KATEGORITË TË CILAVE U SHPËRNDAHET ZEKATI  

Përcaktimi i kategorive të cilave u shpërndahet zekati, nga ana e Allahut xh.sh., jep të kuptuarit e rëndësisë, vlerës dhe rolin e këtij detyrimi – adhurimi. Këto kategori, Allahu xh.sh. i përcaktoi në ajetin 60 të sures “Et-Teube”, ku thotë:

إِنَّمَا الصَّدَقَاتُ لِلْفُقَرَاءِ وَ الْمَسَاكِينِ وَ الْعَامِلِينَ عَلَيْهَا وَ الْمُؤَلَّفَةِ قُلُوبُهُمْ وَ فِي الرِّقَابِ وَ الْغَارِمِينَ وَ فِي سَبِيلِ اللَّهِ وَ ابْنِ السَّبِيلِ فَرِيضَةً مِّنَ اللَّهِ وَ اللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ

Allahu caktoi detyrimin që lëmosha (zekati) t’ju takojë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet t’u përfitohen zemrat (të dobtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirimin nga robëria, të mbyturve në borxhe (luftëtarëve), në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu i di gjendjet e robërve, punon sipas urtësisë së vet.” (Teube: ­60).

Nga ajeti i lartpërmendur nënkuptohet se për cilët individë apo shtresa a kategori shoqëroret është përcaktuar zekati dhe sadakatul fitri. Duke ditur që dispozita e tyre është farz dhe vaxhib, ato ndahen në tetë lloje.

1-2. Të varfërit dhe të ngratët (el fukarau uel mesakin)

Në bazë të ajetit Kur’anor i varfri el-fakir” dhe i ngratiel-miskin” janë dy kategoritë e para, të cilëve u takon zekat si njërit, ashtu edhe tjetrit.

Komentuesit dhe dijetarët në përkufizimin e kuptimit të këtyre dy fjalëve i ndanë mendimet e tyre. Disa janë të mendimit se  “fakir” dhe “miskin”, janë të ngjashme sikur shprehja “Islam” dhe “Iman”, veçse nëse bashkohen këto të dyja dallohen mes veti, që do të thotë çdonjëra ka kuptim të vetvetishëm, por nëse ndahen, përafrohen, që do të thotë se nëse përmendet vetëm njëra më vete ka kuptimin edhe të fjalës tjetër.

Sipas mendimit të juristëve hanefi dhe maliki miskini – i ngrati, i mjeri është në gjendje më të mjerueshme sesa fakiri – i varfri. Sipas tyre i varfër konsiderohet personi i cili zotëron diç nga pasuria, por më pak se nisabi, kurse i ngrati është personi i cili nuk zotëron asgjë. Argumenti bazë ku këta dijetarë mbështetin mendimin e tyre është ajeti Kur’anor që thotë: “Eu miskinen dha metrebe – Ose ndonjë të varfri që e ka molisur varfëria”, pra i varfri që është i shtrirë për toke nga varfëria.

Pavarësish nga polemikat e dijetarëve myslimanë rreth kësaj çështjeje, ata janë të njësuar se zekati dhe sadakatul fitri u takojnë të dyja grupeve, sepse të dy kuptimet flasin për ata që janë aq të varfër sa që nuk plotësojnë nisabin.

Sipas Ebu Hanifes, të varfrit dhe të ngratit, nëse u jepet zekat më shumë se sa nisabi, ai është i vlefshëm, por ai është i mendimit se është mekruh (e papëlqyeshme) të jepet sa nisabi e më tepër. Kurse Imam Maliku e lejon këtë zekat, por ai thotë se nuk lejohet që këtyre individëve t’u jepet më shumë sesa nevojat e tyre për një vit.

