Mbi vlerat e sures el-Bekare
Surja Bekare është surja më e gjatë në Kuran dhe e dyta sipas renditjes.
Profeti (a.s) u jepte përparësi atyre personave që e dinin përmendësh këtë sure. Vetë ai ka thënë: “Me çdo ajet të kësaj sureje kanë zbritur nga tetëdhjetëmijë engjëj.”
Përfytyroni pra sikur besimtari ta lexojë këtë sure me dëshirën dhe qëllimin e mirë që në shtëpinë e tij të ketë sa më shumë prani engjëllore. Profeti (a.s) rrëfen në një hadith se në atë shtëpi ku lexohet surja Bekare nuk ka vend për djallin e mallkuar. “Mos i bëni shtëpitë tuaja varreza! Me të vërtetë që shejtani largohet nga shtëpia në të cilën lexohet surja Bekare.”
Ndërsa Abdullah ibn Burejde përcjell prej babait të tij, se kanë qenë ulur me Profetin Muhamed (a.s) kur u ka thënë: “Mësojeni suren Bekare, sepse leximi i saj është bekim, kurse lënia e saj është humbje. Asaj nuk mund t’i bëjnë gjë magjistarët…”
Edhe Sehl ibn Sadi përcjell se Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo gjë e ka majën e saj, kurse maja e Kuranit është surja Bekare. Kush e lexon këtë sure në shtëpinë e vet në një natë, shejtani nuk hyn në atë shtëpi për tri net. Dhe kush e lexon këtë sure ditën, shejtani nuk hyn në shtëpinë e tij për tri ditë.”