Të tjerët për Muhamedin (s.a.s)
John Davenport, në veprën e tij të shquar, Një apologji për Muhamedin dhe Kuranin, pranon ndershmërinë dhe sinqeritetin e pohimit të Muhamedit se është i dërguar i Zotit, kur thotë:
“Sinqeriteti i Muhamedit konfirmohet nga fakti se të parët persona që pranuan Islamin ishin miqtë e ngushtë dhe familjarët e tij, të cilët e njihnin më mirë atë në jetën private. Asnjëri prej tyre nuk dalloi qoftë edhe një mospërputhje mes fjalëve dhe veprave të tij, gjë që vërehet pashmangshmërisht te një hipokrit mashtrues kur gjendet brenda mureve të shtëpisë.”
Në librin e tij Muhamedi në Mekë, Watt-i shkruan:
“Gatishmëria e tij për të përballuar persekutimet në emër të besimit, morali i lartë i njerëzve të cilët i besuan dhe e konsideruan prijës, dhe madhështia e arritjes së tij të fundme janë argumente që mbështesin integritetin e tij personal. Ta paraqesësh Muhamedin si mashtrues krijon më shumë probleme seç zgjidh. Më tej akoma, asnjë figurë madhore e historisë nuk është vlerësuar aq anësisht nga perëndimi sa Muhamedi. Prandaj, jo vetëm duhet ta pranojmë integritetin dhe ndershmërinë që përbën thelbin e qëllimit të Muhamedit, nëse duam vërtet ta kuptojmë, por duhet të fshijmë edhe të gjitha gabimet që kemi trashëguar nga e shkuara…”