Ramazani e lartëson njeriun drejt engjëllores
Te njeriu janë të përfshira dy anë, njëra ajo engjëllore dhe tjetra, ajo kafshërore. Pra, siç ka një anë të prirur kah fizikja, ai ka edhe një natyrë tërësisht të hapur kah ajo çfarë fshihet përtej fizikes. Pra, nga njëra anë qëndron një anë e tij kafshërore, e cila përbëhet nga ndjesitë kafshërore si epshet, mllefet, ashpërsia, urrejtjet dhe në anën tjetër, një anë engjëllore, e cila përbëhet nga bindja, njohja e Zotit dhe e së vërtetës, dashuria, robëria dhe thjeshtësia.
Allahu (xhel’le xhelaluhu), kur e ka krijuar njeriun, ka vendosur tek ai, si ndjenja të mira, ashtu edhe ndjenja të këqija. Nga kjo pikëpamje njeriu, edhe mund të engjëllorizohet, edhe mund të djallëzohet. Ashtu siç mund të fitojë një shkallë shumë të lartë shpirtërore, aq sa për të lënë pas edhe vetë engjëjt, ashtu edhe mund të bjerë në një gjendje që të të vijë keq edhe për djallin vetë.
Po, njeriu, i cili është krijuar në formën më të bukur, ka edhe një anë të hapur kah ndjenjat e këqija që mund ta çojnë atë edhe më poshtë se poshtërsia, por që janë krijuar me një varg urtësish të caktuara. Ai, gjithmonë, nën efektin e këtyre ndjenjave mund të bjerë nga më e mira e së mirës në më poshtë edhe se poshtërsia vetë. Në lidhje me këtë në Kuranin Famëlartë thuhet: “Ne e krijuam njeriun në formën më të mirë. Pastaj e hodhëm atë më poshtë edhe më poshtë. Përveç atyre që besuan dhe bëjnë punë të mira. Për ata ka një shpërblim të pandërprerë.”
Ja pra, lartësimi i njeriut nga njerëzia potenciale drejt horizontit të të qenit njeri i vërtetë do të mund të bëhet i mundur vetëmse nëpërmjet zhvillimit të këtij aspekti engjëllor të tij. Përndryshe, për sa kohë që qëndron i lidhur me trupin dhe jeton nën frerët e kafshërores; domethënë vetëm ha e pi dhe qëndron i fjetur, ai do të qëndrojë i izoluar në ngushtësinë e botës fizike; do të mbetet dhe ndërkohë që është një krijesë e denjë për të qenë më e mira e krijesave, të bjerë në një pozitë më të ulët sesa ajo e kafshëve. Mirëpo, nëse ai del nga kafshërorja dhe e braktis truporen, domethënë nëse pastrohet nga papastërtitë egoiste, kafshërore dhe trupore, dhe ndriçohet me emrat hyjnorë të Allahut, me cilësitë e Tij të patëmeta dhe gjendjeve të qashtra hyjnore, atëherë ai arrin një natyrë ndryshe dhe fiton një natyrë të veçantë.
Një ndër urtësitë se pse engjëjt përmenden aq shpesh nëpër ajetet fisnike dhe hadithet e bekuara është edhe synimi i vënies në lëvizje të kësaj ane engjëllore që është e pranishme si potencial te njeriu. Për ta nxitur atë, për të bërë të mundur zhvillimin e saj dhe për ta çuar atë drejt horizontit të përftimit të një gjendjeje engjëllore për të. Po, duke u vënë theksi te gjendja e engjëjve bëhet njëkohësisht një nxitje dhe thirrje për t’u ngjarë engjëjve, për t’u bërë si ata dhe na kërkohet që ne t’i zhvillojmë këto aftësi të pranishme në natyrën tonë, të cilat mund të na bëjnë të jemi si engjëjt.
Një nga veçoritë më të rëndësishme që e dallojnë nga engjëjt njeriun është edhe që ai ka kontroll mbi egon e tij. Tek engjëjt nuk mund të bëhet fjalë, as për ngrënie, as për pirje, as për martesë, as për sjellje si mëkati. Ato janë të krijuara si të pafajshme dhe janë krijesa që në çdo çast janë vetëm e vetëmse duke i bërë tesbih Allahut dhe duke e adhuruar Atë. Allahu i Madhërishëm thotë: “(Disa nga njerëzit) Dolën dhe pretenduan se (engjëjt) janë fëmijët e të Gjithëmëshirshmit. Përkundrazi, ata janë robërit e Tij të nderuar. Ata nuk i dalin kundër fjalës së Tij, por veprojnë vetëmse me urdhrin e Tij. (Allahu) i di të gjitha (gjendjet e tyre) ç’kanë ata përpara dhe pas. Ata nuk mund të ndërmjetësojnë për askënd, përveç atyre me të cilët është i kënaqur Ai. Nga frika e Allahut dhe përulja që kanë ndaj Tij, ata janë në çdo çast vigjilentë.”
Ndërsa njeriut i duhet të ushqehet, që të mund të qëndrojë i gjallë dhe ta vijojë jetën. Në çdo çast ai ka gjasë që të ndjekë egon dhe të hyjë në mëkat. Vetëm besimtari që agjëron, mund t’i vërë një pengesë ngrënies dhe pirjes, të vihet në kontroll të epshittë tij, të ruhet nga çdo lloj mëkati dhe të bëjë një jetë si ajo e engjëjve. Asisoj që Allahu iMadhërishëm krenohet përpara engjëjve me robërit e Tij të tillë, duke ua treguar ata si shembuj.
Po, ka njerëz të atillë që janë si engjëjt. Ky lloj njeriu, vetëm me mendimin se “Zoti do të më kërkojë llogari”, nuk e hedhin këmbën as mbi milingonat. Nëse shohin dikë që është më nevojtar se ata vetë, ia japin atij gjithë ç’kanë në duar. Kur bëhen gati për të falur namazin, iu dridhen këmbët teksa vijnë për t’iu drejtuar Zotit. U dridhen këmbët dhe përkulen në dysh duke menduar se do të japin llogari përpara Allahut. Ka edhe njerëz që janë si djalli. Ata janë më të rrezikshëm edhe se përbindëshat në pyll. Ja pra, në saje të agjërimit njeriu mund të shpëtojë nga gjirizi i poshtërsisë dhe të ngjitet drejt horizontit të engjëjve, madje të fitojë të drejtën për të qenë i denjë për të hedhur hapa edhe më tej.