14] Buhari, “Fedailu Ashabi’n-Nebi”, 26, 27; “Menakibu Ensar”, 14; Muslim, “Fedailu’s-sahabe”, 118;
Musned, II, 189, 195.
[15] Buhari, “Tefsir”, 2/7; Tirmidhi, “Menakib”, 32; İbn Maxhe, “Mukadime”, 11.
[16] İbn Hazm, “Ashâbu’l-futjâ mine’s-sahabe ve men ba’dehum ala meratibihim fi kesrati’l-futjâ”,
Xheuamiu’s-sire, (thk. İ. Abbas-N. Esed), Kairo fq. 319-323.
[17] İbnu’l-Kajim, İ’lamu’l-muvakıîn, Bejrut 1991, I, 10.
[18] İbn Sa’d, et-Tabakatu’l-Kubra, Bejrut, II, 350.
[19] Zerkeshi, el-İxhabe, fq. 120.
[20] Buhari, “Bej’a”, 19, 22, 42; Muslim, “Bej’a”, 43, 46-47; Ebu Davud, “Bej’a”, 51; Muvatta, “Bej’a”,79.
[21] Buhari, “Bej’a”, 47; Muslim, “Bej’a”, 45; Tirmidhi, “Bej’a”, 26.
[22] Buhari, “Bej’a”, 51-55; Muslim, “Bej’a”, 29-32.
[23] Erul, fq. 168.