3. Punëtorëve që e tubojnë zekatin (elamiline alejha)

Kategoria e tretë së cilës i shpërndahet zekati është elamiline alejha -punëtorët që tubojnë zekatin. Me këtë shprehje nënkuptojmë punonjësit e veçantë të cilët emërohen dhe ngarkohen me detyrime të veçanta për tubimin e zekatit nga organi përgjegjës. Për ta realizuar tubimin e zekatit patjetër duhen emëruar dhe angazhuar njerëz kompetentë, të cilët i njohin mirë parimet e zekatit. Për emërimin e tyre kushtëzohet që ata të jenë myslimanë, të jenë të drejtë, t’i njohin mirë parimet e islamit dhe të jenë të aftë për veprim, sepse tubimi i zekatit është amanet, i cili duhet respektuar. Në këtë angazhim përfshihen të gjitha strukturat organizative, duke përfshirë ekzekutuesin në terren, regjistruesin, rojtarin dhe të gjithë ata që angazhohen në tubimin e zekatit. Nga ky term gjithashtu nënkuptohet se imami, (udhëheqësi islam) respektivisht njeriu kompetent për çështje fetare ka për detyrim islam që të angazhojë njerëzit kompetentë, të cilët do të realizojnë tubimin e zekatit, duke ua sqaruar njerëzve detyrimet e tyre. Gjithashtu, nënkuptohet edhe tubimi i zekatit në një vend të quajtur Bejtul Mal dhe pastaj shpërndarja e saj në grupet e caktuara sipas Kur’anit. Punonjësit e zekatit paguhen nga fondet e zekatit, qofshin edhe myslimanë të pasur, jo në cilësinë e zekatit, por si pagim për angazhimin dhe punën e tyre. Dijetarët janë të mendimit se punëtorëve që mbledhin zekatin u jepet sipas punës së tyre, porse dijetarët e shkollës juridike hanefi e kushtëzojnë këtë me qëllim që atyre të mos u jepet më shumë se gjysma e asaj që tubojnë.

4. Për përfitimin e zemrave (muel-lefetul kulub)

Me shprehjen “muel-lefetul kulub nënkuptojmë dhënien e zekatit personave, zemrat e të cilëve dëshirohet të përfitohen në Islam. Në këtë kategori përfshihen njerëzit të cilët janë të dobët në qëllimet e tyre islame, andaj u jepet pasuri që t’i përfitojnë ata. Muel-lefetul kulub janë disa grupe që përfshijnë këtë kategori:

  1. Njerëz të cilëve po qe se u jepet diç nga zekati, shpresohet që të pranojnë Islamin, ata personalisht ose populli i tyre. Një praktikë të tillë përdori Profeti a.s. kur i dha pasuri Safuan bin Umejjes me rastin e çlirimit të Mekës, i cili më vonë e pranoi Islamin dhe u njoh si mysliman i mirë.
  2. Njerëzve që dyshohet se mund të dëmtojnë imazhin islam (tek të tjerët) nëse nuk u jepet zekati dhe që shpresohet të bëhen të dobishëm, nëse u jepet zekati. Ibn Abasi thotë se njihte persona të një populli që vinin te Profeti a.s. dhe kërkonin nga pasuria. Kur u jepej të tillët e lavdëronin Islamin dhe myslimanët, e nëse jo, atëherë e nënçmonin atë.
  3. Njerëzit të cilët rishtazi e kishin pranuar Islamin; atyre u jepej që të përforcoheshin në Islam.

Dijetarët islamë janë njësuar në mendimet e tyre se atyre që rishtazi e kanë pranuar Islamin, lejohet t’u jepet zekat që të ndihmohen në përforcimin e tyre në Islam, por nuk u pajtuan në mendimet e tyre nëse jomyslimanëve lejohet t’iu jepet zekat apo jo.

Sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefi dhe shafi’, nuk lejohet që zekati t’u jepet jobesimtarëve, sepse ndihmon që të përforcohen zemrat e tyre. Këta dijetarë janë të mendimit se kjo ishte praktikë në fillim të Islamit, ngase numri i myslimanëve ishte i vogël, kurse Hulefai Rashidinët këtë e ndërprenë atëherë kur u forcua Islami. Në kohën e sundimit të Ebu Bekrit, kur Omeri ishte përgjegjës i arkës së shtetit islam, iu ndalua dhënia e zekatit atyre duke u thënë: “Kush dëshiron të besojë le të besojë, e kush dëshiron të mos besojë të mos besojë…

Sipas mendimit të juristëve të medhhebit hanefi dhe maliki, ky grupim ku jepej zekati ka rënë me përhapjen dhe zgjerimin e Islamit, andaj kategoritë e dhënies së zekatit tashmë janë shtatë e jo tetë. Ky anulim i kësaj kategorie është bërë me konsensusin e sahabeve, andaj Imam Maliku thotë: “Sot nuk ka nevojë për këtë kategori të njerëzve, sepse Islami është forcuar”.

