Cilat jane urtësitë e therjes së Kurbanit?
Para së gjithash duhet ditur mirë se adhurimet bëhen sepse janë urdhër i Zotit. Dhe adhurimet të cilat kryhen me urdhrin e Zotit ka shumë urtësi që mund t’i dimë apo jo.
Kur kryhet adhurimi i kurbanit, me përmendjen e emrit të Zotit para therjes, bëhet e njohur se të gjitha kafshët në rruzullin tokësor janë pronë e Zotit që na i ka dhuruar ne për të përfituar prej tyre.
Kurbani është shprehje e heroizmit, sakrificës dhe bindjes së njeriut në rrugën për fitimin e kënaqësisë së Zotit. Kjo bindje dhe sakrificë është simbolizuar me Hz. Ibrahimin dhe Hz. Ismailin duke arritur majat. Kurani e tregon kështu këtë ngjarje:
“Ibrahimi u lut: O Zot me jep një djalë të mbarë. Dhe ne i dhuruam atij një djalë me mendje në kokë. Kur fëmija u rrit derisa mundte të vraponte i tha atij: Biri im, unë të shikoj ty në ëndërr sikur po të ther, si t’ia bëjmë kësaj, ç’mendim ke? I biri iu përgjigj: Baba, ti mos u lodh duke u menduar, por bëj atë që të urdhërohet prej Zotit. Me dëshirën e Zotit edhe mua do të më shikosh të durueshëm”.
Të dy iu bindën urdhrit të Zotit dhe kur Ibrahimi e shtriu djalin për ta therur i thirrëm atij: “Ibrahim, e vërtetove ëndrrën tënde duke e zbatuar atë. E hoqëm prej teje barrën të therësh tënd bir. Kështu i shpërblejmë Ne të mirët. Vërtet kjo ishte sprovë e madhe. Dhe i dhamë atij një kurban në vend të të birit.”
Dhe ndaj tij Ne lamë një kujtim të mirë për popujt pasardhës në mënyrë që të thonë: “Paqja qoftë mbi Ibrahimin”. Kështu i shpërblejmë Ne të mirët. (Safat/ 100-110)
Kurbani rrit shpirtin bindës ndaj Allahut. Në këtë mënyrë njeriu shfaq adhurimin e tij të vërtetë dhe mundohet të kryejë detyrën e falënderimit; afrohet me Allahun dhe kurbani kryen rolin e afrimit të tij me Krijuesin.
Gjithashtu kurbani ka shumë urtësi përsa i përket jetës sociale. Kurbani mbjell në shoqëri shpirtin vëllazëror, bashkëpunimin, ndihmesën dhe shpirtin e sakrificës. Ndihmon në zhvillimin e barazisë në shoqëri. Ndikon në kalimin e hendekut midis shtresave të ndryshme shoqërore duke i nxitur ata drejt bashkëpunimit.
Për të varfrit që nuk kanë mundësi të blejnë mish, kurbani është një mirësi mjaft e madhe. Kurbani e mëson njeriun e pasur të japë nga pasuria e tij për të fituar kënaqësinë e Zotit. E nxit atë ndihmojë të tjerët dhe të ndiejë thellë në ndërgjegje kënaqësinë që të jep kjo ndihmë që u ofrohet të tjerëve. Kështu e shpëton atë nga sëmundja e koprracisë dhe pasioni i tepërt për pasurinë e kësaj bote.