5. Për lirimin e robërve (ue fi err-rrikab)

Shprehja “ue fi err-rikab” ka kuptimin për lirimin e robit. Dihet mirë se robi nuk ka pasuri, ngase ai dhe pasuria e tij janë të zotërisë së tij. Lirimi i robit sipas parimeve islame, përmes institucionit të zekatit, mund të bëhet në dy mënyra:

  1. Përmes metodës së kontratës së shkruar mes zotërisë dhe robit, që në terminologjinë e sheriatit islam quhet “mekatib. Kjo mënyrë realizohet atëherë kur robi bën kontratë me zotërinë e tij që për një afat të caktuar t’i sigurojë një sasi të hollash pronarit të tij, në mënyrë që të lirohet nga robëria, me kusht që nëse nuk e siguron sasinë e pranuar atëherë përsëri ngel i robëruar. Në këtë rast, robi është i lirë në veprime që të punojë dhe fitojë për t’u liruar nga robëria, por nëse nuk e siguron tërë sasinë e duhur, në afatin e caktuar, atëherë ndihmohet me fondin e zekatit që të lirohet nga robëria.
  2. Përmes metodës që të blihet robi nga zotëria dhe t’i dhurohet liria. Kjo pasuri e zekatit realisht nuk i jepet robit, por zotërisë së tij, prej nga përfiton robi. Kushtëzohet që robi i liruar me pasurinë e zekatit të jetë mysliman.

6. Borxhlinjve (Uel garimine)

Me shprehjen “Uel garimine nënkuptohen borxhlinjtë të cilët janë aq fort të bllokuar në borxhe, saqë nëse i paguajnë tërë borxhet, nuk u ngel pasuri sa nisabi. Në këtë drejtim huamarrësi mund të ketë hyrë në borxh për interesa apo nevojat e tij personale, siç është blerja e shtëpisë, martesa, mjekimi etj., por mund të ketë hyrë në borxh edhe për interesa shoqërore, siç është pajtimi mes njerëzve, ndërtimi i objekteve shoqërore, si xhami, spitale, shkolla etj. Personat e tillë, nëse nuk kanë mundësi ta paguajnë borxhin e tyre, ndihmohen me dhënien e zekatit që të dalin nga gjendja në të cilën kanë rënë.

Duhet pasur kujdes të veçantë për borxhlinjtë të cilët kanë hyrë në borxhe për veprime të ndaluara sipas mësimeve islame, siç janë droga, alkooli, bixhozi, pjesëmarrësit në lokalet e basteve etj., pasi atyre nuk u jepet zekat që të paguajnë borxhet e tyre. Borxhliut që nuk i ka këto vese mund t’i jepet zekat sa për ta paguar borxhin e tij.

7. Në rrugën e Allahut (Fi sebilil-lahi)

Me shprehjen “Fi sebilil-lahi” nënkuptohen luftëtarët të cilët luftojnë për ruajtjen dhe ngritjen e vlerave islame. Nga kjo nënkuptohet se me paracaktimin e dhënies së zekatit bëhet edhe parapërgatitja e ushtrisë islame. Nisur nga fakti se luftërat antiislame zhvillohen në metoda të ndryshme, dijetarët mylimanë bashkëkohorë janë të mendimit se pasuria paracaktohet për të gjitha ato vende dhe institucione të cilat janë garanci e Islamit dhe e myslimanëve, duke ndihmuar për një jetë sa më progresive, e veçanërisht në ndërtimin e shkollave me karakter shkencor-fetar dhe edukativo-arsimor, ngritjen e institucioneve organizative për çështje islame, shpërndarjen e bursave për arsimim, ngritjen e qendrave shëndetësore dhe spitaleve etj. Gjykohet dhe veprohet kështu ngase vetëm përmes kësaj metodologjie mund të përballohen dhe të hidhen poshtë të gjitha prirjet për minimizimin e Islamit dhe myslimanëve në aspektet botërore.

8. Udhëtarëve (ibnus-sebil)

Udhëtarë, të cilët mund të ndihmohen me pasurinë e zekatit janë ata njerëz që tentojnë të shkojnë në udhëtim për ndonjë veprim të mirë, siç është Haxhi apo arsimimi, por nuk u mjafton pasuria e tyre. Gjithashtu udhëtarë do të quhen edhe ata të cilët duhen ndihmuar me pasurinë e zekatit, kur janë në vend të huaj por kanë ngelur pa pasuri, për ndonjë arsye të justifikueshme. Të tillët duhen ndihmuar me zekat edhe pse ata në vendlindjen e tyre kanë pasuri të mirë.

Zekat mund të jepet nëpër të gjitha këto kategori, shtresa a grupe sociale të lartpërmendura, mund t’i jepet vetëm një kategorie e mund të jepet në mënyrë të barabartë në të gjitha kategoritë. Mirëpo, meqë zekati është detyrim që fillimisht të tubohet në një vend, atëherë vendosin organet kompetente përgjegjëse se cila kategori prej tyre është më nevojtare dhe e meriton atë. Në vendet tona, këtë çështje e kanë rregulluar komunitetet (bashkësitë) fetare islame, duke e derdhur zekatin në dobi të mbajtjes së institucioneve arsimoro-edukative.

Postime të ngashme